Dita e Dëshmorëve, politika
e ndarë edhe për homazhe

Dita e Dëshmorëve, politika<br />e ndarë edhe për homazhe
TIRANË- Sot shënohet 5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Atdheut. Ashtu si çdo vit tjetër u zhvillua ceremonia zyrtare e homazheve në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, ku zyrtarë të politikës vendosën kurora me lule në nderim të të rënëve në luftën anti-fashiste.

Si çdo vit, edhe këtë vit në Varrezat e Dëshmorëve janë organizuar dy ceremoni zyrtare dhe himni u ekzekutua dy herë.

Fillimisht të majtët kanë bërë nderimet tek monumenti i dëshmorëve, "Nëna Shqipëri" dhe pas më shumë se 1 ore, homazhet i kryen edhe të djathtët.
 
ORA 10:00, RAMA DHE META HOMAZHE TEK VARREZAT E KOMBIT
Në orën 10:00, fillimisht kreu i Kuvendit Ilir Meta dhe më pas kryeministrit Edi Rama janë përulur para monumentit “Nënë Shqipëri” në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë në respekt të gjithë dëshmorëve që kanë dhënë jetën në luftën anti-fashiste.
 
Homazhe ka kryer, bashkë më kryeministrin dhe kreun e Kuvendit, edhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Gjatë ceremonisë, Rama, Meta dhe Kodheli vendosën kurora me lule në monumentin “Nëna Shqipëri", ku u ekzekutua edhe himni kombëtar.

edi rama
(Në foto: Kryeministri Edi Rama duke bërë homazhe në varrezat e Dëshmorëve në Tiranë)  Foto të tjera

Kreu i kuvendit, Ilir Meta dha një prononcim për mediat në interes të gazetarëve.

“Është një ditë ku ne sot përulemi me mirënjohje përpara veprës së Qemal Stafës, e mijëra figura të tjera, djem e vajza të Shqipërisë që i dhanë të ardhmes së atdheut gjakun e tyre, jetën e tyre dhe ëndrrat e tyre”,- tha Meta për mediat.

ORA 11:30 CEREMONI TË DYTË, HOMAZHE TË DJATHTËT
Pas më shumë se një ore më vonë, homazhe tek monumenti  “Nëna Shqipëri”, kanë kryer kryetari i PD-së Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputetët të tjerë të së djathtës.

Të djathtët në një ceremoni të dytë, janë përkulur para monumentit të dëshmorëve në shënjë respekti dhe vendosur kurora me lule.

“Sot është dita kur shqiptarët nderojnë Dëshmorët e Kombit. Heronjtë të cilët luftuan për idealet e larta të Shqipërisë dhe shqiptarëve, bashkimit kombëtar, dinjitetin e Kombit tonë dhe Demokracinë. Sot, 70-të vite pas përfundimit të luftës antifashiste shqiptarët janë më të bashkuar dhe ideali i të rënëve në luftë anti fashiste, i errësuar për dekada po lartësohet sërisht”, u shpreh Basha. 

partai demokratike te deshmoret
 (Në foto: Kryetari i PD-së Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputetët të tjerë të së djathtës)

Ndërkohë, anëtarët të Partisë Komuniste nuk janë lejuar të futen në Varrezat e Kombit. Ata mbanin me vete fotografi të Enver Hoxhës dhe pankarta në duar që garda i ka kërkuar t'i linin jashtë dhe më pas të futeshin në ambientet e varrezës për të kryer nderimet.

RAMA: LSI PREJ KOHESH KA KERKUAR ME SHUME VEMENDJE PER DESHMORET

Deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, Petrit Vasili dhe Kejdi Mehmetaj bënë homazhe në bustin e Qemal Stafës në Tiranë me rastin e 5 Majit 

Duke folur për mediat pas homazheve Luan Rama tha se 5 Maji është dita e nderimit për dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe një moment reference për sakrificat dhe për heroizmin që ka demonstruar populli ynë gjatë luftës. Në të njëjtën kohë Rama kujtoi se 5 maji është edhe dita e rënies së Heroit të Popullit, Qemal Stafa.
 
