Sot ështe çelur Panairi i Ballokumeve, me disa stenda te vendosura përgjatë mureve të kalasë në Elbasan.

Po ashtu janë zhvilluar koncerte për fëmijë, si dhe shfaqje të teatrit të rrugës me maskota. Festimet kanë vijuar më tej me parakalimin e grupeve folklorike nga gjithë trevat e vendit.

Për herë të parë është çelur edhe panairi bujqësor “Nga toka jonë në sofrën tuaj” me pjesëmarrjen e 54 subjekteve.  Sipas ministrit të Bujqësisë, Andis Salla, aktivitete të tilla do të shtrihen edhe në qytete të tjera.

Ndërkohë kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, ka zbuluar më shumë detaje nga festimet për Ditën e Verës, që kanë nisur më herët se dita zyrtare, 14 Marsi. Llatja tha në një lidhje live për Report TV se ditën e nesërme pritet një numër shumë i lartë vizitorësh në Elbasan, të cilët sipas tij pritet të vijnë jo vetëm nga trevat shqipfolëse, por edhe nga shtete të Europës.

Teksa tha se Bashkia në bashkëpunim me Policinë ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e festimeve, Llatja shtoi se interes pas traditën dhe kulinarinë shqiptare ka pasur edhe nga mediat greke, italiane, por edhe nga Azia.

“Ne kemi filluar që dje me aktivitetet e mëdha. Kemi filluar me Definenë. Në datën 11 kishim sofrën e Elbasanit, që është një aktivitet më i ngushtë dhe më privat, ku i pari i qytetit pret miqtë e qytetit. Ndërkohë që dje kishim një aktivitet më masiv për të gjithë ata që duan këngën, traditat dhe vallet popullore. Ata ishin në Elbasan, në Definenë siç e kemi quajtur ne, një aktivitet ku të gjithë trupat e këngëve e valleve popullore nga trevat e Shqipërisë, por jo vetëm, vinin në Elbasan për të performuar, por edhe për të ekspozuar veshjet e tyre, që janë një pasuri e jona kombëtare. Dje Elbasani u mbush me shumë ngjyra, ndërsa sot kemi pasur shumë aktivitete. E filluam në mëngjes me hapjen e panairit të Ballokumeve.

Më pas vazhduam me art dhe zeje, ku rreth 26 shkolla të Elbasanit ekspozuan punën e tyre. Më pas vazhduam me panairin e Bujqësisë që vijon sot dhe nesër, ku ka biznese nga qarku i Elbasanit, por edhe nga i gjithë Shqipëria. Pas orës 19:00 nis atmosfera festive në qytet ku do të kemi të ftuar Ledri Vulën, Xhensilën dhe një sërë këngëtarësh të mirë shqiptarë. Për ta mbyllur me atmosferën e fishekzjarrëve dhe dronëve, ndërkohë që Kalaja e Elbasanit ka një atmosferë fantastike. Pastaj është show i dritave që ndriçon gjithë kalanë e qytetit. Unë jam një konsumues i mirë i ballokumeve. Mami im ishte ende duke bërë ballokume. Një atmosferë fantastike është në të gjitha shtëpitë e Elbasanit.

Veç turistëve tradicionalë që kemi pasur çdo vit, janë shtuar vitet e fundit shumë nga Italia, Franca, Zvicra dhe Norvegjia. Ka pasur një zhvillim turizmi në Elbasan. Kanë ardhur televizione greke, italiane, por edhe nga Azia, të interesuar për traditat tona. Ka pasur interes veçanërisht për kulinarinë tonë. Ne presim nesër miq shumë të mirë. Elbasani është gati t’i presë të gjithë. Ne i kemi marrë të gjitha masat, në bashkëpunim me Policinë, për të siguruar mbarëvajtjen. Kemi pak probleme me hotelet”, tha mes të tjerash Llatja.