Ditari politik sekret i Enver Hoxhës: Kenedi mbrëmë provokoi përsëri Kubën duke shpifur se gjoja avionë kubanë kanë sulmuar një anije peshkimi amerikane në ujërat e Floridës

Ditari politik sekret i Enver Hoxhës: Kenedi mbrëmë provokoi përsëri Kubën duke shpifur se gjoja avionë kubanë kanë sulmuar një anije peshkimi amerikane në ujërat e Floridës

Memorie.al/publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), ku ndodhet edhe fondi personal i ish-udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, diktatorit Enver Hoxha, në ditarin e tij politik që i përket periudhës qershor 1961, nëntor 1963, ai ka mbajtur shënime dhe ka analizuar disa nga ngjarjet kryesore të asaj periudhe, si: takimi i Nikita Hrushovit me Xhon Kenedin në Vjenë, raportet e acaruara të Tiranës zyrtare me Moskën, pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve dhe tërheqjes së ambasadorit rus nga Tirana, në nëntorin e 1961-it, (sipas Enverit, ambasada sovjetik kishte një personel me mbi 80 veta dhe të gjithë merreshin me spiunazh), ardhja në Shqipëri e delegacioneve tregtare të Çekosllovakisë, Republikës Demokratike Gjermane dhe Rumanisë, (të cilën Enveri e shikonte si një ndjesë të tyre, ndaj Shqipërisë), bisedat e Enverit me Ramiz Alinë, për një artikull në “Zëri i Popullit”, në lidhje me mbledhjen e Sofjes mbi “mirëkuptimin ballkanik”, raportet e marrëdhëniet e Partisë së Punës së Shqipërisë, me Partinë Komuniste të Kinës dhe disa nga Partitë Komuniste të Evropës e më gjerë, klima e acaruar politike ndërmjet SHBA-vë dhe Kubës së Fidel Kastros, (që gati u shndërrua në një konflikt ushtarak, në mes tyre me krizën e raketave në “Gjirin e Derrave”) dhe roli i Bashkimit Sovjetik në atë konflikt, që sipas Enverit e la Kubën në baltë. Vizita e Josif Broz Titos në Moskë dhe raportet në mes dy vendeve, fillimi i provave atomike nga ana e SHBA-ës, biseda telefonike midis Hrushovit dhe Kenedit, lirimi nga ana e sovjetikëve të një spiuni amerikan, e deri tek vrasja e presidentit të SHBA-ve, Xhon Kenedi më 22 nëntor 1963, si dhe komentet që bën Hoxha, rreth asaj ngjarje që tronditi të gjithë botën!

itari politik i Enver Hoxhës

E ENJTE 1 NËNTOR 1962

MIKOJANI SHKON NË KUBE, QE TE MASHTROJE KASTRON

Anastas Mikojani, tregtar i Bashkimit Sovjetik, tregtar i parimeve dhe udhëheqës i sa e sa komploteve kundër popullit sovjetik e, kundër popujve të tjerë, personi që na tha hapur, në Moskë, se kishin menduar ta vrisnin, shkoi në Kubë. Vajtja e tij te Kastroja, ka për qëllim ta zbutë këtë në qëndrimet e tij të drejta, kundër imperialistëve amerikanë. Mikojani, me demagogji me premtime, me shantazhe dhe me kërcënime, synon të ulë përshtypjen e keqe që ka bërë tradhtia e Hrushovit, duke iu përkulur Kenedit, duke lënë Kubën në baltë.

Që të mos diskreditohet më tej, me fjalën që Hrushovi i ka dhënë Kenedit, se do të lejojë kontrollin e zhvendosjes së raketave, Mikojani vete në Kubë, ta gënjejë Kastron, ta bindë këtë të lejojë kontrollin amerikan, qoftë edhe në portet kubane, kur raketat do të imbarkohen, në anijet sovjetike. Por Kastroja, s’do të pranojë. E vumë në dijeni Kastron, se ç’poshtërsi ka bërë Mikojani në Moskë, kundër nesh e kundër të tjerëve.

