Ditën tjetër është bërë varrimi në një vend afër, sapo del nga lokaliteti i Shëmrisë. Ushtarët kishin hapur një gropë të ngushtë për të dy dhe, për t’i zënë vendi, ishin detyruar t’i vendosnin në anë të kundërt, te koka e njërit ishin këmbët e tjetrit.
Aty pranë, kishte kaluar një grua e një familjeje të internuar, nga Librazhdi, e cila u ishte drejtuar ushtarëve: “Ju lutem, mos i mbuloni me dhé, prisni sa t’ju sjell një batanije e ti mbështillni, se janë njerëz...!” Varrimi ishte bërë në mes të ditës dhe vendodhja e trupave dihej nga shmriasit, por askush nuk guxonte të fliste rreth tyre.
Prena e Dodë Bibës
Dy javë pas vrasjes, Prena e Dodë Bibës, kishte shkuar në Shpal dhe kishte takuar Bardhok Bibën, të cilit i kishte kërkuar që të merrte trupin e Dodës për ta varrosur në vendlindje. Bardhoku e kishte sqaruar se zhvarrosja ishte e pamundur për shkak të problemeve të rrezikshme shëndetësore që sillte zhvarrosja në këtë moment... Prej asaj dite, familja nuk mundi të bënte gjë pasi, asnjë nga pjestarët e grupeve të armatosura të vrarë nga shteti, nuk kishin varr. Mungesa e varrit, përveçse ishte hakmarrja e fundit ndaj personave të vrarë, bëhej edhe për qëllime të mbrapshta politike. Regjimi synonte që, figura të tilla, të mbeteshin larg vëmendjes së njerëzve dhe, me kalimin e viteve, emri i tyre të shlyhej nga kujtesa e tyre.
Për ata duhej të fliste vetëm shteti, me gjuhën e demagogjisë së helmët të propagandës komuniste duke i damkosur si “tradhëtarë të popullit”.
Dodë Bibë Përnoca
Në vitin 1994, familjarët e Dodës, arritën të gjejnë vendin e hamendësuar ku ndodhej varri i njeriut të tyre të shtrenjtë. Pas shumë gërmimesh e mundimesh, arritën të mbledhin kockat e tij, për të bërë nderimin e fundit, nëpërmjet një rituali shpirtëror të denjë, sipas traditës mirditore, të njeriut që, për së gjalli e deri në ditën e fundit të jetës, nderoi e lartësoi emrin e Përnocajve.
Vrasja e Dodë Bibës u mor vesh shpejt, sepse krismat e armëve vinin deri në Sang, që në vijë ajrore, ishte vetëm pak kilometra larg. Ka qenë ditë e dielë, 30 Maj 1948, kur nga bjeshkët e Runës vinin krisma armësh të gjithëfarëllojshme.
Duke e ditë se ku strehohej Doda, Ndoi me familjen përjetuan një ankth të vërtetë që vazhdoi edhe pas orës 12 të mesditës, kur krismat e armëve pushuan. Fëmijët dëgjonin bisedat e shqetësuara të të rriturve dhe u shpëtonin lotët. Kështu kaloi ajo ditë. Ndue Biba, sapo u bë natë, shkoi te Çup Marka Ndoj në Hebe që, përmes tij, të mund të merrte ndonjë informacion. Aty mori vesh se Marka Dedë Marku kishte shkuar në Shëmri për të marrë racionin, prandaj, ka pritur që të kthehet ai, për të marrë vesh ndonjë lajm. Kështu, ai qëndroi gjithë ditën e hënë në Hebe.
Marka Deda e kishte parë skenën e tronditëse kur kishin sjellë trupat e Dodë Bibës dhe Kadri Matës, për t’i ekspozuar para popullit të Shëmrisë. Atë pasdite, ai mundi të merrte racionin e drithit dhe u nis menjëherë e mbërriti natën vonë në shtëpi. Aty mori vesh se Çup Marka Ndoj e kërkonte sapo të kthehej, për një problem shumë të rëndësishëm.
