Edhe këtë vit, opozita festoi e ndarë nga krerët e shtetit 28 Nëntorin, ditën e Pavarësisë.
Në sheshin e Flamurit në Vlorë, drejtuesit e PD lokale dhe deputetët që udhëtuan nga Tirana drejt qytetit simbol të pavarësisë, vendosën kurora me lule, pasi përfundoi ceremonia e Ngritjes së Flamurit nga Rama, Begaj e kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Edhe pse një ditë më parë fitoi lirinë, Sali Berisha nuk shkoi në Vlorë për t’i prirë të tijve në ceremoni. Ai u shfaq vetëm online në një aktivitet të organizuar nga demokratët, duke uruar atë që e quajti Festën e Festave për shqiptarët.
“Gëzuar festën e Festave, datën e lindjes, datën e re të lindjes së Shqipërisë moderne, ditën e Pavarësisë. Një ditë kjo në të cilën Ismail Bej Vlora, me një vizion gjenial dhe në kushte tërësisht të kundërta me ëndërrën e tij dhe të shqiptarëve, ngriti në Vlorë flamurin e Skëndërbeut, shpalli Pavarësinë në një akt shpëtimtar të ekzistencës së Shqipërisë, por edhe të kombit shqiptar”.
Edhe në ditën që njihet si përbashkuese për shqiptarët, nuk harroi akuzat për kreun e qeverisë: Edi Ramën, që e quajti shqipfolës që zbaton politikat serbe.
“Sot në Tiranë qeveris një shqipfolës, që zbaton në këtë vend pas 112 vitesh pavarësi, zbaton pikë për pikë politikën Çubrilloviçit dhe ka përzënë nga Shqipëria në 10 vite, më shumë shqiptarë se çdo pushtim tjetër deri sot. Riktheu arrestimet, burgjet politike dhe përvetësimin e papërmbajtur masiv të pasurive publike, zhyti shqiptarët në mjerin progresiv.”
As përfaqësuesit e Partisë së Lirisë nuk u shfaqën në krah të demokratëve në festime. Në Vlorë për të bërë nderime në sheshin e Flamurit ishte Tedi Blushi, që tha se vitin tjetër, me Ilir Metën në krye do të festohet Nëntori i Tretë:
“Vitin e ardhshëm do festojmë Nëntorin e tretë të Shqipërisë së Lirë, Sovrane dhe plotësisht demokratike”
Vetë Meta e uroi nga burgu 28 nëntorin. Ai tha se kremtimi i 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë është festë për bashkim në mbrojtje të idealit të Lirisë, vlerave, identitetit dhe çështjes kombëtare. Urim në rrjetet sociale pati edhe kreu i demokratëve Euroatlantikë Lulzim Basha që e quajti 28 nëntorin datën më të rëndësishme të identitetit kombëtar.