Dita e Ujit të Bekuar, të rinjtë në vend sfidojnë të ftohtin, hidhen në lumë për të kapur kryqin (VIDEO)

Ditën e sotme, besimtarët e krishterë kanë kremtuar “Ditën e Ujit të Bekuar”, e cila simbolizon ditën kur Jezusi u pagëzua në ujërat e lumit Jordan nga Gjon Pagëzori.

Si traditë, të rinjtë mblidhen në një urë dhe në garë me njëri-tjetrin dhe duke sfiduar temperaturat e ulta të janarit tentojnë që të kapin kryqin që hidhet në ujë.

BERAT

Në qytetin e Beratit, në ujrat e lumit Osum janë hedhur 15 të rinj, por kryqi është kapur nga një 16-vjeçar nga lagjia Goricë, Kostandin Musha.

Siç edhe ndodh çdo vit, për të riun që kap Kryqin e Ujit të Bekuar,Kisha dhe Mitropolia i dhurojnë në shenjë simbolike 500 mijë lekë (të vjetra) dhe ai me kryqin në dorë shkon në çdo shtëpi të lagjeve: Goricë,Mangalem e Kala, ku banorët i japin para për kryqin e bekuar që mban në dorë i riu.

Pas hedhjes së kryqit,të gjithë besimtarët e krishterë beratas, i drejtohen sërish Kishës së Shën Dhimitrit, për të mbushur bidona me ujë të bekuar, të cilin e marrin në shtëpi. Ata besojnë se ky ujë shërben për të shëruar shpirtrat dhe trupin,dhe pihet sa herë që janë të sëmurë. Por kapja e kryqit nuk është shënuar pa incidente mes të rinjve.

LUSHNJE

Dita “Ujit të bekuar” është festuar edhe nga besimtarët e kishës së “Shën Dhimitrit” në Mazhaj të Lushnjes.

Kanë qënë tre të rinj ata që kanë sfiduar të ftohtin e acartë dhe kanë tentuar të kapin kryqin, por për të katërtin vit radhasi objekti i shenjtë është kapur nga Bleon Nushi.

FIER

Në qytetin e Fierit besimtaret ortodokes paraditen e sotme kanë festuar ditën e ujit. Me këtë rast kisha e Shën Gjergjit e këtij qyteti ka organizuar hedhjen e kryqit në ujë. Disa të rinj sipas zakonit kanë sfiduar të ftohtin dhe janë hedhur në ujë kur është hedhur kryqi, të motivuar me fitoren e trofeut dhe më pas shpërblimin. Ka qënë 15-vjeçari, Athanas Davidi ai që ka nxjerrë kryqin nga uji për të pestin vit radhazi.

ELBASAN

Edhe në qytetin e Elbasanit është festuar dita e ujit të bekuar. Kanë qenë dy të rinj që janë hedhur për të kapur kryqin, ku 19-vjeçari Aleksandro Llozi ka qenë ai që ka kapur kryqin. Pas këtij rituali të gjithë besimtarët kanë marrë me vete nga një shishe të mbushur nga uji i bekuar ku është hedhur edhe kryqi.

VLORË

Kremtimi i 6 janarit në Vlorë, festa fetare e simbolizuar me hedhjen e kryqit në det, tre persona kanë sfiduar njëri-tjetrin në det për të kapur kryqin. Altin Qirjo, i ardhur me pushime nga Gjermania, ka qënë personi i cili ka arritur të kapë kryqin në ujrat e ftohta të detit.

SARANDË

Festa e “Theofania” është festuar edhe në Sarandë. Ndryshe nga qytetet që kanë liqene apo lumenj Saranda tradicionalisht hedhjen e kryqit e zhvillon në detin Jon. Mes disa të rinjve që u hodhën në det për të marrë kryqin duke sfiduar temperaturat e ulëta, fituesi për të gjashtin vit radhasi ishte Kristaq Qose.

KORÇË

Edhe qyteti i Korçës nuk e ka harruar traditën e hedhjes së kryqit. Këtë vit ai është kapur nga Ronaldo Kovaçi. Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani ka përcjellë mesazhin e harmonisë dhe paqes mes njëri-tjetrit në këtë fillim viti.

Përveç hedhjes së kryqit më 6 Janar kryen të gjitha ritet fetare si: leximi i ungjillit, mesha dhe këndimi i ujit të bekuar.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë