TIRANE- Grupet e punës që do të ngrihen në të 61 bashkitë e reja do të marrin në shqyrtim të gjitha çështjes gjyqësore ku kanë qenë palë njësitë administrative që janë shkrirë. Nën sitën e ekspertëve do të vendosen dhe dosjet ku ka qenë e përfshirë Bashkia e cila i rezistoi ndryshimeve të hartës territoriale. Pavarësisht se rreth 300 bashki dhe komuna janë shkrirë, do të jenë njësitë e reja vendore që do të kenë detyrimin për të paguar detyrimin e dalë nga gjykata, apo për të zbatuar vendimin e dhënë.

Me urdhrin e posaçëm të firmosur prej ministrit të Financave Shkëlqim Cani dhe të pushtetit vendor Blendi Cuçi, kryetarët e Bashkive kanë nisur punën për evidentimin jo vetëm të personelit, por dhe të problematikave që kanë të trashëguara nga bashkitë e vjetra.