Ai shquhej për karakterin e tij burrëror dhe vitytet e larta prej patrioti. Ishte një mjeshtër i gurgdhendjes dhe i drugdhendjes e prej duarve të tij kanë dalë në dritë dhjetra kulla të gurta në Mirditë e përtej saj. I rritur jetim që në moshën 9 vjeçare, fatkeqësisht ai do të kishte një jetë të shkurtër e të prerë dhunisht në mes prej komunistëve, pas një përballje të armatosur në bjeshkë në maj 1948.
Ishin intensifikuar përpjekjet e rejgimit komunist për të shuar çdo shenjë jete të grupeve të armatosura në veri, që shiheshin si kundërshtarërt më të rrezikshëm të pushtetit të tyre.
Pas disa kohësh intensive për tu organizuar e për të rritur rradhët, këta grupe antikomuniste kishin kuptuar se nuk kishin mbështetjen e duhur ndërkombëtare. Për me tepër regjimi po forcohej gjithnjë e më shumë nga mbështetjet e kampit Lindor.
Në këtë situatë gati pa dritë shprese, shumë anëtarë të këtyre grupeve u tërhoqën. Një prej tyre ishte Dodë Bibë Përnoca, i cili u tërhoq në bjeshke ku kishte ndërtuar tre vendstrehime sekrete e ku të mund të jetonte i vetëm pa iu dorëzuar komunistëve.
Pak kohë më vonë në jetën prej eremiti, atij ju bashkua njw tjetër anëtar i grupeve të armatosura të veriut, Kadri Mata. Por pas shumë kohëve heshtje pa gjetur asnjë gjurmë të tyre, komunistët s’dihet se si, kishin arritur të gjenin njw informatë dhe ishin vënë në ndjekje të gjurmëve të tyre në mal.
Më në fund komunistët i kishin rrethuan si në çark, në majë të bjeshkëve të Runës. Për orë të tëra luftuan pa iu dridhur qerpiku. Në fund, pas gjashtë orë luftime, Dodë Biba vdiq, duke mos e lënë veten të bjerë në dorë të komunistëve...
Por historia e tij nuk përfundon këtu. Një kalvar vuajtjesh pëson pas këtij momenti e gjithë familja e tij, internime, dhimbja e mungesës së një varri për ta qarë burrin e shtëpisë, gra e fëmijë që vunin kampeve të internimit pa pasur asnjë faj...
U njoha me këtë personazh dhe historinë e familjes së tij nga një libër i vyer që ka shkruar dhe botuar këto ditë Dodë Luli, nipi i Dodë Bibës “Dera e Përnocajve të Fanit”, një libër që trajton gjerësisht paraardhësit e këtij personazhi, rrethin ku u rrit dhe u brumos, të afërmit që vuajtën nga përndjekja e regjimit komunist përgjatë gjithë viteve të diktaturës, dhe përpjekjet e gjata për të vënë në vend e për të nderuar emrin e tij dhe të atyre që vuajtën bashkë me të.
Nga ky libër i vyer, që argumenton e sjell fakte e dëshmi për një pjesë të historisë që ende nuk është ndriçuar si dhe sa duhet, do të sjellim për lexuesit disa pjesë ku shpaloset historia e këtij personazhi në kufijtë e legjendës.
Sakrificë deri në vetmohim
Pas largimit nga grupi i armatosur i Mark Gjomarkajt, Doda u vendos në bjeshkët e Runës. Atje, ai ndërtoi tre vendstrehime, ku çdonjëri prej tyre ishte rreth një orë larg tjetrit.
Me këshillën e Llesh Cekut, Doda ndërtoi strehimin e dytë, ku mund të strehoheshin rreth 5-6 vetë, në kushte të përshtatshme, me mbrojtje nga shiu, ndërtuar pa përdorur gozhdë por, gjithsesi, i qëndrueshëm.
Strehimin e tretë nuk e ka parë askush. Ishte ai strehim ku u rrethua së bashku me Kadri Matën nga forcat e ndjekjes, në ditën e fundit të jetës së tij. Kur Biba i kishte thënë se si mund ta takonte, axha Dodë i tha që të shkonte te vendstrehimi i dytë, pastaj të ecte përpjetë drejt ahut më të madh që ishte në atë pyll, se atje ishte vendi ku do ta gjente.
Pylli në atë vend kishte drurë aq të shpeshtë, sa nuk mund të kalonin as bagëtitë e kafshët e egra. Atje kishte ngritur një stan të maskuar që nuk binte fare në sy, edhe po t’i kaloje afër. Për të mos u diktuar, tymin e kishte kaluar përmes një tuneli rreth njëqind metra larg dhe po në aq largësi merrte ujin me lugje, që i kishte maskuar me lëvore pishash.
