Rusët po votojnë këtë të diel në ditën e tretë dhe të fundit të zgjedhjeve parlamentare, të parat që zhvillohen që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022. Votimi pritet të konfirmojë edhe një herë dominimin e partisë në pushtet, Rusia e Bashkuar, e mbështetur nga presidenti Vladimir Putin, e cila ka fituar çdo palë zgjedhje parlamentare që nga viti 2003.
Procesi zgjedhor është shoqëruar me pretendime për sulme kibernetike. Autoritetet ruse thanë se sistemet e votimit dhe infrastruktura e komunikimit janë vënë në shënjestër, por sipas tyre përpjekjet janë neutralizuar dhe votimi ka vijuar pa ndërprerje.
Në fillim të ditës së fundit të votimit, kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, akuzoi Ukrainën për një valë sulmesh me dronë, duke pretenduar se mbrojtja ajrore ruse ka rrëzuar më shumë se 1.600 dronë, 450 prej të cilëve, sipas tij, kishin si objektiv kryeqytetin. Sobyanin tha se sulmet kishin për qëllim prishjen e procesit zgjedhor, por shtoi se kjo nuk ndodhi.
Edhe pse Vladimir Putin nuk është kandidat në këto zgjedhje, ai u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në votim, duke e cilësuar rezultatin si një tregues të mbështetjes për trupat ruse që luftojnë në Ukrainë.
Në garë për 450 vendet e Dumës Shtetërore janë disa parti, por rivalët kryesorë të Rusisë së Bashkuar, si komunistët, LDPR, "Një Rusi e Drejtë" dhe "Njerëz të Rinj", mbështesin gjithashtu luftën dhe politikat e Kremlinit.
Ndryshe ndodhi me partinë liberale Jabloko, e cila ka kërkuar publikisht fundin e luftës në Ukrainë. Gjykata Supreme e Rusisë e përjashtoi listën e saj federale nga zgjedhjet disa javë para votimit, ndërsa kandidatë të saj garojnë vetëm në disa zona njëemërore. Vetë partia bëri të ditur se një prej vëzhguesve të saj u arrestua të shtunën, ndërsa një ish-drejtues rajonal u dënua muajin e kaluar me 11 vite burg.
Përpara zgjedhjeve janë shtuar edhe zërat për një mobilizim të ri ushtarak pas përfundimit të procesit, i ngjashëm me thirrjen e 300 mijë rezervistëve në vitin 2022. Presidenti Putin i ka mohuar këto pretendime.
Ndërkohë, opozita ruse në mërgim u ka bërë thirrje qytetarëve të mos e bojkotojnë votimin, por të votojnë kundër partisë së Putinit. Edhe Yulia Navalnaya, e veja e opozitarit Aleksei Navalny, u kërkoi kundërshtarëve të luftës të paraqiten në qendrat e votimit njëkohësisht në mesditë, një taktikë e përdorur edhe në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Partia Jabloko, nga ana tjetër, u bëri thirrje mbështetësve të mos marrin pjesë në votim, duke argumentuar se nuk duhet të legjitimojnë një proces që, sipas saj, favorizon pushtetin.




Komente
Komento