Disa ditë pasi Kuvendi i Shqipërisë miratoi unanimisht një deklaratë ku e cilësoi të padrejtë vendimin e Gjykatës Speciale dhe kërkoi koordinim institucional mes Tiranës dhe Prishtinës, Partia e Lirisë kërkon që qeveria të shpjegojë se cilët do të jenë hapat konkretë që do të ndërmarrë.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka depozituar kërkesë për interpelancë me kryeministrin Edi Rama, duke kërkuar që ai të japë llogari në Kuvend për qëndrimin dhe veprimet e qeverisë shqiptare pas aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Kërkesa e Blushit vjen në një moment kur reagimet ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara vijojnë si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Më 17 shtator, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me votat e mazhorancës dhe opozitës një deklaratë të përbashkët, ku e cilësoi aktgjykimin të padrejtë, ritheksoi se lufta e UÇK-së ishte luftë çlirimtare dhe u bëri thirrje qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës të koordinojnë veprimet për korrigjimin e kësaj padrejtësie në rrugë institucionale.