26 shkurt, dita të kujtohet Sabiha Kasimati, shkencëtarja e parë shqiptare që u pushkatua nga Enver Hoxha

26 shkurt, dita të kujtohet Sabiha Kasimati, shkencëtarja e parë shqiptare që u pushkatua nga Enver Hoxha

Sabina Kasimati

Më 26 shkurt 1951, nën urdhrin e diktatorit Enver Hoxha, pa asnjë lloj gjykimi, u pushkatua Sabiha Kasimati, femra e parë shkencëtare shqiptare. Ajo ishte vetëm 38 vjeçe. Është ndër gratë që lanë gjurmë në fushën e shkencës, biologia Kasimati u pushkatua pas ngjarjes së shpërthimit të bombës në ambasadën sovjetike së bashku me 21 intelektualë në shkurt të vitit 1951.

U lind më 15 shtator 1912 dhe ishte e bija e dyte e doktorit Abdurrahman Kasimati (1865-1943) nga Libohova dhe të shoqes Zehra Mbreshtani. Sabiha Kasimati mbaroi Liceun e Korçës (në të njëjtën klasë me diktatorin E. Hoxha). Shteti shqiptar i akordoi bursë studimi në Universitetin e Torinos, në Fakultetin e Shkencave Biologjike, të cilin e përfundoi me sukses me notat 30′/30′, me lavdërim (trenta su trenta con lode). Në verën e vitit 1941 mbrojti edhe doktoratën. Katedra i ofroi vendin e asistentes në ihtiologjinë fluviale, por ajo nuk pranoi dhe u kthye në atdhe. Mbas disa vitesh pune me pasion, u detyrua të shkonte në Itali për kura shëndetësore në një sanatorium të Torinos

Pas shërimit, aty nga viti 1945 u kthye në atdhe. Nisi punën në Institutin e Shkencave, siç quhej atëherë bërthama e parë shkencore, që drejtohej nga prof. Selaudin Toto. Sabihaja ishte një intelektuale e kompletuar, që kishte studiuar në Perëndim, një filozofe dhe biologe që e njihte mirë thelbin dhe shfaqjen e panatyrshme e çnjerëzore të sistemit totalitar komunist, i cili po vendosej në Shqipëri. Ajo u dëshpërua thellësisht nga goditjet e rënda që po u jepeshin intelektualëve të vendit, veçanërisht atyre që kishin studiuar në Perëndim, mjaft nga të cilët ishin kolegët e saj

Gjyqet ushtarake dënonin me pushkatime dhe burgime të rënda elitën shqiptare. Ajo u trondit veçanërisht nga pushkatimi i drejtorit të saj, shkencëtarit Selaudin Toto, si edhe i intelektualëve opozitarë Gjergj Kokoshi, Suad Asllani, Sulo Klosi, Shefqet Beja, prof. Stanislav Zuberit etj, veçanërisht nga dënimi i shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari. Kështu, Sabihaja filloi të shprehte pakënaqësinë për regjimin dhe për Enver Hoxhën, shokun e saj të klasës në Liceun e Korçës. Këto pakënaqësi të saj, si edhe prejardhja nga një familje e madhe, tërësisht intelektuale dhe demokratike, bënë që emri i Sabihasë të futej në listat e zeza të Sigurimit të Shtetit si “kundërshtare e regjimit.

Sabihaja u arrestua më 20.02.1951. Ajo bënte pjesë në listën e Sektorit të Dytë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, të përpiluar nga kapiten Rasim Dedja. Përbri emrit të saj ishte vënë një kryq, që do të thoshte se ajo do të pushkatohej. Përpiluesi i listave të zeza rrëfen: “Vlerësimi për personat që do të pushkatoheshin dhe që janë pushkatuar në fakt, është bërë direkt nga udhëheqja e Ministrisë, që në atë kohë ka qenë Mehmet Shehu me dy zëvendësministrat e tij Kadri Hazbiu dhe Mihallaq Ziçishti. Them për këta të fundit, se këta mbulonin Sigurimin. Mehmet Shehu ishte ministër i Brendshëm, direkt i interesuar për ngjarjen. Ai propozoi në mbledhjen e Byrosë Politike që të pushkatoheshin pa gjyq 10-15 persona dhe Byroja ia miratoi, pra, i kishte duart e lira. Por, jo pa komandantin. Pa miratimin e diktatorit nuk bëhej asgjë. Enver Hoxha ia miratoi të gjitha veprimet dhe emrat e viktimave që kishte përzgjedhur. Por Enveri shtoi nga ana e tij emrat e Sabiha Kasimatit, Reiz Selfos, Manush Peshkëpisë, Qemal Kasoruhos, të cilët ishin nga treva e Gjirokastrës dhe ai i njihte personalisht

