Hipertensioni do t’i “rrëmbente” shikimin Qamile Tates. 62-vjeçarja nga Qukësi humbi shikimin nga një sy dhjetë vite më parë, por pamundësia ekonomike për ta trajtuar e përkeqësoi gjendjen e saj. Sëmundja, më pas, goditi edhe syrin tjetër.
“10 vite më iku dhe syri tjetër nga ajo se s'kisha lekë. Mora borxh 500 mijë lekë edhe bëra operimin në Elbasan”, thotë Qamile Tata.
62-vjeçarja tregon kalvarin e vështirësive që ka kaluar. Me bashkëshortin invalid dhe të ardhura minimale, Qamilja thotë se paratë që merr nuk i dalin as për nevojat bazike.
“Bashkëshortin e kam të sëmur. Unë marr 160, jam vetëm, nuk kam as fëmijë asgjë. Burri merr 9.000 lekë ilaçe. I ra goditje. Lekët nuk na dalin, kur na mbarojnë edhe duhen ushqime, iki i marr me borxh. Unë nuk mund t’i bej vetes time shërbim jo më të tjerëve”, shton ajo.
Të verbrit kërkojnë nga qeveria rikthimin e shërbimeve publike për ta, rritjen e asistencave financiare dhe mbështetje për integrimin në tregun e punës, të paktën me pagë minimale.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në vend janë 14,945 individë të verbër apo me probleme të rënda të shikimit, mes tyre 265 fëmijë.
Komente