“5 Maji dita e madhe e nderimit për dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, është padyshim një moment reference për sakrificat sublime dhe për heroizmin shembullor që ka demonstruar populli ynë në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, në atë luftë të madhe që solli çlirimin e atdheut dhe që na ka bërë sot të ndjehemi krenarë për sakrificën e madhe që kanë bërë të gjithë ata që dhanë jetën për çlirim. Natyrisht, 5 Maji ka edhe një vlerë tjetër, të veçantë është dita e rënies së Heroit të Popullit, Qemal Stafa me emrin e të cilit i gjithë atdheu, Shqipëria simbolizon tërë atë sakrificë, simbolizon heroizmin e madh, simbolizon gjakun e derdhur.”, u shpreh Luan Rama.
 
Ndërkaq, Rama theksoi se LSI-ja ka apeluar prej kohësh që të ketë një vëmendje më të madhe shtetërore dhe një përkujdesje për të gjitha referencat e Luftës Nacional Çlirimtare.
 
“Lëvizja Socialiste për Integrim prej kohësh ka apeluar që të ketë një vëmendje më të madhe shtetërore dhe natyrisht një përkujdesje të veçantë për të gjitha referencat e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe të heroizmit partizan. Natyrisht nëse ka ndodhur të gjejmë një lloj indiference apo mungesë vëmendjeje dhe vlerësimi, kjo nuk ka të bëjë aspak dhe nuk e cenon aspak madhështinë e heroizmit partizan. Nuk e cenon aspak heroizmin e atyre që dhanë gjakun për lirinë e atdheut, përkundrazi nxjerr më në pah edhe faktin se kush është realisht për nderimin dhe respektin e kësaj sakrifice dhe këtij respekti dhe kush e ka këtë në rend të dytë”, shtoi deputeti i LSI-së.

LSI HOMAZHE
(Në foto: Deputetët e LSI, Luan Rama, Petrit Vasili dhe Kejdi Mehmetaj gjatë homazheve sot në bustin e Qemal Stafës) 

Më tej, Rama bëri thirrje që Komisioni i posaçëm shtetëror i krijuar për festimet e 70 vjetorit të shohë realisht dhe të veprojë.
 
“Natyrisht edhe nga kjo datë edhe sot unë apeloj edhe në emër të LSI-së që komisioni i posaçëm shtetëror i krijuar për festimet e 70-vjetorit të mos vazhdojë të nanuritet në mjediset e zyrave, por të shohë realisht dhe të veprojë realisht duke marrë masa për të korrigjuar dhe për të bërë të mundur që Varrezat e Dëshmorëve dhe monumentet e luftës të jenë të denja për heroizmin që kanë demonstruar ata që nuk jetojnë më”, vijoi deputeti i LSI-së.
 
Sipas Ramës, respekti ndaj dëshmorëve është padyshim shenja më domethënëse e vlerësimit që kemi për të sotmen dhe vendosmërisë për të ardhmen
 
“Respekti ndaj tyre është padyshim shenja më domethënëse e vlerësimit që ne kemi për të sotmen dhe e vendosmërisë për të ecur më përpara drejt së ardhmes evropiane. Europa është modeli i nderimit të sakrificës dhe të heroizmit në Luftën e Dytë Botërore, le të mësojmë edhe në këtë pikë nga Europa. Ashtu sikundër unë para pak ditësh kam qenë në Kosovë dhe jam mahnitur, jam mrekulluar me përkujdesjen që tregojnë autoritetet shtetërore të Kosovës, por edhe vetë qytetarët për varrezat e dëshmorëve të luftës së UÇK-së dhe për monumentet e luftës gjë që na bën ne sot të ndjehemi fajtorë dhe të skuqemi për këtë qëndrim që kemi mbajtur ndaj monumenteve dhe varrezave të dëshmorëve”, deklaroi deputeti i LSI-së.

rama per mediat
(Në foto: Deputeti i LSI, Luan Rama, në fjalën e tij për mediat pas homazheve sot në bustin e Qemal Stafës) 
 
Në fund, Luan Rama tha se kjo ditë duhet të na shërbejë për të reflektuar në këtë drejtim dhe për të bërë ç’është e mundur për të korrigjuar këtë mangësi dhe këtë defekt. 

 
Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Pogradec/ I faluri nga amnistia kthehet te zakoni, sapo doli nga burgu bëri vjedhjen e radhës

Pogradec/ I faluri nga amnistia kthehet te zakoni, sapo doli nga burgu bëri vjedhjen e radhës