Marku shkoi atje menjëherë, ku takoi edhe Ndue Bibën, të cilit në fillim, nuk mundi t’i tregonte asgjë në lidhje me ngjarjen. Kur pa që po hezitonte dhe se po mundohej të fshihte diçka, Ndue Biba i thotë fjalën e fundit: “Duhet t’më tregojsh tashti, përndryshe, unë e ndaj bukën me ty veç për mort e për dasëm!” Vetëm atëherë Marku tregoi çfarë kishte parë: Doda dhe Kadriu ishin vra dhe trupat e tyre mezi i kishte njoftë. Kaq ka mjaftuar që Ndue Biba të nisej natën për në shtëpi. Familjarët e tij ende shpresonin: “do zoti e kanë kap e futë në burg, vetëm t’i ketë pshtue jeta bacës Dodë”, kishte thënë Zefi, atëherë 15 vjeç. Ndërkohë hyri Ndue Biba dhe ka bërtitë me të madhe: “Na ka fikë zoti, Dodën e kanë vra!”. Në moment, u krijua një situatë e tmerrshme, ku plasi vaji e gjama. Erdhi edhe Frrok Biba me të shoqen, Pjetër Gjera e pas tij, krejt katundi dhe të gjithë, grupe-grupe, burra e gra, shkuan te shtëpia e Ndue Bibës për ngushëllim.
Ndërkohë, nga ana e shtetit pati një heshtje të plotë; asnjë njoftim, sikur të mos kishte ndodhë asgjë. Autoritetet e dinin se familja e kishte marrë njoftimin për vrasjen dhe po e ndiqnin situatën nga larg.
Ndue Biba për disa kohë nuk e mori veten. Vdekja e Dodës e goditi rëndë në shpirt dhe ndikoi shumë në vendimet që do të merrte në vitet në vazhdim për t’u larguar përgjithmonë nga vendi.
Ia vlen të kujtohet një detaj nga jeta e Mrikës, vajzës së tij, që bën fjalë për ditët e para pas vrasjes së babait të saj.
Vajza e Dodë Bibës
Ishte ora e muzikës dhe mësuesi u kishte kërkuar nxënësve që të këndonin. Mrika e Dodë Bibës nuk kishte pranuar dhe atëherë mësuesi i kishte kërkuar që edhe ajo të këndonte me të tjerët, por ajo me vendosmëri i ishte përgjigjur: “Nuk knoj se më asht vra baba!” Atëherë mësuesi e kishte nxjerrë para klasës gjatë kohës që këndonte klasa, por ajo kishte hapur menjëherë derën dhe ishte larguar për në shtëpi. Pasdite kishin shkuar te shpia e Ndue Bibës, Nikollë Vokrri dhe Gjergj Loka dhe i kishin kërkuar Mrikës që të vinte në shkollë, se do të hynin ata garant, që mësuesi nuk do ta detyronte më të këndonte. Mesa duket, mësuesi kishte reflektuar ndaj veprimeve të tij dhe kishte ngarkuar ata të dy nxënës që të bindnin vajzën e Dodë Bibës të vinte në shkollë, duke shprehur me këtë rast, në mënyrë të tërthortë, pendesën për veprimin e tij.
Shpi vllazni ia torturojnë, grue e fmijë po i internojnë
Edhe Ndoi kishte marrë pjesë në luftë kundër partizanëve, sipas thirrjes “burrë për shpi” që bëri Kapidani. Pjesëmarrësit në atë luftë, propaganda zyrtare i quajti “njerëz të mashtruar” dhe përgjithësisht nuk patën pasoja. Ndryshe qëndronte puna me ata që vinin nga familje me njerëz në mal, kundërshtarë të betuar të regjimit, të cilët iu nënshtruan torturave, arrestimeve dhe burgosjeve. Dënimet ndaj kundërshtarëve të regjimit ishin të ndryshme, dhe mund të ndodhte që të faturonin edhe ndonjë vrasje partizani, e atëherë, puna mund të shkonte deri te ndëshkimi kapital.
Dodë Bibë Përnoca
Burgosja e Ndue Bibës
Petrit Dume e kishte arrestuar Ndue Bibën, që për tridhjetë ditë i ishte nënshtruar hetuesisë te Kisha e Domgjonit. Në ato ditë, flitej se do t’i bënin një “gjyq” dhe ta vrisnin, por Doda, nga mali, i kishte paralajmëruar drejtuesit e Këshillit Nacionalçlirimtar të Fanit dhë drejtuesit në Nënprefekturë në Shpal, që mos t’i binin vëllait të tij në qafë, se ishte i pafajshëm. “Po m’u vra vëllau, unë do t’u vras!”. Një mesazh ky që u mor seriozisht. Puna erdhi që, disa drejtues të vendit, të ndërhynin pranë Petrit Dumes, që kishte arrestuar Nduen, për t’i dhënë një dënim të arsyeshëm. U zgjodh Dom Nikoll Luli, që t’ia përcillte Komandant Petritit mendimin që “Ndoi është i pafajshëm”. E çojnë Ndue Bibën para Petrit Dumes dhe midis tyre zhvillohet afërsisht kjo bisedë:
- Ti je Ndue Bibë Përnoca? Përse të kemi arrestuar?
