Dita e parë e shkollës për fëmijët
sa u kushton prindërve

Dita e parë e shkollës për fëmijët<br />sa u kushton prindërve
Mund të duket "luks", por të vegjlit në ditën e parë të shkollës, kanë modën e tyre për të ndjekur. Në çantën e tyre nuk ka më vetëm libra, por edhe shumë mjete të tjera ndihmëse, të cilat fëmijët e sotëm i duan patjetër, që sigurisht rëndojnë vazhdimisht buxhetin e familjes së tyre. Dhe në fakt blerjet nisin që në mes të muajit gusht në mënyrë që gjërat të mos u mblidhen të gjitha njëherësh, por edhe të mos harrojnë asgjë.

PERPARESJA E ZEZE

Kështu për klasat e para kërkimi nis sigurisht me përparësen e zezë, që vazhdon të jetë uniforma thuajse e të gjithë ciklit fillor. Sigurisht ajo ka pësuar disa ndryshime, dhe nuk është më aq serioze sa dikur, por këto modifikime kanë edhe një kosto ekstra. Nëse kërkon në treg një përparëse të zezë mund ta gjesh nga 1.000 lekë të reja e deri në 2.500 lekë të reja, kjo sigurisht në varësi të cilësisë së qepjes. Sigurisht që jaka e bardhë e përparëses shitet më vete dhe për atë duhet të paguash rreth 250 lekë të reja, kur është e thjeshtë, ndërsa ata që janë me punime tantele, shkojnë deri në 700 lekë të reja. Por siç thamë, përparësja e zezë tashmë nuk është më edhe aq e zezë. Sipër saj, tashmë vajzat veshin një minipërparëse të bardhë, që i jep një tjetër imazh përparëses klasike të zezë. Por edhe ajo kushton rreth 1200 lekë. Pra vetëm për përparësen, nëse marrim çmimin më të lirë një familje duhet të shpenzojë mesatarisht 2500 lekë të reja. Ndërsa "thesari" i vërtetë qëndron në aksesorët që mbushin tashmë çantën e të vegjëlve, çantë e cila për hir të së vërtetës është transformuar krejtësisht. Ata tashmë janë jo vetëm me figurat e personazheve të preferuar të të vegjëlve, por janë edhe me rrota, që fëmijët të mund t'i tërheqin si valixhe. Dhe për këtë kanë të drejtë, pasi çanta e të vegjëlve tashmë nuk ka më vetëm Abetaren e Matematikën, por një shumëllojshmëri gjërash.
ÇANTA
Është ky aksesori më i rëndësishëm i të vegjëlve në ditën e parë të shkollës. Sigurisht çanta zgjidhet në mënyrë të tillë, që të mund ta përdori së paku për dy apo tri vitet e ardhshme. Vajzat dhe djemtë kanë modën e tyre edhe për këtë aksesor, që nuk e ngatërrojnë kurrë. Për vajzat dominojnë ngjyrat rozë dhe sigurisht me personazhet më të njohura për ta, dhe për djemtë janë blu apo të zeza. Çmimet janë të kripura. Ata të thjeshtat mund t'i gjesh me një çmim minimal prej 1.500 lekësh të reja, ndërsa ata më cilësoret mund të shkojnë deri në 4.000 lekë. Sigurisht po flasim për çmimet e tregut dhe të supermarketeve, pasi në dyqane marke çmimet e tyre janë disa herë më të larta. Të shtrenjtat janë kryesisht me rrota, që mund të tërhiqen si valixhe dhe nuk mungon asnjëherë anash tyre një xhep ku të vegjlit tashmë mbajnë një minitermus me ujë që e kanë gjithmonë me vete, i cili kushton mesatarisht 350 lekë të reja.
MJETET NDIHMESE
Nëse kërkon diçka në çantën e të vegjëlve, është e pamundur ta gjesh atë, pasi ata janë bërë shumë të komplikuara. Kështu përveç Abetares dhe Matematikës, që sigurisht nuk mungojnë, në çantën e të vogëlushëve, do të gjesh patjetër edhe fletoret e punës për këto dy libra. Sigurisht në të nuk mungojnë as një fletore shkrimi dhe një tjetër matematike. Por këto janë vetëm gjërat bazë, pasi "luksi" i vërtetë duket kur fëmijët fillojnë e nxjerrin nga çanta e tyre mjetet ndihmëse. Le ta nisin me portofolin që mban lapsat. Ai më i thjeshti kushton 200 lekë të reja, por në varësi të madhësisë dhe cilësisë, kushton edhe 500 lekë të reja. Sigurisht ka edhe nga ata që kushtojnë 1.500 lekë të reja dhe kanë brenda një set lapsash, gomë dhe prefëse lapsash. Të vegjlit duhet të kenë patjetër, në portofolin e tyre të mjeteve edhe gomën, një evidentues që shënon poshtë fjalët më të rëndësishme, plastelinë me të cilën ata të punojnë gjatë orëve të lira, fletore vizatimi, etiketa që i vendosin mbi libra dhe fletore ku shënojnë emrat e tyre, lapustila, lapsa me ngjyra, korrektor për të korrigjuar germën apo fjalën që shkruajnë gabim, e shumë e shumë gjëra të tjera. Në total, klasa e parë, duhet të harxhojë rreth 6700 lekë të reja, nëse i shtojmë mjeteve të çantës edhe çmimin prej 1075 lekësh që u kushtojnë librat, shkon diku tek 8 mijë lekë të reja. Sigurisht bëhet fjalë për çmimet më minimale, pasi mesatare e kalojnë 10 mijë lekëshin. Duke mos harruar edhe buqetën me lule.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Spastrimi nga ‘tradhtarët’ e nepotizmi, sot konventa ‘kuqezi’ e PL! Sulme ndaj SPAK e ‘vizitë’ te Berisha

Spastrimi nga ‘tradhtarët’ e nepotizmi, sot konventa ‘kuqezi’ e PL! Sulme ndaj SPAK e ‘vizitë’ te Berisha