Sot zhvillohet dita e katërt e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

Rodney Dikson avokati mbrojtës i Kadri Veselit, mbajti qëndrim kritik ndaj prokurorisë speciale këtë të enjte njësoj si avokatët e Hashim Thaçit një ditë më parë. Ai tha se marrja e dëshmive nga Zyra e Prokurorisë Speciale (ZPS) është bërë në mënyrë të njëanshme duke mos treguar të vërtetën. Madje ai tha se disa persona kanë gënjyer nën betim.

"Si është e mundur që gjykata të mbështetet në pjesë të caktuara të dëshmitarëve për të dhënë vendim fajësie përtej dyshimit të arsyeshëm, ndërkohë që për të tjerët thuhet se nuk mund të besohen për asnjë aspekt? Ka pasur persona që kanë gënjyer nën betim, duke mos thënë të vërtetën." u shpreh Dixon. 

Avokati e cilësoi procesin gjyqësor për ish krerët e Uçk edhe një lloj misioni për tu çuar deri në fund me qëllim nxjerrjen e së vërtetës. 

"Viktimat kanë nevojë për drejtësi, e cila duhet të jetë e bazuar tek e vërteta dhe realiteti. Viktimat e dinë se padrejtësia më e keqe është drejtësia e pretenduar, e rreme. Me synimin që t’i jepet fund pandëshkueshmerisë është e nevojshme të mos sakrifikohet e vërteta, duhet të mbrohen të pafajshmit dhe gjykatat tona duhet të jenë me gjykata me integritet, pavarësisht nëse duhen mbi pesë vjet apo më gjatë për të arritur deri te përcaktimi i së vërtetës, siç ndodh këtu. Ne duhet të ecim në drejtim të saj për të arritur në fund të këtij gjyqi, tani që e dimë se cilat janë argumentet që përdor Zyra e Prokurorit ë Specializuar" vijoi ai. 

Kërkoi pafajësinë e Veselit dhe ish krerëve të tjerë të UÇK, që garantohet sic tha, në parimet ligjore të të gjitha gjykatave ndërkombëtare. Edhe Dikson e cilësoi vendimin që do të japë trupi gjykues me rëndësi historike.

"Aktgjykimi juaj do të ketë vend në histori dhe nuk do të harrohet. Pavarësisht sa është përpjekur Prokuroria t’ju bindë që ta shpallni fajtor zotin Veseli, ne e kundërshtojmë këtë me parimin ligjor dhe shtetin ligjor, që është në qendër të të gjitha gjykatave ndërkombëtare. Kur nuk ka prova, apo kur provat janë të dobëta, nuk mund të ketë shpallje fajësie." përfundoi Dixon. 

Të mërkurën nisi faza e deklaratave përmbyllëse të mbrojtjes së ish krerëve të UÇK me atë të avokatëve të Hashim Thaçit. Pas mbrojtjes së Veselit radha vijon me mbrojtjen e Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit deri në datën 18 shkurt. 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:51
Gjyqi për ish-krerët e UÇK, avokati i Selimit: Sipas ZPS, edhe Adem Jashari ishte pjesë e ndërmarrjes kriminale

Avokati Roberts tha se si anëtarë të dyshuar të NPK-së përmenden shumë emra, që nuk janë të akuzuarit, dhe Prokuroria synon të bëjë lidhjen e tyre me të akuzuarit duke pretenduar qëllimin e përbashkët kriminal.

Ai tha se në këtë proces nga Prokuroria është përmendur edhe Adem Jashari, duke kujtuar se ai përmendet kur ka luftuar në fillim të 1998-ës në Prekaz, por Roberts shtoi se nuk përmendet fare “masakra që i ka ndodhur kësaj familjeje".

“Përmendet edhe në raste të tjera që është takuar me Veselin dhe Thaçin më 1992, apo që është prezantuar me Selimin nga Sulejman Selimi më 1994. Po ashtu, thuhet se më 4 mars 1998 është takuar me Selimin, Sabit Gecin, Rrahman Ramë e të tjerë” për të diskutuar për armët dhe UÇK-në. Përfundimi i logjikshëm që ka nxjerrë ZPS që këto lidhje mes të akuzuarve dhe Adem Jasharit janë relevante për argumente të ZPS-së apo NPK-së”, tha Roberts.