E SHTUNE 17 NËNTOR 1962

MIKOJANI VAZHDON PRESIONET DHE INTRIGAT NË KUBË

Mikojani, tregtari armen, vazhdon intrigat e tij në Kubë. Ai ka shtruar atje postin, me paturpësinë më të madhe. Ne e marrim me mend se ç’flet, ç’premton, ç’kërcënon ai në Kubë, pse e kemi provuar në kurrizin tonë. Por nga ne, hëngri grushte turinjve, kështu po ha ai edhe në Kubë. Mikojani, s’po e nënshtron dot Fidelin. Mikojani shkoi në Kubë, për të kontrolluar imbarkimin e shpejtë të raketave, nën kamxhikun e Kenedit, që t’i heqë këto sa më shpejt dhe të vejë pastaj, t’i nderet në këmbë Kenedit. Nga Kuba, ai përgatit takimin me padronin e Uashingtonit, për të komplotuar në kurriz të Kubës, ashtu si kundër Kinës e Shqipërisë, kundër gjithë lëvizjeve revolucionare.

E ENJTE 22 NËNTOR 1962

HUNGARIA PO ECËN DREJT GREMINËS

Po vërtetohet parashikimi ynë. Në kongresin e “eftash” Kadarit, këtij revizionisti dhe likuidatori me damkë, vazhdojnë me stil më të egër sulmet kundër nesh. Këtë herë u sulmua hapët edhe Partia Komuniste e Kinës, pse na mbron ne dhe sikur gjoja nuk e kupton situatën ndërkombëtare, etj. Kurse “eftash” Kadari, e kupton “shumë mire”. Në fjalimin e tij, u tregua aq servil, sa të flasë për rehabilitimin e kundërrevolucionarëve, etj.

Ai me këtë i thotë Kenedit, se regjimi në Hungari, u liberalizua. Dhe në fakt u bë “Balli Kombëtar”. Shtypi borgjez, për këtë e lavdëron. Hungaria ecën drejt liberalizimit, drejt kapitalizmit. Sa do të donte të bëhej si Austria, neutrale, “e fortë” dhe, pse jo, e bashkuar me të si qëmoti, në historinë e tyre. Do të vijë dita që Kadari, do t’i kthejë krahët edhe ballistit Hrushov. Gjithkush për vete.

E ENJTE 6 DHJETOR 1962

TITOJA SHKON NE MOSKE

Në një kohë kur Titoja dhe banda e tij “po lahen e po lyhen”, në kongreset e revizionistëve, ai u nis me pompë për në Moskë. Rehabilitim i plotë ose më mirë me thënë, urdhrat dhe dëshirat e Titos, po vihen në jetë me përpikëri të madhe. Titoja, i shoqëruar nga hosanatë e kongreseve revizioniste, shkon triumfator në Moskë. Kjo është një vënie në skenë, si në teatër. Imperializmi ia dha tash Titos të 108 milionë dollarët, për punën e tij të fundit, të tjerat do të vijnë pas dhe do të jenë bakshishe të majme. Imperialistët amerikanë, presin shumë nga udhëtimi i Titos, i cili i ka plot xhepat me këshillat dhe variantet e Kenedit. Në kthimin e tij nga Moska, revizionistët do të presin me padurim veprimet e këtij “Mesiu”, që do të sjellë “martirët” amerikanë, për zagarët.

Udhëtimi i Titos në Moskë, do të bëjë ndryshime të mëdha në gjendjen, pse ai, si përfaqësues i autorizuar i imperializmit amerikan, ka vajtur atje për pazarllëqe. Pas kësaj, ne, me siguri, do të asistojmë në një varg koncesionesh tradhtare të Hrushovit, ndaj imperializmit amerikan. Çështja e Traktatit të Paqes me Gjermaninë, do të varroset, muri i Berlinit mund të prishet, për t’i dhënë siguri më të mëdha Kenedit, lufta kundër nesh dhe Kinës, do të ashpërsohet, India do të ndihmohet me grushte, po edhe Titoja do të marrë thela të mëdha, me të dy duart dhe nga të dy anët. Do të thellohet, gjithashtu, degjenerimi i partive komuniste e punëtore të Evropës dhe të vendeve kapitaliste, do të forcohen klikat në udhëheqje, do të zhvillohet terrori, do të pasurohen disa kategori njerëzish dhe shtresash, do të degjenerohet ca më keq ndërtimi i socializmit, do të krijohet kaos, do të ecet në rrugën titiste, drejt kapitalizmit. Ky është plani Hrushov – Tito – Kenedi.