Kur ishte kohë e mirë, ditën dilte aty pari, pastaj kthehej e përgatiste atë ushqim që kishte ose kryente ndonjë punë tjetër. Kur binte shi qëndronte në stan, kryente punët që kishte dhe pastaj vëzhgonte natyrën që lotonte përmes shiut.
Tepër rrallë e merrte rrugën te ndonjë mik në Sërriqe, Çam, apo shkonte deri në Sang. Dodë Biba kishte mbështetje në fshatin e tij te disa burra besnikë që nuk ishin përzier me grupet e armatosura dhe për të cilët nuk kishte dyshime. Familja e Dodës e ka marrë vesh vonë se ai mbështetej prej tyre dhe kjo kishte ndodhur në situatë rastësore...
…Pas takimit rastësor me Kadri Matën nga Surroj, ata u lidhën në besë dhe kaluan së bashku pjesën e mbetur të jetës. Qëndrimi me Kadriun e bënte vuajtjen më të lehtë. Bisedonin me zë të ulët, përgatisnin bashkë ushqimet, shkonin së bashku për të marrë bukë, etj, tashmë jo vetëm në Sërriqe dhe Çam, por edhe në Surroj e Arrën.
Vendin ku rrinte Doda nuk e dinte askush, por sidoqoftë, organet e sigurimit morën informacione se ai kishte ardhur në Fan dhe ishte vendosur diku në bjeshkë. Për këtë qëllim, vendosën prita në rrugët që të çonin te shtëpia e tij dhe e mbikqyrën shtëpinë gjatë gjithë kohës. Në ato vajtjet e rralla në shtëpi, Doda mundi të mësonte gjithçka, vendet ku ziheshin pritat nga mendohej se ai do të kalonte, orën kur fillonte vëzhgimi i shtëpisë, etj.
Dodë Biba dhe Kadri Mata sikur ishin harruar nga bota. Dokumentet e organeve të ndjekjes i përmendnin mjaft rrallë dhe asnjëherë për rrezikshmëri shoqërore, siç vepronin me disa të arratisur të tjerë të rangut të tyre. Kukësi ishte i zënë me arratisjet, ndërsa Mirdita me luftën kundër grupeve të armatosura që ishin bërë shumë të rrezikshme.
Ndonëse në Fan qarkullonte grupi i Marka Bibës, në informacionet që përcillen për këtë grup, nuk përmenden asnjëherë Doda dhe Kadriu. Doda nuk u bashkua me asnjë grup të armatosur dhe mbante lidhje me shokët e besueshëm nga Sangu e Thirra, sa për të marrë informacione rreth familjes. Ai e kishte gjetur mënyrën t’u çonte drejtuesve vendas të Fanit një mesazh të thjeshtë: “Mos më prekni familjen, keni punë vetëm me mue. Po m’cënuet familjen do të hakmerrem!”. Dhe përsa kohë ai ishte gjallë, edhe pse shtëpinë ia dogjën e familjen ia internuan, familjarët e tij nuk i rrahën e nuk i poshtëruan.
Dodë Biba e dëshironte përmbysjen e atij regjimi dhe sigurisht, po të vinte koha për qëndresë, do të ishte në rrjesht të parë me shokët, sepse përmbysja e asaj qeverie ishte e vetmja shpresë që t`i kthehej jetës normale, por ndryshe nga të tjerët, ai e kishte kuptuar se e keqja nuk vinte nga komunistët e Fanit, që për bindje dhe për interesat e tyre kishin mbështetur pushtetin e ri.
Ata ishin shokët, kushërinjtë, dajtë, nipat, kumbarët dhe miqtë e tij. Për Dodën, e keqja ishte në Tiranë, atje ishte edhe vendimi për jetën dhe vdekjen e tij. Prandaj nuk bëri as më të voglën përpjekje për të shantazhuar komunistët e zonës së tij.
Nga bisedat me njerëzit e familjes, kishte marrë vesh se, në përgjithësi, komunistët e vendit e respektonin familjen e tij, pavarësisht se nuk guxonin ta mbronin publikisht. Midis Dodës dhe disa komunistëve kishte kanale komunikimi. Nipin, Ndue Frrok Kolën dhe kushërinin Gjon Pjetër Dodën i kishte me forcat e ndjekjes. Kishte dhe të tjerë shokë e miq, edhe ndër komunistë, që po t’u trokiste në derë, do ta prisnin e përcillnin me respekt.