- Më keni arrestuar kot. Kam marrë pjesë bashkë me shokët në luftë, sipas thirrjes së Kapidanit dhe pastaj jam kthye në shtëpi”.
- Po a e di ti që kjo të kushton shumë shtrenjtë?
- Jetën ma merr, por mos më rraf, se huni asht për shtazët.
- Nuk do të t’prek me dorë, vetëm se duart do të ti lidhim partizançe, kjo është e detyrueshme për këdo të arrestuar.
E lidhën “partizançe” me hekura dhe me tel aq fort, sa iu futën në mish e i mbetën gjurmët në kyçet e duarve dhe në gishta për të gjithë jetën. E çuan në burgun e Shkodrës, ku bëri 16 muaj. Sipas pohimit të vetë Ndoit, nuk kishin përdorur torturë tjetër ndaj tij. E kishin futur në burg në vitin 1945 dhe kishte dalë nga burgu në mesin e vitit 1946. Në burgun e Shkodrës kishte shumë të burgosur që ishin dënuar me vite burgim. Ata që ishin dënuar me vdekje, i merrnin natën dhe i pushkatonin. Kur largoheshin, e dinin se çfarë i priste dhe përshëndeteshin: “Mirupafshim në atë dynja!”
***
Në atë kohë, shtëpia kishte mbetur me dy gra, e Ndoit dhe e Dodës, me fëmijë të vegjël. Filluan vuajtjet familjare, që, në forma të ndryshme, nuk iu ndanë familjes deri në vitin 1990. Dhe ato dy gra i përballuan si burrnesha të vërteta!
Djegia e shtëpisë
Pas çlirimit të vendit u ishte bërë thirrje të gjithë kundërshtarëve të regjimit, që të dorëzonin armët dhe të binin në dorë të autoriteteve për të pritur ndëshkimin, pavarësisht se, pas dorëzimit, i priste skëterra e ferrit...
Për ata që nuk dorëzoheshin, si masë paraprake ishte djegia e shtëpisë dhe pastaj internimi i familjes. Kur Ndoi ishte në burg, i dogjën shtëpinë: dy ndërtime, afër njera-tjetrës, te trojet në Sang, dhe një tjetër në Lajthi të Gjetajve, bashkë me stallën e bagëtive.
Mrika, vajza e madhe e Dodë Bibës, dëshmitare e atyre skenave të frikshme kujton: “Kur na kanë djegë shtëpitë kemi shkue te njerëzit e afërt. Zefi me motrën te Frrok Biba, gruaja e Ndue Bibës te Gjokë Preng Doda, Nana me të tri cucat te Marka Gjokë Doda, ndërsa Biba te Ndre Gjini. Kur i kanë vu zjarmin shpive, kishin caktue roje se mos vinte Dodë Biba. Por baba atëherë ishte larg me Mark Gjonmarkun dhe nuk merrte shpesh lajme mbi gjendjen e familjes. Ai e ka marrë vesh ngjarjen vetëm gjashtë muej ma vonë”.
Internimi i parë
Historia e kampeve me tela me gjemba në Shqipëri i takon Marsit të vitit 1945. Në kampet e internimit në Berat, Kuçovë, Tepelenë, Turan, Porto-Palermo dhe, më pas, në Lushnjë, Shtyllas, Savër, Gradishtë, Grabjan, Çermë, nga viti 1945 deri në vitin 1990 u internuan shumë familje të padëshiruara për regjimin. Në vitet 1945-1949, këto internime nuk kishin as bazë ligjore.
