Anëtari i Partisë së Lirisë në KëshillinBashkiak të Tiranës, Artan Disfata, thotë se zjarr i rënë pak ditë më parë në një nga pallatet e kompleksit “Arlis” në zonën e “Farmacisë 10”, “tregoi edhe njëherë fytyrën e vërtetë të një qeverie që nuk ka asnjë plan serioz zhvillimi për Tiranë.

Përmes një deklarate për shtyp, Disfata kërkon nga Bashkia e Tiranës ndalimin e lejeve abuzive të ndërtimit, rishikim të planit urbanistik të qytetit dhe standarde të detyrueshme për akses emergjence në çdo ndërtim.

“Dhënia e lejeve të ndërtimit pa asnjë standard urbanistik, pa transparencë dhe pa një plan të qëndrueshëm zhvillimi, ka krijuar një kaos të vërtetë urban që sot po paguhet nga çdo qytetar i Tiranës. Edhe njëherë na vërtetuan se jo vetëm zjarrfikëset nuk mund të shkonin në vendngjarje për shkak të betonit, por edhe mungonin mjetet, duke sjellë helikopterë në ndihmë të fikjes së zjarrit. Sot kemi lagje të tëra ku mjetet zjarrfikëse nuk futen dot në rast emergjence, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e banorëve. Ambulancat bllokohen në rrugë të ngushta dhe të zëna nga ndërtime pa kriter. Mungojnë hapësirat e gjelbra, duke e kthyer qytetin në një “ishull betoni” pa frymëmarrje. Infrastruktura rrugore dhe kanalizimet janë të mbingarkuara dhe në shumë raste në kolaps. Shkollat, kopshtet dhe çerdhet janë të pamjaftueshme për shkak të rritjes së pakontrolluar të popullsisë në zona të caktuara dhe mungojnë hapësirat publike dhe zonat rekreative për familjet dhe fëmijët. Ky nuk është zhvillim, por shkatërrim i planifikuar i qytetit. Tirana nuk mund të trajtohet si një biznes privat ku çdo metër katror shitet dhe ndërtohet pa menduar për pasojat afatgjata. Një qytet nuk ndërtohet vetëm me beton, por me vizion, përgjegjësi dhe respekt për qytetarët. Sot, në vend të një kryeqyteti europian, kemi një model të dështuar urban që prodhon stres, ndotje, mungesë sigurie dhe cilësi të ulët jetese”,- thotë Disfata.