Ai tha se mendon që Prokuroria e bën këtë sepse sipas tyre “edhe Adem Jashari është anëtar i pretenduar i NPK të cilit nuk ia përmendin emrin. Pra, nuk mund të diskutosh thelbin e NPK dhe të pretendosh që çdo anëtar i lartë i UÇK-së ka qenë pjesë e kësaj ndërmarrjeje, përfshirë këtu edhe Adem Jasharin”.

“Megjithatë, unë mendoj që nëse e pyet Prokurorinë ajo s’mund të përgjigjet. Nëse e pyesni a ka qenë Adem Jashari pjesë e kësaj NPK-së që pretendoni ju sepse po të ishte kështu prokuroria do të ishte në gjendje ta vërtetojë këtë”, tha ai.

Ora 15:26
Gjyqi në Hagë, fillon mbrojtja e Rexhep Selimit: I pafajshëm, ZPS nuk ka arritur të provojë asnjë nga krimet e pretenduara

Pas pushimit, në Hagë ka nisur fjalën përmbyllëse ekipi mbrojtës i Rexhep Selimit.

Avokati i Selimit, Geoffrey Roberts, në fillim të fjalës tha se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë asnjë nga krimet që i ngarkohen klientit të tij.

“Selimi është tërësisht i pafajshëm për të gjitha krimet në aktakuzë. ZPS-ja thjesht nuk ka arritur të provojë asnjë prej këtyre krimeve të pretenduara. Kaq është dhe ky është qëndrimi ynë”, tha ai.

 

Ora 14:57
Mbrojtja në Hagë: Kadri Veseli është i pafajshëm, duhet të lirohet!

Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, kërkoi në Hagë që klienti i tij të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat. Në fjalën e tij përmbyllëse, Dixon tha se Veseli është i pafajshëm dhe Prokuroria nuk ka arritur të konfirmojë asnjë akuzë.

“Veseli meriton një vendim të drejtë dhe të duhur ai duhet të lirohet dhe të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat. Nëse ndodh e kundërta, do të ishte një padrejtësi e madhe. Dhe, nga ana tjetër ka shumë pika që mund të vërtetojnë që klienti im është tërësisht i pafajshëm. Ne parashtrojmë që parashtrimi i prokurorisë të hidhet krejtësisht poshtë”, tha ai.

Pas mbrojtjes së Veselit, gjatë ditës do të nisë paraqitjen e deklaratave përmbyllëse mbrojtja e Rexhep Selimit.

Ora 13:29
Gjyqtari i Speciales dremit në seancë, teksa avokati i Veselit mbante fjalën përfundimtare

Ndërsa në Hagë po vazhdon seanca e argumentave përmbyllës në rastin e krerëve të UÇK-së, njëri nga gjyqtarët duket se është lodhur dhe nuk ka mundur të mbajë sytë hapur teksa avokati i Kadri Veselit po mbante fjalën përfundimtare në mbrojtje të klientit të tij. 

Bëhet fjalë për Kristof Barthe i cili është fotografuar nga mediat teksa dremiste pak në seancë. 

1770899556_aaa1600x3601.png

Kristof Barthe

 

Ora 12:01
Gjyqi ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë, avokati: S’ka prova që Veseli drejtoi SHIK-un gjatë luftës

1770894317_Capture.JPG

Në seancën gjyqësore kundër krerëve të UÇK-së në Hagë, avokati i Kadri Veseli kundërshtoi pretendimet e Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me rolin e klientit të tij në Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK) gjatë luftës.

Ai tha se Prokuroria nuk ka paraqitur prova që Veseli ka udhëhequr apo organizuar veprimtari të SHIK-ut në atë periudhë. Sipas tij, referencat që përmenden lidhen vetëm me zhvillimet pas luftës dhe me diskutime për mbledhje informacioni në kohë paqeje.

