Një 29-vjeçar u arrestua në Kamëz, pasi u kap duke transportuar me makinë një armë zjarri pistoletë, të cilën dyshohet se do ta trafikonte. Në kuadër të operacionit “Last Drive II”, iu gjet arma, ndërsa gjatë kontrollit të banesës u sekuestruan edhe një armë gjahu pa leje dhe 50 fishekë.

Në pranga ra Ervis Cara, banues në Krujë, i dënuar më parë me 6 vite e 8 muaj burg për trafikimin e mjeteve motorike me një grup kriminal. Gjatë operacionit, Forca e Posaçme Operacionale dhe Antitrafiqet e Tiranës, sekuestruan pistoletën, armën e gjahut, municionin, automjetin, një celular dhe një bllok shënimesh.

Ky i fundit dyshohet se përmbante të dhëna për shuma të ndryshme parash. Për këtë arsye, krahas hetimit penal, ndaj 29-vjeçarit ka nisur edhe hetimi pasuror, për të verifikuar burimin e pasurisë së tij. Ai është në akuzë për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë