Ditmir Bushati: Tri mësime nga Franca

Ditmir Bushati: Tri mësime nga Franca

Fushata e Emmanuel Macron

Emmanuel Macron u rizg jodh President i Francës. Ai është Presidenti i tretë në Republikën e pestë që zgjidhet për një mandat të dytë pas François Mitterrand në vitin 1988 dhe Jacques Chirac në vitin 2002, dhe i pari që zgjidhet jashtë sistemit të “bashkëjetesës”, karakteristikë e sistemeve gjysmëpresidenciale, si Franca. Shumë e kishin parashikuar fitoren e tij në raundin e dytë të zgjedhjeve përkundrejt kandidates se ekstremit të djathtë, Marine Le Pen. Sidomos kur veterani i së majtës radikale, Jean-Luc Mélenchon, u rendit i treti, duke rrëmbyer shumicën e zemrave të të rinjve francezë, me një axhendë të qartë te çështjet e mjedisit dhe barazisë së mundësive. Ashtu sikurse Jean-Marie Le Pen në vitin 2002 dhe Emmanuel Macron në vitin 2017, duhet thëne se figura dominuese e këtyre zgjedhjeve ishte Jean-Luc Mélenchon.

Mësimi i parë nga zgjedhjet presidenciale është krijimi i një konfiguracioni të ri politik me tre blloqe kryesore: qendra, e majta antikapitaliste dhe e djathta ekstreme. Epoka e alternimit të pushtetit ndërmjet republikanëve dhe socialistëve, karakteristikë e Republikës së pestë Franceze, mori fund. Fakti që më shumë se 40% e votave shkuan për të djathtën ekstreme nuk është një paralajmërim i mirë për zgjedhjet e ardhshme. Me qendrën e majtë dhe qendrën e djathtë të shkatërruar, Macron kandidoi në raundin e parë si i djathtë dhe në raundin e dytë si i majtë, duke e pozicionuar veten si të vetmin opsion. Partitë tradicionale franceze menduan se kishin fituar betejën e ideve, por në fakt rezultuan të paaftë për të mbrojtur vizionin e tyre për shoqërinë. Frustrimi për mungesën e ofertave lexohet edhe te numri i lartë i abstenimeve. Në fakt, më shumë njerëz abstenuan (mbi 13.6 milionë) sesa votuan për Le Pen (rreth 13.3 milionë). Po kështu, Macron u rikonfirmua si President jo vetëm nga votat e mbështetësve të tij, por edhe të atyre që me votën ndaj Macron në raundin e dytë synonin frenimin me çdo kusht të Le Pen.

Konfigurimi i ri politik do të testohet në zgjedhjet parlamentare të qershorit. Ky konfigurim ngjan me vitet e para të periudhës së Luftës së Ftohtë, ku një grup partish të grupuara rreth qendrës qeverisën Francën për një periudhë të shkurtër përballë opozitës që vinte nga radhët e Golistëve dhe komunistëve. Për shkak të destabilitetit politik, kjo qeverisje ishte afatshkurtër, çka i hapi rrugën krijimit të Republikës së pestë në vitin 1958.

Precedenti historik është i rëndësishëm për të shpjeguar situatën aktuale që përjeton skena politike franceze, përtej tundimit për ta përshkruar atë si “momenti i populizmit”. Partitë e ekstremit të majtë dhe të djathtë kanë një traditë të rrënjosur në kulturën politike franceze. Kështu, lëvizja e Le Pen e ka origjinën te nacionalizmi francez i shekullit të 19-të, që mori jetë gjatë Republikës së Tretë. Formacioni politik i Mélenchon frymëzohet te tradita demokratike socialiste dhe ajo internacionaliste, te revolucionet e 1789-ës dhe 1848-ës dhe Komunës së Parisit. Ndërkohë që rrënjët e liberalizmit të Macronit duhen kërkuar te forca dominuese intelektuale e politikës franceze në mes dhe fund të shekullit të 19-të.

Vështruar në këtë kontekst, zgjedhjet parlamentare të qershorit do të jenë edhe testi i parë për konfigurimin e ri politik. Aty do të kuptojmë më qartë nëse qeveria e ardhshme do të zbatojë planet e Macron apo do të ketë “bashkëjetesë”, ku Presidenti përfaqëson një parti, ndërsa Kryeministri dhe qeveria vijnë nga një parti tjetër.

Mësimi i dytë ka lidhje me rëndësinë që mjedisi dhe tranzicioni ekologjik po marrin dita-ditës në skenën politike. Kur Macron u zgjodh për herë të parë President në vitin 2017, partitë popullore ishin forca dominuese në Europë, ndërkohë që socialistët ishin në tkurrje për shkak të avancimit të partive dhe lëvizjeve politike të majta me agjendë të qartë në fushën e mjedisit. Sot, partitë popullore nuk janë në qeverisje në asnjë prej katër shteteve më të mëdha të BE-së. Ndërkohë që socialistët, megjithëse në koalicion, janë në betejë përfaqësimi politik e programor me partitë e gjelbra. Zgjedhjet e fundit parlamentare në Slloveni, krahas atyre vendore në disa shtete të tjera të Europës Qendrore dhe Lindore, po tregojnë se çështjet e mjedisit dhe raportit me ekonominë dhe jetën në përgjithësi po mbizotërojnë debatin publik nga qendra në periferinë e Europës.