E ENJTE 13 DHJETOR 1962

HRUSHOVI PËRPIQET TE SHPJEGOJE TRADHTINË E TIJ

Dje në sesionin e Sovjetit Suprem të Bashkimit Sovjetik, Hrushovi mbajti një fjalim mbi gjendjen ndërkombëtare dhe politikën e jashtme sovjetike. Në presidiumin e mbledhjes, ai kishte në krah vëllanë dhe shokun e tij të ngushtë, tradhtarin Tito. Fjalimi i tij i gjatë, kishte për qëllim kryesor të shpjegonte gjerë e gjatë (në fakt të mos e shpjegonte) tradhtinë e tij, tërheqjen e tij përpara forcës së imperializmit amerikan. E tërë çështja qëndronte në atë, që të lahej dhe të shpëlahej, të shlyente dhe të zhdukte përshtypjen e rëndë dhe turpin e madh, që i shkaktoi Bashkimit Sovjetik. Por ai s’mundi dhe nuk do të mundë ta bëjë dot kurrë, këtë. Këtë temë dhe këtë qëllim, ka adoptuar tash gjithë kori revizionist.

Tërheqjen e raketave nga Kuba, Nikita Hrushovi e paraqiti si një fitore, si një rrugë të çelur (me një katastrofë) për fitore të reja (kompromise dhe lëshime të reja skandaloze). Qëllimi i dytë i fjalimit, ishte rehabilitimi i plotë, në mënyrë të bujshme dhe zyrtarisht, i renegatëve titistë, si për anën shtetërore, por sidomos për anën ideologjike. Të gjitha maskat, ai i hoqi në këtë çështje. Parashikimet e Partisë së Punës të Shqipërisë, u vërtetuan. Hrushovi sulmoi si zakonisht, dhe pa asnjë argument, Partinë e Punës të Shqipërisë dhe udhëheqjen e saj. Ai ia bëri shumë qejfin Titos.

Sulmoi gjithashtu, hapët dhe në mënyrë të maskuar, shokët kinezë dhe politikën e Partisë Komuniste të Kinës. Çdo ditë duken qartë qëllimi tradhtar i grupit revizionist hrushovian, përçarja e kampit, formimi i bllokut revizionist ndërkombëtar, afrimi i dukshëm dhe i ethshëm me imperializmin amerikan, përpjekjet nga ana e Hrushovit, për t’i dhënë sa më shumë fakte dashamirëse Kenedit, që ujditë që do të arrijnë me agjentin e tij Tito, të mirëpriten nga Kenedi. E ardhshmja do të sqarojë çdo intrigë, çdo plan kapitullues të tyre.

E ENJTE 27 DHJETOR 1962

HESHTJE VARRI NË POLITIKËN E JASHTME KINEZE

Heshtje varri në politikën e jashtme kineze! Hrushovi, Titoja, Kenedi, po bëjnë pazarllëqe të fshehta dhe do të shohim ku dhe si do t’i dalë tymi kësaj çështjeje. Kinezët po heshtin dhe si duket, kanë vendosur të mos i përgjigjen Hrushovit. Kinezët, nëpërmjet partive komuniste e punëtore, që qëndrojnë në pozita të mesme, të lëkundshme, po bëjnë përpjekje për t’ia arritur thirrjes së një mbledhjeje, të partive komuniste e punëtore të botës.

Këta “aleatë”, të lënë kur të duash në mes të rrugës dhe janë për mbledhje kompromisi, alla Ho Shi Min. Një mbledhje të tillë Hrushovi është në gjendje ta bëjë kur të dojë dhe këta “aleatë” do të jenë kurdoherë nga ana e tij. Por ajo që kërkon më shumë ai është likuidimi i Partisë së Punës të Shqipërisë dhe gjunjëzimi i Partisë Komuniste të Kinës. Në këtë drejtim Hrushovi, lufton të krijojë kushtet, kurse Kina tërheq, si të thuash, këmbën zvarrë në këtë çështje.