Për pushkatimin e saj dhe 22 intelektualëve të tjerë kishte vendosur Byroja Politike e KQ të PPSH, me vendimin e datës 20 shkurt 1951. Nuk ka shembull në gjithë vendet e Lindjes komuniste, që të vendoste për të vrarë njerëz Byroja Politike, madje, pa gjyq dhe duke shkelur edhe ligjet e asaj kohe!

Ajo nuk e pranoi akuzën për akte terroriste, për pjesëmarrje në organizata terroriste, për vënie në shërbim të agjenturave të huaja, por pranoi me burrëri se, si intelektuale, ishte kundër pushtetit totalitar dhe ideologjisë së tij komuniste: Kam qenë kundër pushtetit popullor, sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit se me akte revolucionare të arrihej në socializëm. Jam lidhur me një grup shokësh, të cilët kanë qenë armiq të Partisë Komuniste…”

Sabihaja ishte një demokrate e vërtetë europiane. Në mesnatën e datës 26 shkurt 1951, të lidhur me tela me gjemba, bashkë me 21 burra nga e gjithë Shqipëria, i pushkatuan dhe i hodhën në një gropë të përbashkët, pranë Urës së Beshirit. Fshatarët kanë dëgjuar britmat e saj, derisa dha shpirt. Eshtrat e saj sot prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në një varr të përbashkët me 22 martirët e pushkatuar atë natë të përgjakshme, shkruan Jozef Radi  në shkrimin 'Vajza e doktorit nga Libohova... si e pushkatoi Enver Hoxha shoqen e klasës"

Ne 8 mars 2018, Muzeut të Shkencave iu vu emri Sabiha Kasimati.

Në 60 vjetorin e vdekjes së saj, Presidenti i atëhershëm i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi e nderoi me medaljen 'Nderi i Kombit'

Vepra e saj shkencore, punimet në fushën e florës dhe faunës së Shqipërisë u botuan në vitin 1955 nën emrin e shkencëtarit sovjetik Anatoli Poljakoëa, si dhe të studiuesve shqiptarë Ndoc Filipi dhe Ndoc Raka. Në regjimin komunist përvetësimi i punës intelektuale ishte një fenomen që ndodhte. Sabiha dha kontributin e saj për shkencën shqiptare me punën për Muzeun e Shkencave dhe monografinë “Peshqit e Shqipërisë”.

S.G/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lindi: 26/02/2024 21:39

    Sabihaja u vrau se I bente hije Enver Hoxhes. Ishte e mirearsimuar dhe kunder komunizmit. Enver Hoxha eshte turpi I ketij kombi. Ai vrau njerzit e arsimuar dhe mblodhi rreth vetes ata qe s'dinin shkrim e kendim, cobanet besnik qe dualen malit dhe zbatonin cdo urdhet te tij.

    Përgjigju
  • Maks: 26/02/2024 19:30

    Kur ju thoni qe u pushkatua me urdher te enverit Pse nuk e sheqeroni me dekumenta dhe erdherin dhe firmen qe ka urdheru enveri Keshtu do beheni me te besueshem

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Basha akuzon se ka aleancë PS-Rithemelimi kundër SPAK, e besoni?



×

Lajmi i fundit

Kandidat për eurodeputet grek, studiuesi Ardit Bido: Sot Beleri nxori fytyrën e tij, u faktua që s’ka lidhje me Shqipërinë dhe Himarën

Kandidat për eurodeputet grek, studiuesi Ardit Bido: Sot Beleri nxori fytyrën e tij, u faktua që s’ka lidhje me Shqipërinë dhe Himarën