Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të opozitës së bashkuar për të djegur mandatet e deputetëve. Rama ironizon qëndrimin e PD-së dhe LSI-së, teksa bën krahasimin e shumicës aktuale me dominimin e Juventusit në kampionatin italian të futbollit, kreu i qeverisë thotë se nuk mund të anulohet kampionati për ankesat e humbësve, në rastin konkret, sipas tij nuk mund të largohet qeveria për shkak të akuzave të opozitës.

Me statusin e publikuar në rrjetet sociale, Rama nënkupton se nuk do të ketë zgjedhje të reja apo dorëheqje. 'Ky Juventusi s'durohet më!Të anullohet kampionati. Kush është mbrapa të djegë fanellat e iki nga fusha.Kjo skuadër e poshtër të heqë dorë nga avantazhi, të mos e  bëjë më vetë formacionin dhe të fillojë ndeshjet nga e para!Ndryshe s'ka më futboll, po vetëm e ka kush e ka rrugëve' shkruan Rama.

Opozita pasditen e sotme zyrtarisht unifikoi qëndrimin për të djegur mandatet. PD dhe LSI u shprehën se kjo është rruga e vetme që u ka mbetur përballë shumicës, që sipas tyre është e kriminalizuar.