Ditari në Afganistan/Helmand
në zemrën e opiumit afgan

Ditari në Afganistan/Helmand <br />në zemrën e opiumit afgan
Mahmud është një djalë i ri që na pret në portën e zyrës së zv.gjeneralit të forcave afgane. I kërkoj eskortës (djemtë e NATO-s dhe ISAF që na shoqërojnë në udhëtimin tonë) t'i bëjmë një foto, por kjo, në zonën e Helmandit, afër bazës militare amerikanë dhe britanike të quajtur Camp Leatherneck, provinca e Helmandit në Afganistan, duket si një mision i pamundur, ose duhet të bëhet me shumë vështirësi. Në cdo moment mund të rrezikosh.

"Eshtë më mirë të flasësh me komandantët, ata janë më të përgatitur dhe e kuptojnë rëndësinë e gazetarëve". Por duket se Mahmud nuk e ka problem këtë. Në njërin krah ka armën që mua më ngjan është më e madhe sesa shtati i tij, ndërsa në anën tjetër mban një telefon celular nokia, dhe kërkon të bëjë foto. Do të shkrepë foto për grupin e gazetarëve që kanë vizituar kampin ku ata janë vendosur dhe u duket disi e cuditshme prezenca jonë atje. "Selam alekum" është përshëndetja e tyre kur të japin dorën. Mahmud është 22 vjeç dhe kur ka filluar kjo luftë, apo të paktën që nga koha kur trupat e koalicionit ndërkombëtar hynë në Afganistan, ka qenë fëmijë 12 vjec. Në zonën e Helmandit ku është rritur, gjatë këtyre viteve nuk ka mundur të shkollohet, por ka pasur dilemat e veta mes talebanëve që kontrollonin gjithë zonën, e mes forcave të koalicionit ndërkombëtar ISAF të cilat kërkonin të vendosnin rregullin dhe sigurinë në zonën ku talebanët ishin shumë të fortë. E përderisa gjendet sot në radhët e ushtrisë afgane, nuk do shumë të kuptohet se e ka bërë zgjedhjen e tij.

Pak prej këtyre të rinjve që u rritën në luftë dinë të flasin anglisht, ndërsa sot, shumica e ish bashkëmoshatarëve të tij ndjekin shkollat e reja që janë rindërtuar në Helmand. Edhe pse mes trupave afgane dhe atyre të ISAF duket se ka një mirëkuptim dhe "dyer të hapura" ia vlen të thuhet se kampet ndahen "rëndshëm" me tela me gjemba dhe me betone të mëdha nga njëri tjetri. Një kanal komunikimi sa për të kaluar makinat gjithsesi është funksional. Dhe mbi të ka një pllakatë të madhe të shkruar "friendship gate". Por sapo del nga Camp Leatherneck për të hyrë në kampin afgan, e sheh se në mes është vendosur një vendroje i madh i trupave të koalicionit, dhe brenda tij, mes thasëve të tërë me rërë e pllakave të betonit, qëndron një skuadër me katër a pesë marinsa amerikanë që bëjnë roje pranë një mitralozi të drejtuar nga ana tjetër. "Gjithcka ka të bëjë me masat e sigurisë për kampin ku janë vendosur trupat amerikane dhe britanike" tregon një prej Nato escort që na shoqëron në udhëtim.

Takimi me zyrtarin e ushtrisë afgane
Gjenerali Ghulam Farood Parwani na pret në një zyrë të madhe, ndërkohë që në njërën anë ulen gazetarët e në anën tjetër një rradhë e madhe ushtarakësh, të cilët vec atyre që na shoqërojnë përfaqësohen nga Drejtori i komunikimit i kampit të forcave të koalicionit dhe një tjetër ushtarak amerikan që punon si këshilltar i gjeneralit afgan Farood. Gjenerali është një mesoburrë me zë të trashë, të fortë, duket shumë autoritar. Sic thotë dhe vetë 32 vitet e fundit i ka kaluar në ushtri, dhe e konsideron veten një profesionist, një fjalë që e mbështesin edhe ushtarakët e ISAF që na shoqërojnë. Gjenerali që mban detyrën e zëvendëskomandantit të ushtrisë afgane për zonën e Helmandit na thotë se 10 vitet e fundit (pra koha kur forcat e koalicionit ndërkombëtar ndërhynë në afganistan) ka shërbyer si shef në ushtrinë afgane, dhe vetëm 3 vitet e fundit në postin e drejtuesit. Detyra e fundit që kishte kur talebanët shpërthyen dhunën dhe forcat e ISAF ndërhynë, ishte pikërisht në linjën e parë mes dy ushtrive.
Gjeneral Farood më duket si ish gjeneralët që kemi pasur në kohën e diktaturës, shumë potent dhe i fortë.

