Policia e Shtetit ka bërë thirrje për distancim nga dhuna në protestë dhe sulmet ndaj efektivëve e institucioneve. Në deklaratë, theksohet apeli ndaj qytetarëve për të shmangur zonat ku ka akte dhune dhe të mos bëhen pjesë e tyre.

Policia thotë se sulmet e ditës së sotme kanë rrezikuar jetën dhe shëndetin e uniformave blu. Në videon e publikuar, shihen gozhdë, gurë, shufra hekuri, molotovë, zare metalikë e fishekzjarrë që janë përdorur nga protestuesit.

Deklarata e plotë:

Gjatë protestës së ditës së sotme, punonjësit e Policisë së Shtetit janë përballur me akte të vazhdueshme dhune, të cilat rrezikojnë drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e tyre, si dhe sigurinë e qytetarëve.

Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestë të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, të cilët sulmojnë punonjësit e Policisë dhe institucionet, si dhe dëmtojnë pronën publike e private.

U bëjmë thirrje qytetarëve të shmangin zonat ku po ushtrohen akte dhune dhe të mos bëhen pjesë e veprimeve që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

E drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar me ligj. Dhuna, sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe dëmtimi i pronës publike e private janë të papranueshme dhe ndëshkohen me ligj.

Çdo veprim i dhunshëm që rrezikon jetën e punonjësve të Policisë dhe të qytetarëve do të trajtohet në përputhje me ligjin.

Policia e Shtetit vijon të jetë në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në zbatim të ligjit dhe në shërbim të qytetarëve.


Lajmi kryesor:

LIVE TV - Protestat e dhunshme/ Zjarr Ministrisë së Infrastrukturës e të Mjedisit, molotovë Bashkisë e BSH! Breshëri fishekzjarresh policisë! Këlliçi, Nallbati dhe Stresi u prijnë protestuesve pranë PD