Sot zhvillohet dita e katërt e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

Fjala është për mbrojtjen e Veselit, pasi ajo e Thaçit e përfundoi fjalën e vet një ditë më parë. Avokati i tij, Lluka Mishetiç tha se nëse Thaçi shpallet fajtor, do të ishte "padrejtësi ligjore dhe historike", ndërkaq kërkesën e Prokurorisë që të katër të akuzuarit të dënohen me nga 45 vjet burgim e cilësoi si "burgim të përjetshëm".

Kadri Veselin e përfaqëson avokati Rodney Dixon. Ai i ka nisur deklaratat e para përmbyllëse dje dhe i vazhdon sot deri në orën 13:00. Dje ai e cilësoi çështjen kundër Veselit si “një përpjekje për të gjetur njëbrirëshin”. Sipas Dixon, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk ka asnjë provë kundër Veselit. "Kemi mbetur në duart e thashethemeve", tha ai. 

Fjalët e fundit i kanë thënë edhe Prokuroria me mbrojtësit e viktimave ditë më parë. 

Të hënën kryeprokurorja speciale në nisje të deklaratës përmbyllëse të akuzës kërkoi që Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi të dënohen me 180 vite burg në total specifikisht me nga 45 vite secili.

Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat janë deklaruar të pafajshëm.

Në këtë proces gjykohen krimet që pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:54
Gjyqi në Hagë, avokati i Veselit: Viktimat e dinë se padrejtësia më e keqe është drejtësia e rreme

Sikurse edhe një ditë më parë, mbrojtja e Veselit pretendon se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk ka fakte se Kadri Veseli ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Shtabin e Përgjithshëm kur ishte jashtë shtetit dhe beson që ajo nuk ka fakte për akuzat që i ka ngritur.

Avokati Dixon ka kaluar më pas te çështja e viktimave të luftës në Kosovë, por edhe aty i ka pasur dy fjalë për pretendimet e Prokurorisë.

“Viktimat kanë nevojë për drejtësi, e cila duhet të jetë e bazuar në të vërtetën dhe në realitetin. Viktima e dinë se padrejtësia më e keqe është drejtësia e pretenduar, e rreme. Me synimin që t’i jepet fund pandëshkueshmerisë është e nevojshme të mos sakrifikohet e vërteta, duhet të mbrohen të pafajshmit dhe gjykatat tona duhet të jenë me gjykata me integritet, pavarësisht nëse duhen mbi pesë vjet apo më gjatë për të arritur deri te përcaktimi i së vërtetës, siç ndodh këtu. Ne duhet të ecim në drejtim të saj për të arritur në fund të këtij gjyqi, tani që e dimë se cilat janë argumentet që përdor Zyra e Prokurorit të Specializuar”, tha ai.