Trajneri i Kombëtares së futbollit, Sylvinho ka folur për Eurosport duke zbuluar disa nga sekretet që ai mendon se e bënë skuadrën e Shqipërisë që për herë të dytë të merrte pjesë në fazën finale të një Europiani.
“Kjo është një ëndërr për mua. Nëse dikush do të më pyeste një apo dy vite më parë: a do të shkosh te Shqipëria? Unë do i përgjigjesha: nuk e di… Dua të them është se kur je trajner, ose dhe lojtar, gjërat ndodhin shumë shpejt. Preferoj të përjetoj momentin. Objektivi ynë është të përgatitim ekipin kombëtar për 6-7 muajt e ardhshëm”, thekson Sylvinho për Eurosport.
Më pas një koment për stilin e tij të punës, që bazohet te marrëdhënia e ngushtë me futbollistët dhe komunikimi i drejtpërdrejtë me ta.
“Unë besoj shumë te marrëdhënia me lojtarët. Është ndryshe kur në mes futet një përkthyes, është ndryshe kur flet me zemër dhe i sheh djemtë në sy. Gjithashtu ka shumë rëndësi të flasësh me lojtarë të caktuar, por më e rëndësishmja është zemra dhe shpirti që ke në skuadër. Pa këto nuk mund të luash. Mund të jesh futbollist i madh, mund të jesh ndryshe dhe i veçantë, por nëse nuk ke frymën dhe shpirtin e grupit, ti nuk mund të arrish objektivin. Futbolli nuk është një lojë individuale”, theksoi 49-vjeçari brazilian, që ka fituar zemrat e shqiptarëve.