Egnatia kampione e Shqipërisë luan sonte në orën 21:00 një ndeshje tejet delikatë në Europa League. Rrogozhinasit presin Shamrock Rovers për sfidën e kthimit të turit të tretë kualifikues, teksa iu duhet të përmbysin disfatën 3-1 të pësuar në Irlandë. Edhe pse duket shumë e vështirë te Egnatia ka optimizëm për objektivin, teksa trajneri Dede është shprehur se ‘djemtë kurrë nuk e kanë zhgënjyer’.

Në të njëjtë orë në Elbasan Arena Dinamo do të përballet me Auda-n për ndeshjen e kthimit të turit të tretë kualifikues të Conference League pas disfatës 1-0 të pësuar në Letoni.

“Nuk duhet ta kemi mendjen te rezultati, por te manovra dhe ekuilibri. Në fushën tonë jemi më të përshtatur se kundërshtari. Duhet ta shfrytëzojmë këtë element gjatë gjithë 90 minutave dhe pse jo mos të pretendojmë të vazhdojmë tej. Kjo pavarësisht se përballë kemi një kundërshtar të fortë,”-u shpreh Ilir Daja, trajner i Dinamos.

“Të kthesh një rezultat 0-1 natyrisht që është e vështirë, por ndonjëherë është e lehtë ta humbasësh një ndeshje që e ke fituar me këtë rezultat. Ne na takon të bëjmë ato detyra që na ka dhënë profesori. Besoj që duhet të rrisim akoma më shumë dyluftimet, të jemi të ashpër. Më pas me një paraqitje dinjitoze nga secili prej nesh mund të kalojmë më tej,”-tha Eridon Qardaku, futbollist i Dinamos.

Për Dinamon mos arritja e objektivit do të mbyllte në turin e tretë të Conference League aventurën në Evropë, ndërsa Egnatia në rast se eliminohet në Europa League do të kalojë në ‘play-off’ të Conference League.