Pranvera trokiti. Dita e Verës na njofton që stina e dimrit është lënë pas, për t'i hapur rrugën pranverës.

Festimet për këtë ditë të veçantë për shqiptarët janë shtrirë në të gjithë vendin.  

Kryeqendra e kësaj festë vijon të mbetet Elbasani me specialitetin e tyre, ballokumet, por aktivikete të shumta janë organizuar dhe në kryeqytet por edhe në Vlorë, Shkodër.

Dita e Verës është një festë mbarëshqiptare, që kremtohet si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave.
 
Bashkitë në qytete kanë organizuar aktivitete të ndryshme për të argëtuar qytetarët e tyre.  


Korçë
Dita e verës është festuar në qytetin e Korçës mes aktivitetesh të shumta duke shënuar fundin e ditëve të ftohta dhe të heshtura të këtij qyteti.
 
Qindra qytetarë kanë gjallëruar atmosferën në Pazarin e Vjetër të Korçës duke festuar mes zjarreve dhe aktiviteteve të shumta fundin e stinës së dimrit dhe duke përcjellë urime me njëri-tjetrin.  
 
Në simbolikë të kësaj dite banorët i janë bashkuar  festimeve nën shoqërinë e njëri tjetrit.
Aktiviteti i organizuar nga Bashkia e Korcës ka sjellë atmosferë të veçantë ndërsa kryebashkiaku i Korcës duke përcjellë urimet ka theksuar se Pazari i Vjetër i Korçës çdo ditë e më tepër po mbushet me biznese të reja
 
Ndryshe nga dita e djeshme, kjo e sotmja ka qene disi me e vakët përsa i përket aktiviteteve të organizuara. Dita e verës në Korçë festohet edhe në datën 1 mars nga besimtarët orthodhokse. 


Elbasan 
Festa e verës në Elbasan ka filluar që një natë më parë me aktivitete të ndryshme, ndërsa sot Elbasani arrin kulmin e festimeve të cilat do të shtrihen në çdo cep të qytetit.

Nëse përmendet Dita e Verës në çdo vend ku ka shqiptar ajo identifikohet me qytetin e Elbasanit, pasi për të kremtuar këtë festë në Elbasan kanë ardhur qytetarë nga të gjitha trevat shqipfolëse dhe jo vetëm. Një nga simbolet që e identifikon festën e verës dhe Elbasanin është ballokumja e cila është ëmbëlsira tradicionale.

Gjatë ditës së sotme pritet që të ketë dhjetëra koncerte të cilat janë të organizuara nga bashkia e Elbasanit. Sipari i festimeve për ditën e sotme është hapur që në orën 9:00 dhe do të vazhdojë deri në orët e para të ditës së nesërme.