E HËNË 31 DHJETOR 1962

TRADHTI E RENDE NDAJ PARIMEVE MARKSISTE

Në letrën që Hrushovi i dërgoi këto ditë Adenauerit, në një mënyrë aspak të denjë për një udhëheqës kryesor të Bashkimit Sovjetik, e njofton gjermanin, se mbështet “politikën paqësore të Papës së Vatikanit”. Ç’skandal! Tradhti ndaj parimeve marksiste! Politika “paqësore e Papës”, që do të thotë “paqja e Krishtit”, nuk është tjetër politikë veçse luftë kundër komunizmit, kundër ateizmit, kundër luftës së klasave, kundër shkencës dhe pro obskurantizmit, kundër ndryshimit të kapitalizmit botëror, përkundrazi, për forcimin e tij mbi kurriz të punëtorisë dhe të masave të gjera të popullit.

Këtë politikë të Vatikanit, kësaj agjenture të tmerrshme kapitaliste, përkrah botërisht Nikita Hrushovi. Ky, sigurisht, është peshqeshi më i bukur, që i bën ai kapitalizmit botëror, është buqeta me lule revizioniste e Hrushovit, për Papën dhe për Kenedin, për Vitin e Ri 1963.

E MËRKURË 2 JANAR 1963

MBI VAJTJEN E TITOS NE MOSKE DHE PLANET E REVIZIONISTEVE

Shënime

Vajtja e Titos në Moskë, gjatë muajit dhjetor (1962), nuk ishte për pushime, por për të hartuar dhe për të vënë në zbatim, një plan të tërë pune, kundërrevolucionare, për të minuar kampin e socializmit, për të luftuar komunizmin, për të ndihmuar imperializmin.

  • Rehabilitimi i plotë i klikës titiste a) Fushata e madhe parapërgatitore. U bënë shkëmbime të panumërta delegacionesh karakter të ndryshëm dhe nga republika të ndryshme të Bashkimit Sovjetik dhe të vendeve të demokracisë, popullore të Evropës. Qëllimi: normalizimi gjoja në rrugë shtetërore i marrëdhënieve me Jugosllavinë. Fjala e Hrushovit në Bullgari, hapi një rrugë të re afrimi me Jugosllavinë. b) Vajtja e Brezhnjevit në Jugosllavi. Bisedimet Brezhnjev – Tito, kanë për qëllim çarjen e akullit për satelitët e tjerë, që të mos hezitojnë më në të ardhmen, të mos kenë më turp ta mbështetin hapur bashkimin me titistët.

Hrushovi, me dërgimin në Beograd të “kapiten Leonidhës”, vë në vend “prestigjin” e Titos dhe e merr atë në mbrojtje. Brezhnjevi përgatit bisedimet e ardhshme të bujshme të Moskës. c) Afrimi i hapur i udhëheqësve të partive komuniste dhe punëtore të vendeve të Demokracisë Popullore të Evropës, etj., me klikën titiste. ç) Delegatë të Titos, thërriten të marrin pjesë në punimet e Kongresit të Partisë Komuniste Italiane. Kjo bëhet për herë të parë. Iniciativën për këtë, e merr një parti që s’është në fuqi dhe as në kamp. Këtë iniciativë, do ta ndjekin parti të tjera që janë në fuqi dhe në kamp. Me siguri kjo do të ngjasë.

  • Hrushovi u imponoi sovjetikëve praninë e Titos në Sovjetin Supremi a) Fjalim i ndyrë i Hrushovit kundër nesh, sulmues kundër Kinës, përkëdhelës ndaj Titos, dashamirës ndaj Kenedit. b) Midis hrushovianëve dhe titistëve nuk ka më kontradikta, qoftë ideologjike, qoftë politike. Çdo gjë puqet, të tjerat që thonë Hrushovi dhe Titoja, janë blofe, janë hi syve. c) Marrëveshjet e fshehta të Moskës, ndërmjet krerëve revizionistë, pa asnjë dyshim do të zbulohen, do të duken në jetë e në praktikë. d) Ata, pa dyshim, kanë komplotuar kundër pavarësisë së vendit tonë. Këtë do ta vërtetojë koha.