Me sjelljen e tij, Doda e kishte dalluar veten nga komitët e tjerë që qëndronin nëpër Fan. Zona ishte mësuar me komitë. Tradita e daljes në mal ishte e njohur që në kohën e Turqisë dhe njerëzit shprehnin solidaritetin e tyre me ata që, për arsye të ndryshme, kishin zgjedhë jetën e vështirë të malit. Vetë populli i kishte mbajtë komitët për vite me radhë dhe as zaptijet e Turqisë dhe as xhandarmëria e Zogut nuk i kishin zënë, por ata nuk ndiqnin nëpër mal. Ndërsa, komunistët, kishin organizuar reparte të posaçme që bënin kontrollin e terrenit nëpër male dhe kryenin herë pas here operacione “pastrimi”, me sinjalin më të vogël që u vinte nga informatorët. Tradita e mbështetjes për komitët vazhdoi te një pjesë e popullsisë, por u pakësua gradualisht për shkak të presionit të fortë shtetëror.
Për këtë arsye, Dodë Biba qëndroi gjatë në mal, shpesh herë edhe pa ngrënë, ndoshta me ditë, por nuk vuri dorë asnjëherë në mall të tjetrit. I kanë treguar Ndue Bibës, njerëz që më vonë janë dorëzuar, një ngjarje që lidhet me qëndrimin e Dodës: “Kur po kalonte një grup i komitëve në bjeshkët e Shëmrisë, kishin hasë në një tufë dhensh të shpisë së Drenit dhe i kishin marrë shtatë krenë cjep. Mbas pak, ishin takue rastësisht me Dodën që, kur pa çfarë kishin ba, i kishte kërcënue se, në rast se nuk i lëshonin menjëherë cjeptë e grabitun, ai do t’i vriste”. Dhe cjeptë e lëshuar u gjetën pas disa ditësh nga familjarët”.
Me sjelljen e tij, Dodë Biba kishte fituar mbështetjen e popullit në zonën e tij. Edhe komunistë nga Fani, njerëz të angazhuar në luftën ndaj grupeve të armatosura, i kanë çuar fjalë se ishin të gatshëm ta ndihmonin me bukë dhe ushqime. Një ndër familjet që e çmonte Dodë Bibën ishte ajo e Marka Gjacit të Petoqit, sepse Doda kishte kundërshtuar djegien e shtëpisë dhe prerjen e pemëve të tij, si ndëshkim, pasi një kushëri kishte vrarë komandantin e Postës së Milicisë. Djali i Marka Gjacit, Prenga, u bë militant komunist dhe një nga drejtuesit kryesorë të Policisë në Fan, njeri i vendosur në luftë kundër grupeve të armatosura.
Për të pasë një kontroll sa më të fortë në këtë zonë, partia dërgon nga Vlora Hodo Habibin, një xhahil, që për çudi, u vetquajt me një emër prej ‘babaxhani’, krejt të papërshtatshëm për të: ‘Toger Baba’. Ai donte Dodën ose larg prej andej, o të vdekur! Një ditë, duke biseduar si zakonisht me Prengën për këtë problem, merr prej tij një propozim interesant. Prenga i thotë se do t’i tregonte për një familje që me siguri i jepte bukë Dodë Bibë Përnocës, prandaj duhet të shkonin atje së bashku, me një kusht, që ai mos ta pyeste për asgjë gjatë rrugës. Togeri e ndoqi gojëmbyllur nëpër terrin e natës. Habitet kur sheh se u ndalën tek shtëpia e Prengës, i cili, prej jashtë, i foli me zë të ulët nënës së tij:
- Jam Dodë Biba, ma hap derën!
- Erdhi nëna e Prengës dhe hapi derën.
- A i ke dhënë bukë Dodë Bibës? ndërhyn menjëherë Toger Baba.
- Po të bajë za në këtë shpi, e ka bukën tonë, sepse kët “horr”-duke treguar nga i biri, Prenga- ai e ka pshtue!
Ky episod tregon se Dodë Biba e kishte bukën në çdo shtëpi të Fanit, por nuk shqetësonte kënd, sepse e dinte fortmirë se sa probleme iu krijonte atyre që ia hapnin derën...
Kadri Mata
Dobë Bibë Prënoca dhe Kadri Mata nuk e njihnin njeri-tjetrin. Ata u takuan krejt rastësisht në mal. Por, si ndodhi që të takohen dhe cili ishte problemi që e kishte detyruar Kadriun të merrte rrugën e malit? Për ta shtjelluar këtë, do ta nisim që nga prejardhja familjare e tij.