I shtrënguar nga nevoja për të siguruar mbështetjen e votuesve që në raundin e parë votuan Mélenchon, i cili dallohej nga të gjithë kandidatët e tjerë për përparësinë që i dha çështjeve të mjedisit, Macron kuptoi pulsin e shoqërisë duke premtuar transformimin e Francës “në një komb të madh ekologjik”. I vetëdijshëm se ky projekt kërkon dekada për t’u jetësuar, Macron premtoi gjithashtu investime masive në burimet e rinovueshme të energjisë.

Duke qenë se të gjelbrit janë pjesëtarë të koalicionit qeverisës në Gjermani, mbetet të shihet sesi do të jetësohet më tej axhenda e tranzicionit ekologjik nga dy ekonomitë më të rëndësishme të BE-së dhe si do të zhvillohet politika e BE-së edhe përkundrejt partnerëve të saj në arenën ndërkombëtare.

Mësimi i tretë nga zgjedhjet presidenciale në Francë ka lidhje me ambicien për një Europë që i jep vetes mjetet për të vepruar. Vizionet e kandidatëve për të ardhmen e projektit europian nuk kishin pika takimi. Propozimet e Le Pen nënkuptonin fundin e BE-së, të paktën siç e njohim ne. Kjo është edhe arsyeja se përse një pjesë e udhëheqësve europianë nuk ngurruan të përfshihen në fushatën zgjedhore, duke u bërë thirrje francezëve për të votuar për Macron.

Duke pasur parasysh kontekstin gjeopolitik si pasojë e pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë, Presidenti Macron është para mundësisë historike për të vënë në jetë idetë e tij për të reformuar dhe përfunduar projektin politik të BE-së, duke përfshirë rritjen e përgjegjshmërisë demokratike të Unionit, lejimin e atyre shteteve që duan të integrohen më tej e njëkohësisht të ecin më shpejt. Dhe mbi të gjitha, krijimin e një BE-je me rrathë koncentrike që vepron me shumicë votash, si nevojë për të shpëtuar procesin e zgjerimit, i cili ka disa vite që është në gjendje klinike. Menjëherë pas zgjedhjes së tij si President i Francës në vitin 2017, Macron insistoi në reformimin e BE-së si parakusht për zgjerimin e mëtejshëm të saj. Pas rizgjedhjes së tij dhe në kuadër të diskutimeve për të ardhmen e Europës që do të zhvillohen gjatë presidencës franceze të BE-së, ekzistojnë pritshmëri legjitime për shpalosjen e vizionit dhe hapave konkretë që do të mundësojnë anëtarësimin në BE të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, dhe në një të ardhme jo të largët edhe Ukrainës, Gjeorgjisë e Moldavisë, si vende që bëjnë pjesë në Partneritetin Lindor dhe që kanë shprehur qartësisht vullnetin politik për të qenë pjesë e BE-së.

Gjithashtu, me Macron të konfirmuar për një mandat të dytë, Putin mbetet i izoluar në Europë. Kërcënimi i tij i madh, një BE e bashkuar në qëndrime dhe vlera demokratike, në harmoni me SHBA-të, sapo është forcuar.

Po kështu, rizgjedhja e Macron do të ketë implikime të rëndësishme për krizën energjetike, me të cilën po përballet BE-ja. Në periudhën afatshkurtër, kjo do të thotë një mundësi për një embargo të naftës ndaj Rusisë, një nga masat më të forta që BE-ja mund të marrë kundër Putinit. Në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, ajo do të ketë një ndikim në largimin e Europës nga hidrokarburet ruse dhe garantimin e tranzicionit energjetik në përgjithësi.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Diplomati: 12/05/2022 21:20

    Ditmir, nuk na the dy fjale per partine simoter socialiste franceze qe mori 1,7 % te votave? Sa vizita ke bere ne France ne kohen qe ishe minister, sa marreveshje "historike" firmose me "shoket" tuaj te majte, me ndihmen edhe te shefin tend te kabinetit? Rama takoi ish presidentin e djathte Sarkozy ne shtepine e ketij te fundit ne Paris. Po ish presidentin socialist Hollande qe i dha medaljen, nuk i doli koha t'a takonte? Pa folur asnje fjale frengjisht, na qenke bere edhe njohes i situates politike ne France? Po merresh me perkthime gazetash. Si i papune qe je, ke kohe mjaft tani.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?