Titoja ndërmjetës kryesor pranë Kenedit

  • Titoja është ura që lidh Kenedin me Hrushovin, që çon e sjell mesazhe. Ai është agjenti më i kualifikuar i imperializmit amerikan, që ka marrë përsipër çuarjen e Hrushovit në gjunjë përpara Kenedit. Titoja zhvillon tratativat e ujdisë dhe të kompromiseve të turpshme, mbi të gjitha problemet ndërkombëtare që nuk kanë gjetur zgjidhje dhe që “do të gjejnë zgjidhje”, vetëm me kapitullimin e Hrushovit, përpara imperialistëve. Roli agjenturor në shkallë ndërkombëtare i Titos. Titoja përçarës i kampit socialist, përçarës i unitetit të lëvizjes komuniste ndërkombëtare, përçarës i Bashkimit Sovjetik dhe frymëzues i reformave hrushoviane në Bashkirnin Sovjetik.

Bisedimet Tito-Hrushov

  1. Bisedimet midis tyre u zhvilluan me sukses. Këtë e tregojnë fjalimet e dy tradhtarëve të marksizëm-leninizmit. Të dy ata në këto bisedime përcaktuan rrugën që do të ndiqet nga revizionizmi modern. a) Likuidimi i fitoreve të socializmit në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e Demokracisë Popullore të Evropës, ane përjashtim të Shqipërisë, së cilës do t’i marrin të keqen.
  2. b) degjenerimi i Partisë Kamuniste të Bashkimit Sovjetik dhe të partive të tjera komuniste dhe punëtore në botë. c) Lufta për të arritur përçarjen e kampit për “likuidimin e blloqeve ushtarake”, afrimin me imperializmin, duke kapitulluar në çdo gjë përpara tij. ç) Përgatitja e luftës kundër Partisë së Punës të Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Shqipërisë, kundër Partisë Komuniste të Kinës dhe Republikës Popullore të Kinës dhe partive të tjera që qëndrojnë në pozita marksiste-leniniste.
  3. Miqtë e Hrushovit po i mbajnë ison, por jo të gjithë njësoj, pse disa akoma hezitojnë që të dalin krejt haptazi. Por, edhe atyre do t’u dalë ajo pak frikë që u ka mbetur. Në kongreset e partive komuniste të Evropës, që po mbahen, neve na sulmojnë me furi dhe buzëqeshin e flirtojnë me imperialistët, derisa të vijë dita, që të flenë në një shtrat me ta. Partia jonë, po lufton me vendosmëri për t’i demaskuar këto tradhti, për të mbrojtur marksizëm-leninizmin, unitetin e lëvizjes komuniste ndërkombëtare. Fitorja është jona, është e marksizëm-leninizmit.

E ENJTE 3 JANAR 1963  

KASTROJA DËNON IMPERIALIZMIN AMERIKAN

Dje, me rastin e 4-vjetorit të çlirimit të Kubës, Fidel Kastroja mbajti një fjalim të gjatë. Deri tash kam lexuar vetëm një përmbledhje të dhënë nga agjencia Hsinhua. Fjalim i mirë. Kastroja, si me kamxhik, u bie turinjve imperializmit amerikan dhe Kenedit, të cilin e quan kryepirat. Ai demaskon me trimëri banditët amerikanë dhe thotë se; s’mund të ketë asnjë besim ndaj imperializmit. Rëndësi ka edhe vetë mënyra e ndërtimit të fjalimit, ku, duke demaskuar presidentin amerikan Xhon Kenedi, pa i zënë në gojë, demaskon edhe Nikita Hrushovin dhe të dërguarin e tij, Anastas Mikojanin, demaskon pacifizmin e këtyre revizionistëve dhe u bën thirrje popujve të Amerikës Latine të ngrihen në revolucion.

E HËNË 21 JANAR 1963 

TËRHEQJE E TURPSHME

Tradhtari Nikita Hrushov, pranoi sot kontrollin ndërkombëtar në tokën e Bashkimit Sovjetik, për provat atomike. Ky është një koncesion tjetër i turpshëm, një zbythje tjetër përpara Kenedit dhe imperializmit amerikan. Pas kësaj, me siguri, amerikanët do të i kërkojnë lëshime të tjera dhe Hrushovi do t’i bëjë ato. Në fakt, Kenedi deklaroi se në përgjithësi, është i kënaqur nga ky lëshim i Hrushovit, por la të kuptojë, se ka kërkesa të mëtejshme. Për këtë ne s’kemi dyshim.