Familja Mataj ishte e fisit Vataj, në gjininë Rrahmanaj, një familje puntore dhe me emër në Surroj. Kadriu, bashkë me vëllezërit, ishte rritur jetim, pasi nëna u kishte vdekur që herët. Në periudhën e Zogut, bashkë me të vëllanë, Bislimin, shërbyen si xhandarë. Me pushtimin italian, Kadriun e dërguan me shërbim në “tokat e lirueme” në Tetovë dhe Gostivar. Në atë periudhë gjendja ekonomike e familjes së tij ishte e mirë.
Në periudhën e gjermanëve, kur arrestuan komandantin e xhandarmërisë, Osman Halilin, në shenjë proteste, të gjithë xhandarët kishin lënë punën dhe ishin kthyer pranë familjeve. Në këtë kohë Muharrem Bajraktari ishte në mal dhe njihej si kundërshtar i gjermanëve.
Kadriu iu bashkua forcave të tij deri në përfundim të luftës dhe mbeti idhtar besnik pas përfundimit të saj, duke u bërë luftëtar i rezistencës kundër regjimit komunist. Mori pjesë në mbledhjen e Çamit të 27 e 28 Tetorit 1945 dhe, në përfundim të saj, u ngarkua të përcillte përfaqësuesit e Tropojës në atë mbledhje.
Për ata që banonin përtej Drinit, përcjellja ishte e domosdoshme, se duhej të kalonin në mënyrë ilegale në anën tjetër të Drinit. Kadriut i takoi të vonohej disa ditë dhe kur u kthye në Çam, Muharremi, me të tijët, pas një përpjekjeje të armatosur me forcat e ndjekjes, ishin larguar në vend tjetër. Kështu, mbeti i vetëm në mal dhe, një ditë prej ditësh, u takua rastësisht me Dodë Bibën. Që prej asaj dite, e deri në fund të jetës, nuk u ndanë më.
TRIDHJETE MAJ DYZET E TETE
PESË TABORRË RRETHOJNË DY VETË
Dodë Biba dhe Kadri Mata ishin në afërsi të Fanit, Shëmrisë dhe Surrojt. Këtë informacion kishin mundur ta nxirrnin organet e Sigurimit, por ata nuk po kryenin ndonjë veprimtari, nuk takonin njerëz dhe nuk vepronin në përbërje të strukturave të grupeve të armatosura. Prandaj, në burimet arkivore për luftën ndaj “bandave” përmenden shumë pak.
Por, si jetonin në mal Doda dhe Kadriu? Meqenëse ishin larg qendrave të banuara, dilnin edhe ditën, shikonin terrenin, kalonin disa kohë në mjedis të hapur, duke iu larguar vendeve nga kalonin barinjtë, për shkak se qentë e tyre mund t’i ndjenin që larg e të lehnin. Me sa duket, në një rast kur u duhej të pinin ujë, kanë dalë në një vend të zhveshur dhe janë parë nga një rojtar pyjesh. Duhet të ketë qenë ndonjë vend që nuk shkelej nga fshatarët, as kalimtarët e rastit ose çobanët, prandaj, atij do t’i ketë bërë përshtypje prania e dy personave në atë vend. Dhe nëse ai që i ka parë ka qëlluar të jetë afër, ka mundur të dallonte edhe armët e tyre, sepse Doda dhe Kadriu, në çdo rast, lëviznin të armatosur dhe fshatarri mund ta ketë kuptuar se kishte të bënte me komitë kundër shtetit.
Kështu, sigurimi i shtetit, me të marrë informacionin mbi vendodhjen e tyre, filloi menjëherë nga puna për operacionin e kapjes së tyre. Rrethimi u realizua natën, në të gdhirë të datës 30 Maj, të vitit 1948. Në raste të tilla, fillimisht, bllokoheshin rrugët, shtigjet, qafat e maleve, vendet më të lehta për largim, me synimin për të penguar ikjen dhe pastaj kryhej rrethimi i plotë e fillonte operacioni.
Gjashtë sahat n’at maje mali
Me t’pafetë gishtin s’e ndali
Në rrethimin e Dodë Përnocës dhe Kadri Matës kanë marrë pjesë shumë forca, ndoshta rreth një batalion, që kanë kryer disa rrethime. Mobilizimi ishte e të tilla përmasave, sepse ata i njihnin mirë aftësitë e rralla taktike e fizike të Dodës.
Por, më shumë hollësi për këtë ngjarje, jep Prengë Ndue Prengë Lleshi, i shtëpisë së Lleshit të Gjokës. Në atë kohë, ai kishte kishte qenë ushtar i ndjekjes dhe pjesëmarrës në operacionin që ishte organizuar kundër Dodës, në rrethimin e dytë, pasi ushtarët ishin vendosur në pesë rrethime.
Sipas tregimit të Prengës dhe përshkrimeve që kishte bërë vetë Doda për kontrollin e përditshëm që bënte, ngjarja është zhvilluar në këtë mënyrë: Atë ditë, Doda dhe Kadriu u zgjuan si zakonisht dhe vazhduan me regjimin e tyre të përditshëm. Në një moment, u kujtuan t’ia venë veshin ahut, me të cilin kontrollonin vendin. Fillimisht kanë dëgjuar zhurma të largëta, që vinin e dëgjoheshin gjithnjë e më qartë, që do të thoshte se drejt tyre po vinte dikush. Nga mënyra e zhurmës është kuptuar se nuk bëhet fjalë për ndonjë kafshë të egër që kalonte atypari rastësisht, por për njerëz që po vinin drejt tyre.
Në atë situatë, ata kanë marrë armët dhe kanë zënë pozicionet për luftë. Forcat e ndjekjes janë afruar shumë dhe, mesa duket, kishin bindjen se do t’i kapnin në gjumë. Në një distancë shumë të afërt, jo më shumë se 50 metra, ka filluar lufta. Të parët kanë gjuajtur Doda dhe Kadriu, që kishin pozicione të mira mbrojtjeje dhe nuk dalloheshin as nga afër. Pas njëfarë kohe, në luftë e sipër, është vrarë Kadri Mata dhe Doda e ka vazhduar rezistencën i vetëm.
Nga ajo largësi e vogël, rrethuesit e kanë kuptuar se po luftonin vetëm me një person dhe se tjetri ishte vrarë. Lufta ka vazhduar dhe, meqenëse qëllohej afër, nga shënjestrat e pagabuara të Dodës e të Kadrisë, mund të ketë pasë mjaft të vrarë e të plagosur nga forcat e ndjekjes, por që nuk u bënë të njohur asnjëherë...
Gjatë gjithë kohës, në adresë të Dodës, vinin thirrjet që të dorëzohej, por merrnin si përgjigje vetëm plumba. Arma e Dodës vazhdoi e vetme të shtënat deri në një moment, pastaj heshti. Atëherë ushtarët shkuan drejt tij dhe e gjetën të vdekur...
Kështu i dhanë fund jetës me armë në dorë Dodë Bibë Përnoca dhe Kadri Mata.
E gjithë jeta e Dodës kishte qenë luftë. Fillimisht luftë me mungesat e mëdha që ia dha jeta, duke e lënë jetim që në moshë të vogël, pastaj luftë për mbijetesë e, në vazhdim, luftë për të mbrojtur emrin e të parëve, kur ligji i vendit ia kërkonte këtë.
Në fund, u gjend i përfshirë në një luftë për politikë, çka ishte ajo që i interesonte më së paku. Një djalë pa shkollim, por me inteligjencë të admirueshme. Doda nuk kishte menduar asnjëherë për karrierë, detyra e ofiqe.
Ishte aktivizuar në Milici, në një kohë të trazuar, si dhjetra mirditorë të tjerë, ku kishte punuar me përkushtim e përgjegjësi. Ishte trim dhe besnik, por këto cilësi të admirueshme binin ndesh me mentalitetin e ri që mbolli dhe kultivoi në shoqërinë shqiptare, nëpërmjet pjella-veglave të tij, regjimi komunist.
Doda qëndroi në malet e Mirditës dhe të Kukësit. Ai, u nda prej shokëve të tij të malit, kur ndoshta s’kishte rrugë tjetër, por nuk u nda nga llogoret e përbashkëta. Në fund, fati e lidhi me një surrojas, Kadri Matën, luftëtar i hallit të përbashkët, edhe ai njeri që nuk përmendet kund për keq, madje as në letrat e atyre që donin ta vrisnin. U rrethuan dhe qëndruan si trima të vërtetë, nuk u dorëzuan dhe nuk u ligështuan, bënë maksimumin e tyre, s’kishin ç’të bënin më tepër.
Ata patën një fund tragjik, por që ishte prolog i jetëve që treguan qëndresë, trimëri, besnikëri e heroizëm. Ata vdiqën si burrat. Për njerëz të tillë, me fuqi të madhe shpirtërore, atdhetare e patriotike, kishte dhe do të ketë gjithmonë nevojë atdheu ynë.
(Vijon nesër…)
Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com