“Kur Veseli flet për zhvillimin e Shërbimit Informativ i Kosovës (SHIK) pas luftës, ajo s’ka të bëjë fare me atë që mund të ketë ndodhur gjatë luftës. Nëse pas luftës po konsiderohej marrja e ndonjë informacioni, kjo nuk do të thotë se diçka e tillë ka ndodhur edhe gjatë luftës. Në fakt ata nuk mund ta bënin këtë gjatë luftës”. tha ai 

Avokati shtoi se ekzistenca e një strukture civile të zbulimit pas luftës nuk është e paligjshme dhe nuk ka lidhje me hakmarrje ndaj bashkëpunëtorëve.

"Nuk ka asgjë të paligjshme që të ekzistojë një strukturë e shërbimeve të zbulimeve civile që merret me çështjet dhe rreziqet e sigurisë. Prokuroria e neglizhon dhe nuk e përmend se Veseli e ka bërë absolutisht të qartë se nuk bëhej fjalë për hakmarrje ndaj bashkëpunëtorëve. Kjo ishte pas luftës, e gjitha është në intervistë, por është injoruar tërësisht nga Prokuroria" tha ai. 

 

Ora 11:27
Deklaratat për mbrojtjen e Veselit, avokati Dixon: Ka persona që kanë gënjyer nën betim

 

Avokati i Veselit vazhdon t’i konsiderojë pretendimet e Prokurorisë si “përpjekje të kota” dhe po i bën thirrje trupit gjykues që të ndajë faktin nga shpikjet.

“Aktgjykimi juaj do të ketë vend në histori dhe nuk do të harrohet. Pavarësisht sa është përpjekur Prokuroria t’ju bindë që ta shpallni fajtor zotin Veseli, ne e kundërshtojmë këtë me parimin ligjor dhe shtetin ligjor, që është në qendër të të gjitha gjykatave ndërkombëtare. Kur nuk ka prova, apo kur provat janë të dobëta, nuk mund të ketë shpallje fajësie”, tha ai.

Më tej, tha se ka persona që kanë gënjyer nën betim.

"Dëshmitarët e thirrur nga ZPS-ja janë thirrur për pohimin e vërtetësisë të qëndrimit të saj. Por, në të njëjtën kohë ne kemi parë që ZPS-ja ka sulmuar dëshmitarë dhe kemi pasur persona të vërtetë prej të cilëve ZPS-ja nuk ka marrë përgjigje, derisa gënjeshtarëve u ka dhënë mundësi për t’i dhënë përgjigjet e tyre. Kështu që, si është e mundur që gjykata të mbështetet në pjesë të caktuara të dëshmitarëve për të dhënë vendim fajësie përtej dyshimit të arsyeshëm, ndërkohë që për të tjerët thuhet se nuk mund të besohen për asnjë aspekt? Ka pasur persona që kanë gënjyer nën betim, duke mos e thënë të vërtetën", u shpreh Dixon.

Ora 10:54
Gjyqi në Hagë, avokati i Veselit: Viktimat e dinë se padrejtësia më e keqe është drejtësia e rreme

Sikurse edhe një ditë më parë, mbrojtja e Veselit pretendon se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk ka fakte se Kadri Veseli ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Shtabin e Përgjithshëm kur ishte jashtë shtetit dhe beson që ajo nuk ka fakte për akuzat që i ka ngritur.

Avokati Dixon ka kaluar më pas te çështja e viktimave të luftës në Kosovë, por edhe aty i ka pasur dy fjalë për pretendimet e Prokurorisë.

“Viktimat kanë nevojë për drejtësi, e cila duhet të jetë e bazuar në të vërtetën dhe në realitetin. Viktima e dinë se padrejtësia më e keqe është drejtësia e pretenduar, e rreme. Me synimin që t’i jepet fund pandëshkueshmerisë është e nevojshme të mos sakrifikohet e vërteta, duhet të mbrohen të pafajshmit dhe gjykatat tona duhet të jenë me gjykata me integritet, pavarësisht nëse duhen mbi pesë vjet apo më gjatë për të arritur deri te përcaktimi i së vërtetës, siç ndodh këtu. Ne duhet të ecim në drejtim të saj për të arritur në fund të këtij gjyqi, tani që e dimë se cilat janë argumentet që përdor Zyra e Prokurorit të Specializuar”, tha ai.

P.J/A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 10 Shkurt, 10:30

    Haga kërkon dënimin me 180 vite burg për ish-krerët UÇK, si e vlerësoni?