Shtëpia muze në të cilën më 10 qershor të 1878-s u mblodh kuvendi që bashkoi katër Vilajetet e Shqipërisë, Shkodrën, Manastirin, Janinën dhe Kosovën u dogj nga policia dhe paramilitarët serb në mars të vitit 1999.
Në kujtim të ngjarjes është hapur ekspozita e Parim Kosovës me fotografi që tregojnë djegien e Muzeut të Lidhjes së Prizrenit nga ushtria, policia dhe paramilitarët serb në mars të vitit 1999. Drejtori i Qendrës së Kulturës Samir Hoxha e ka konsideruar si një krim historik dhunimin e muzeut nga serbët.
“Pikërisht përmes kësaj ekspozite dhe fotografive që ekspozohen sot ekziston një bazë e mjaftueshme për ngritjen e një padie ndaj personave që kanë kryer këtë vepër makabër mbi trashëgiminë kulturore dhe historike të kombit tonë”, tha Hoxha.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja u shpreh se serbët e dogjën monumentin e trashëgimisë për të zhdukur çdo gjurmë shqiptare.
“Ky vend ku është themeluar dhe kjo organizatë e cila i ka dalë zot trojeve etnike shqiptare, prandaj ne e kemi ruajtur si sytë e ballit do ta ruajmë edhe më tutje dhe do ta lëmë amanet dhe gjeneratave të reja”, u shpreh Muja.
Autori i ekspozitës, Parim Kosova tha se pas luftës e bëri padinë për djegien e Lidhjes së Prizrenit për Tribunalin e Hagës, por padia ende nuk është marrë parasysh.
“Kallëzimi penal është bërë ndaj 11 personave që dogjën dhe shkatërruan monumentin më të çmuar të të parëve por fatkeqësisht tribunali i Hagës as edhe sot nuk ka nisur të merret me çështjen e kësaj padie”, tha autori i ekspozitës, Parim Kosova.
Në këtë ekspozitë janë pasqyruar 288 objektet që ishin të ekspozuara në Muze deri më 27 mars 1999, ku bashkë me to u shkatërruan edhe shtatoret që kanë qenë të vendosura në oborrin e Kompleksit Muzeal të Lidhjes së Prizrenit.
[gallery]21588[/gallery]
Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)