E shqetëson madje edhe një djalë I ushtrisë afgane që hyn e del për të shërbyer caj për mysafirët dhe me një vrazhdësi deri në bezdisje, i thotë atij të dalë menjëherë nga zyra, sikur të thuhen aty Brenda gjithë strategjitë e ushtrisë afgane dhe dikush kërkon ti zbulojë. Madje edhe njëherë që i ra telefoni, I kërkoi një ushtari tjetër që mban detyrën e sekretarit, që askush të mos e shqetësojë gjatë këtij takimit. Meqënëse bëra një lloj lidhje me kohën tonë të diktaturës, dhe pas sugjerimeve që duhet të isha shumë e kujdesshme në mënyrën e pyetjeve dhe reagimeve, eskortat që na shoqërojnë më thanë se kjo lloj lidhje për ta ishte pak e rëndësishme kur shohin te general Farood vullnetin për të bërë një ushtri profesionale dhe për të zbatuar me përpikmëri atë që realisht kërkojnë të bëjnë forcat e ISAF.
Me tonin e fortë të clirimit të vendit, general Farood thotë se nga 14 distrikte, vetëm dy nuk janë në kontrollin e ushtrisë afgane. "kemi tre vite që kemi pasur një punë intensive, një luftë të madhe me armikun, dhe tani kemi marrë kontrollin e Helmandit. Punojmë ngushtësisht me forcat ndërkombëtare dhe për cdo lloj operacioni, bëjmë përgjegjës forcat e ushtrisë afgane. Më parë gjithë transportin e bënim me marinsat, tani, patrullojmë vetë" thotë Farood. Gjenerali është në krye të një ushtrie prej 17 mijë vetësh, dhe sikurse duken, të gjithë janë të veshur mirë, me uniforma të ushtrisë afgane por që janë të gjitha të reja të sponsorizuara nga amerikanët. Ai thotë se duhet të ketë një koordinim më të mirë mes policisë dhe ushtrisë afgane për të mos pasur përplasje dhe për këtë punojnë ngushtë e trajnohen nga koalicioni ndërkombëtar.

Megjithatë, sipas tregimit të gjeneralit, vitin 2012 janë vrarë në luftime me armikun 150 ushtarë afganë. Armiku përmendet shpesh, përkthyesi gjithmonë përkthen enemy. Por në fakt, kush është armiku për gjeneralin Farood? Ai sigurisht e di se në Kabul e gjetkë, janë intesifikuar bisedat për të vendosur paqen mes Talebanëve dhe qeverisë afgane. Këshilltarët amerikanë që na shoqërojnë në këtë takim, kur bëhet kjo pyetje dhe nëse gjenerali është në dijeni të bisedimeve që po bën presidenti Hamit Karzai reagojnë disi me nervozitet, për të mos e përfshirë gjeneralin në cështjet politike…Por fundja, ai është gjeneral i ushtrisë afgane, dhe i ka idetë e qarta. Nuk ngurron t'i përgjigjet pyetjes sime. "Pse nuk e dini ju kush është armiku? Talebanët janë armiku ynë por ka edhe fraksione të tjera të grupeve të armatosura. Nëse vendet e huaja, - tregon gjenerali- nuk do t'i mbështesin talebanët, atëherë ata nuk do t'i rezistojnë vendosjes së rendit dhe të rregullit. Po të shohim këta armiq në raport me popullsinë që kemi këtu, ata nuk janë asgjë. Janë një përqindje fare e pallogaritshme. Ata nuk janë të organizuar, por edhe ato aksione që bëjnë i bëjnë me mbështetje të huaj. Ata këtë gjë e bëjnë kundrejt pagesave". Po cila fuqi e huaj i mbështet? Për kë ta ketë fjalën gjenerali? Ju doni të thoni general se është Pakistani që i mbështet dhe financon? - e pyes unë. Në ajër mbahet fryma sepse gjenerali dic duhet të mbajë në heshtje pa folur dhe reagimi në heshtje vjen nga shoqëruesit amerikanë të tij në këtë takim.