E DIEL 3 SHKURT 1963

KENEDI RIFILLOI PROVAT ATOMIKE NEN DHE

Një disfatë tjetër për Hrushovin dhe një vërtetim i ri për vijën tonë të drejtë. “Njeriu i mire” i Hrushovit, Kenedi, po vazhdon, dhe s’ka si të jetë ndryshe, garën e armatimeve dhe të shantazhit atomik. Ai shpalli fillimin e provave atomike, nën dhe. Sigurisht, Kenedi, pas kësaj, do t’i kërkojë Hrushovit që të lëshojë akoma, dhe ai do të lëshojë, patjetër, sepse rruga e tij është caktuar.

Ai tashmë ka hyrë në kthetrat e Kenedit. Tok me deklaratën e rifillimit të provave atomike, imperialistët amerikanë kanë ngritur dhe, sigurisht, do ta bëjnë fushatë çështjen e qeverisë në Kubë, të 17.000 ushtarakëve sovjetikë dhe tërheqjen e tyre. Kësaj amerikanët, do t’ia arrijnë me lehtësi, pse Nikita ka fjalë shumë, bubullon, por është frikaman. Nga ana tjetër, duke i tërhequr raketat që ka në Kubë, Hrushovi bën që ato të mos përvetësohen nga kubanezët.

E MËRKURE 20 SHKURT 1963

LËSHIM I RI PËRPARA PRESIONEVE TE IMPERIALIZMIT AMERIKAN

Agjencitë e huaja të lajmeve, bëjnë të ditur se Hrushovi ka njoftuar Kenedin, se do t’i tërheqë të 17.000 ushtarakët sovjetikë nga Kuba. Nga një anë, kjo është një disfatë e re për Hrushovin, pse i nënshtrohet diktatit të Kenedit, por, nga ana tjetër, qërohen ferrat nga këmbët e Kastros.

E PREMTE 22 SHKURT 1963

SHENIME

Kenedi mbrëmë provokoi përsëri Kubën, duke shpifur se gjoja avionë kubanë, kanë sulmuar një anije peshkimi amerikane në ujërat e Floridës.

E MARTE 19 MARS 1963 

LËVIZJE TË MËDHA DIPLOMATIKE NE BRIONI

Katër herë brenda një muaji, Titoja ka pritur ambasadorin sovjetik në Jugosllavi, të alternuar me një pritje të ambasadorit amerikan. Flitet se Titoja, po përgatit një takim Hrushov-Kenedi. S’më besohet, por, po të ngjasë kjo, do të jetë shumë demaskuese. Titoja, sigurisht, përpiqet ta futë më thellë në llum Hrushovin.

Për ta komprometuar Hrushovin akoma më shumë, ai i lutet Kenedit, t’i bëjë ndonjë koncesion të parëndësishëm, se u diskreditua, natyrisht, duke i kërkuar që ai të forcojë luftën kundër Kinës e kundër nesh, si dhe zinxhirët ideologjikë dhe ekonomikë mbi satelitët e vet, që janë në krye të ish-Demokracive Popullore.

Titoja ecën në atë mënyrë që ta detyrojë Hrushovin, t’i vërë plotësisht në zap satelitët e tij, që këta të mos lëvizin për asgjë. Në fakt, Kadari tash ecën plotësisht në rrugën e tyre. Gomulka është me ta, por ka halle brenda, Zhivkon e kanë qehaja, po popullin bullgar, jo.

E SHTUNE 6 PRILL 1963 

LINJE DIREKTE TELEFONIKE, MIDIS HRUSHOVIT DHE KENEDIT

Sot u shpall se midis Hrushovit dhe Kenedit u vendos linja direkte telefonike. Këtë linjë, amerikanët e quajtën “Linja e shpresës”. Në fakt, ajo është një fitore e imperialistëve amerikanë, pse tash e tutje, të dy banditët ndërkombëtarë, mund të bisedojnë fshehurazi dhe të komplotojnë kundër komunizmit e popujve liridashës./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje