Studentët e Universitetit “Aleksandër Mojsiu” në Durrës kanë dalë në protestë këtë të premte për mënyrën sesi po menaxhohen plehrat në Porto Romano të Durrësit.

Report TV raporton se ato kërkojnë ndërprerjen e depozitimit dhe djegies së plehrave pranë universitetit, duke u shprehur se jeta e tyre çdo ditë e më shumë po vendoset në rrezik.

Studentët thonë se e kanë të pamundur të studiojnë në auditoret e Universitetit, pasi i gjithë tymi i mbetjeve përfundon nëpër sallat e korpusit universitar.

Ata kanë paralajmëruar institucionet qendrore dhe vendore të Durrësit se në rast se nuk marrin masat e nevojshme, do të përshkallëzohen protestat.