 "Ju e dini, jo unë, përgjigjet ai qetësisht. Po a e dini ju Gjeneral se presidenti Hamit Karzai po bën negociata me talebanët? A është ushtria afgane e gatshme të pranojë këtë lloj paqeje e akordi? "Ne jemi në favor të paqes, nëse do të duhet të bëhet kjo gjë", përgjigjet ai vendosmërisht dhe kthehet nga ana tjetër si të jetë i bezdisur nga këto pyetje për të kaluar në cështje të tjera.
Eshtë e kotë të mendohet se një gjë e tillë pritet me dëshirë. Por duket se të gjitha palët janë të detyruara. Ushtarët afganë në perceptim të përgjithshëm mendojnë se talebanët janë duke humbur shumë terren dhe mund të shkatërrohen shumë shpejt. Duhet vetëm të ndërpritet financimi për ta. Megjithatë general Farood është I bindur se ushtria afgane është e gatshme të mbrojë veten dhe territorin. Madje është ngritur edhe military training center. "jemi të gatshëm të trajnojmë edhe njerëzit tanë pas ikjes së këshilltarëve dhe forcave të koalicionit ndërkombëtar" thotë gjenerali, duke nënkuptuar vitin 2014 kur duhet të mbyllet gjithë procesi I tranzicionit nga ISAF drejt Afganistanit.

Rikthim në bazë
Sapo kalon portën e "miqësisë" duket në fakt se hyn në një ushtri profesioniste dhe të organizuar. Janë bazat e koalicionit në Helmand, një bazë e vendosur pothuajse në shkretëtirë. Në qiell është e vendosur një balonë fluturuese. Qëndron aty për disa arsye: e para përdoret si një lloj sateliti që kontroll gjithë bazën ku janë të vendosur marinsat amerikanë e britanikë, dhe tjetra, ka aftësinë dhe fuqinë për të shmangur a evidentuar cdo lloj rakete tokë tokë a tokë ajër që mund të vij nga ndonjë sulm I befasishëm. Dhe sulme të tilla në bazën e Leatherleck kanë ndodhur edhe kohët e fundit, por vetëm në hyrje, pa mundur të depërtohet Brenda. Pikërisht aty është aeroporti. Sipas të dhënave që në fakt ndryshojnë nga dita në ditë, mund të ketë afërsisht 20 fluturime helikopterësh në ditë, dhe në çdo fluturim në cdo qoshe të provincës Helmand mund të lëvizin afërsisht 400 apo 500 ushtarë, marinsa amerikanë apo forca britanike. Për më tepër që ka ulje ngritje avionësh shumë shpesh, që do të thotë se baza duhet të jetë shumë e mbrojtur.
E vec kësaj, biseda zhvillohet në zyrën e një tjetër komandanti, zv.komandantit Stuart Skeates që drejton forcat e koalicioni. Ai është britanik me origjinë, por është i vendosur pranë marinsave amerikanë. Strategjitë, të dhënat, vizioni, disiplina, sigurisht kanë një diferencë e ndryshim shumë të madh nga ato që pamë në anën afganistane. Zv.koma ndanti Skeates drejton 18 mijë trupa në këtë bazë, po aq sa ato të ushtrisë afgane.

Dhe duhet thënë se kjo shifër është e llogaritur vetëm për këtë vit, sepse vitet e kaluara në këtë qendër, në tendat dhe kampin e ngritur aty kanë qëndruar mbi 40 mijë ushtarë të forcave të koalicionit. Zv.komandanti Skeates ka drejtuar operacione në Ballkan, Irak, Arabi Saudite, Kuvajt, Afganistan dhe pas gjithë këtyre misioneve, tani që po vjen fundi i këtij misioni, thotë me bindje se tani në Afganistan, askush nuk flet për sigurinë e jetës, por për hapjen e mundësive për punë dhe për energjinë elektrike. Për këtë, trupat e koalicionit, kanë ngritur grupe të ndryshme dhe kanë bërë shumë analiza. "Ja të marrim një shembull"-, tregon zv.komandanti Skeates për zonën e Sangin. Nga viti 2011 në 2012 kanë rënë sulmet dhe është rritur stabiliteti. Forcat afgane të sigurisë po e bëjnë shumë mirë punën e tyre" tregon ai. D.m.th. komandant, e pyes unë, ju doni të thoni se tani që forcat afgane kanë marrë në dorëzim zonën, po bëjnë punë më të mirë se ju? Pra kanë shifra më të mira sesa kontrolli juaj në këtë zonë? Zv.komandanti Skeates vë buzën në gaz duke kuptuar sensin e pyetjes dhe duke shpjeguar se "të dhënat tregojnëse forcat afgane kanë arritur të ruajnë stabilitetin e krijuar në këto vite". Zoti Skeates sqaron se do të jenë në provincën e Helmandit edhe në vitin 2014 kohë në të cilën do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale por ndërkohë që në fund të këtij viti të gjitha forcat do të jenë larguar. "Jam shumë i bindur se deri në fund të qëndrimit tonë këtu trupat afgane do të bëjnë gjithçka për të përmbushur detyrën e tyre.

E pyes zv.komandantin se kam lexuar në Wikipedia që zona e Helmandit është e shquar për prodhimin e opiumit, 75 për qind e opiumit botëror prodhohet në këtë zonë dhe se më është krijuar bindja dhe përshtypja se për shkak të këtij fenomeni talebanët nuk e lëshojnë zonën e përpjekjet apo incidentet janë më të mëdha. "Po trafikimi i drogave është shqetësues, por ju garantoj se shifrat janë ulur shumë. Duhet ta dini se edhe guvernatori i kësaj zone e ka kuptuar se kjo nuk është zgjidhja. E mandej, nga kontrolli që është vendosur mbi territorin, e sidomos në pjesën e lumit, u duhet shumë rrugë e gjatë për të kaluar apo transportuar, që në fakt u rrit kostot"-thotë zv.komandanti Stuart Skeates. Jashtë zyrës ku bëhen planet e merren vendimet, duhet thënë se flitet shumë për opiumin dhe prodhimin e saj dhe mënyrën sesi talebanët punojnë me familjet vendase, të cilat, në varfëri të tejskajshme për lekë bëjnë gjithcka për të prodhuar opium. Kështu në disa raste talebanët u japin familjeve në dorë para, pa u kërkuar gjë. E kur vjen puna për shlyerjen e borxheve të dhëna paraprakisht, u kërkojnë familjeve të mbjellin e rrisin opium. E mandej tu marrin prodhimin për ta shitur. Kështu duhet të luftohet me familjet. A nuk na duket familjare kjo situatë , njëlloj si në Lazaratin shqiptar?

Për zv.komandantin Stuart Skeates, shumica e talebanëve gjenden në Pakistan. "Por kanë një numër të konsiderueshëm në Helmand, që janë të trajnuar mirë dhe që janë të motivuar se luftojnë në emër të Xhihadit. Megjithatë, duhet theksuar se situata është në kontroll dhe forcat e sigurisë po bëjnë gjithçka për ta mbajtur në kontroll. "Ne jemi duke punuar më shumë në çështjet sociale, në çështjen e forcimit të rendit, ligjit, vendosjen e drejtësisë të cilat duhet të kenë një prioritet dhe vëmendje maksimale".

Sipas të dhënave që marrim në headquarter të Helmandit, që nga viti 2008 janë hapur 80 për qind e shkollave dhe janë ndërtuar 86 shkolla të reja. Janë shtruar 52 kilometra rrugë dhe 106 kilometra të tjera janë duke u punuar në vazhdim. Vazhdon shpërndarja e valëve të celularëve, dhe tani 1 e treat e popullsisë mban celularë. Në qendrën Lashkar Gah merret informacioni se zyrtarët qeveritarë të kësaj zone mund të lëvizin lirshëm në pesë distriktet e Helmandit. Nga 14 distrikte që ka kjo provincë, 12 prej tyre janë në kontrollin e zyrtarëve afganë. Numri i gjyqtarëve është dyfishuar ndërkohë që është rritur me 80 përqind numri i prokurorëve të trajnuar. Janë shtuar qendrat e shëndetit dhe që nga viti 2008 janë ngritur 21 të reja. Të ardhurt e familjeve sipas raportit të ISAF janë rritur me 20%, ndërkohë që prodhimi i kokainës (poppy) është reduktuar me 40% nga 103.000 ha në 63.000 hektarë.

Sa i përket sulmeve? Vitin 2012 janë numëruar vetëm 12 të tilla kundër forcave të sigurisë. Por a do të mundet dot që në këto dy vite derisa forcat e koalicionit ndërkombëtar të largohen të ruhet kjo lloj paraqitje të dhënash? Zv.komandanti britanik Stuart Skeates mendon se pod he kjo do të jetë e vetmja zgjidhje për të bërë këtë vend të ecë sikurse gjithë të tjerët.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 14 dhjetor 2014
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Liverpool 'shkërmoq' Tottenhamin, e mposht 3-6 në Londër! Të kuqtë kryesojnë Premier League

VIDEO/ Liverpool 'shkërmoq' Tottenhamin, e mposht 3-6 në Londër! Të kuqtë kryesojnë Premier League