Në ditën e ‘Gazetarëve Sportivë’ presidenti i FSHF-së Armando Duka ka vlerësuar kontributin e tyre që sipas tij është i çmuar në informimin e milionave qytetarë. Duka i fton gazetarët sportivë të vazhdojnë misionin e tyre, ndërsa kërkon edhe mbështetjen për zhvillimin e futbollit shqiptar.
“Të dashur miq të medias!
Sot në Ditën Botërore të Gazetarëve Sportivë, atyre që përcjellin çdo ditë e pa u lodhur informacionin rreth sportit përmes medias për miliona qytetarë, dua t’ju përcjell urimet më të përzemërta dhe sa më shumë suksese në këtë misionin fisnik! Dua të vlerësoj e përgëzoj çdo gazetar sportiv në Shqipëri, ato që punojnë aktualisht dhe ata që kanë dhënë kontributin e tyre ndër vite.
Edhe një herë Federata Shqiptare e Futbollit i inkurajon gazetarët sportivë që të vazhdojnë punën e tyre për informimin e opinionit publik dhe në të njëjtën kohë ta na mbështesin në zhvillimin e mëtejshëm të futbollit shqiptar. FSHF mbetet e hapur për të bashkëpunuar dhe të sjellë emocionet e futbollit te sportdashësit shqiptarë,”-shkruan Duka.