Ato u realizuan në formë banditeske: rrëmbim të personit dhe mbylljen e tij diku larg vendbanimit të tij. Udhëtimi në kampe, në të shumtën e rasteve, bëhej në këmbë. Të internuarit trajtoheshin si bagëti në kuptimin e plotë të fjalës. Qëndronin nga një stacion në tjetrin, derisa arrinin në kamp. Në kohën kur u zgjodhën këto kampe, u përllogaritën të internoheshin persona që nuk ishin drejtpërdrejt fajtorë, por të afërm të personave të deklaruar si armiq të shtetit dhe, ata që u internuan në këto kampe, ishin trashëgimtarë ose të afërm të të arratisurve dhe të të burgosurve politikë.
Me internimet, në vitet 1945-1949, janë marë forcat e ushtrisë, kryesisht Divizioni i Mbrojtjes së Popullit me funksione policore. Në vitin 1949 doli dekreti i parë i internimeve dhe filloi punën Komisioni i Internimeve dhe Konfiskimeve pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.
U përzgjodhën vendet dhe filloi rrethimi i tyre me tela me gjemba. Kruja dhe Berati ishin vendet e para ku u përqëndruan të internuarit. Ata që ishin nga jugu dërgoheshin në veri dhe veriorët dërgoheshin në jug. Territori ku shtriheshin kampet ruhej me roje të armatosura. Disa godina të vjetra, si depo repartesh, magazina ose baraka, ishin kthyer në kampe, pa asnjë kusht jetese, ku mjerimi ishte i tejskajshëm. Kampet kishin shumë fëmijë, gra e pleq.
Përmes kujtimeve të Zefit do rrëfejmë internimin e familjes Përnoca.
Kishte pak kohë që baba ishte lirue nga burgu në Shkodër. Mbas vrasjes së Ndrec Ndue Gjokës, internuen shumë familje, midis tyre, edhe familjen tonë. Na çuen në Lezhë në fund të Korrikut, të vitit 1946 dhe na vendosën te ura e Lezhës, në një barakë, ku qëndruem për tre muaj rrjesht.
Mbas kësaj kohe, bahej shpërndamja nëpër kampe të ndryshme. Kushtet në atë vend ishin si mos ma keq, Të gjithë të internuemit banonin në një kazermë të madhe, ku uji, era dhe të ftohtit hynin nga të gjitha anët. S’kishim ku të shtriheshim as për të pushue trupin. Për t’u mbulue, përdornim postahe me lëkurë bagëtish, por dhe ato, shpesh herë, s’na banin derman.
Ishin të internue edhe Preng Marka Prenga me gjithë familje, Gjon Mëlyshi, plaku i familjes, me gjithë grue, nana e Pal Mëlyshit me fëmijët. Mbaj mend se vinin oficerët e Sigurimit të Shtetit dhe e merrnin Preng Marka Prengën për kafe, ndërsa Gjon Mëlyshi rrinte i tërhequn. Më kujtohet se Bajraktari i Oroshit mbante një kostum të zi dhe bisedonte shpesh me babën tim.
Ne fëmijët e të gjithë të internuarve e kalonin ditën bashkë. Kujtoj djalin e Frrok Mëlyshit, Zefin dhe të Nikoll Mëlyshit, Lekën. Kemi jetue te shtëpia e Begut. Flinim si në një stallë, pa zjarr dhe me ushqime sa për të majtë frymën gjallë; kishim vetëm 600 gram bukë dhe ujë me kryma. Lezha ka qenë e tmerrshme për ujë. Fshatarët, por sidomos malsorët, kur binin në qytet nuk e pinin, por merrnin ujë me veti. Kurse, na ishim të detyruem ta pijshim; na kapën ethet dhe sëmundje të ndryshme, dikush i përballonte, të tjerët vdisnin. Vdekjet ishin të shpeshta, sidomos ndër fëmijë. Kam pa se fëmijët që vdisnin i merrnin me çarçafë dhe i varrosnin. Gjoni na u smu randë, sa nana i lutej zotit t’ia merrte shpirtin që të qetësohej. Nuk e di si mundi të mbijetonte..
Kur vritej ndonjë pjestar i grupeve të rezistencës, për të ba terror mbi të internuemit, i binin në vende publike që t’i shihnin njerëzit. Kur asht vra Mark Gjomarkaj me bashkëluftëtarët e tij, e kanë sjellë në kampin tonë, në Lezhë dhe na kanë pyetë, a e njihni? Po, i jam përgjigjë, këtë e njoh, asht Mark Gjonmarkaj.
(Vijon nesër)
Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com