Dita kundër dhunës! Në 11 muaj, 10 gra u vranë nga burrat! U bënë 3288 denoncime, 506 dhunues u arrestuan

54-vjeçarja Liljana Buzo sapo doli nga ambientet e Gjykatës së Elbasanit, nga ku vijonte procedurat e divorcit, u qëllua për vdekje me shtatë plumba kallashnikovi nga bashkëshorti Koço Buzo. Liljana është një nga dhjetë gratë që u vranë barbarisht nga bashkëshortët dhe familjarët nga janari deri në 25 nëntor 2021.

Në 11 muaj janë vrarë barbarisht Irvana Hyka, Fëllënxa Shirja, Nazife Markja, Liljana Buzo, Diana Vukaj, Lumturie Bici, Klarita Ismalaja, Sanije Bandulla, Sabrina Bega dhe e fundit Jausackie Jaboah, e reja ganeze që u masakrua me thikë nga i dashuri i saj shqiptar.

Pjesa më e madhe e tyre janë vrarë nga bashkëshortet, si pasojë e një dhune të vazhdueshme që nuk është denoncuar.  Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se në të gjithë vendin, nga 1 janari deri në 25 nëntor, guximin për të denoncuar dhunën e kanë marrë 3288 gra, të cilat kërkuan ndihmë tek organet kompetente. Si rezultat i këtyre denoncimeve, 506 dhunues janë arrestuar për dhunë në familje dhe janë vënë përpara përgjegjësisë penale në të gjithë vendin.

Burime pranë Gjykatës së Tiranës i thanë Report Tv se në 11 muaj janë 367 çështje në gjykim për dhunë në familje. Gjykata ka lëshuar në total 938 urdhra mbrojtjeje. 796 prej tyre janë urdhra të menjëhershëm, që përkthehet se këto gra kanë pasur rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e tyre.

Nga foltorja e Parlamentit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se me buxhetin 2022 do të rritet  mbështetja për gratë viktima të dhunës, duke trefishuar masën e mbështetjes për gratë që janë viktima të dhunës dhe gratë e trafikuara.

“Rritja e denoncimeve është një kambanë alarmi por padyshim është tregues i besimit të shtuar tek institucione.  Puna jonë nuk ka ndalur në forcimin e instrumenteve ligjore, përmes forcimit të mekanizmave të denoncimit të dhunës në çdo bashki, përmirësimi i legjislacionit që mbron gratë e dhunuara, apo tek mbështetja për shërbime në territor dhe deri fuqizimi dhe riintegrimi në shoqëri i vajzave dhe grave”, tha Manastirliu.

Dita ndërkombëtare e dhunës ndaj grave, që përkujtohet në 16 ditë aktivitete ndërgjegjësuese, u kujtua edhe në Shkodër dhe Lushnje, me mesazhe sensibilizimi.

“Numri i të dhunuarve si rezultat sidomos i pandemisë është shtuar shumë në krahasim me vitet e kaluara. Jo të gjithë gratë e deklarojnë dhunën, e quajnë se është element privat”, tha Eriselda Sefa, Kryetare e Bashkisë Lushnje.

Krahasuar me 11 mujorin e një vitit më parë, 2021-shi fatkeqësisht shënoi 3 viktima më shumë në radhët e grave.

I.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare