TIRANË-Rritja e bashkëpunimit rajonal dhe e shkëmbimeve tregtare ka qenë në fokus të takimit që drejtori i Doganave Gent Gazheli zhvilloi me drejtorët rajonal të doganave. Po ashtu Gazheli ka theksuar se janë rritur kontrollet në pikat kufitare për të shmangur transportin e lëndëve narkotike.  Në pikat kufitare të vendit janë shtuar kontrollet nga organet shtetërore si policia ashtu edhe dogana për të shmangur trafikimin e lëndëve narkotike.

“Pavarësisht pandemisë, agjencitë ligjzbatuese në kufi kanë shtuar kontrollet në dalje dhe në hyrje, për kamionët e transportit të mallrave, por edhe për automjetet me të cilat udhëtojnë qytetarët, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike dhe vetëm javët e fundit kemi dy raste të evidentimit dhe bllokimit të trafikut të narkotikëve”, tha Gazheli.

Drejtori i Përgjithshme i Doganave Gent Gazheli në takimin e 6 rajonal me drejtorë të doganave te Ballkanit Perëndimor, u shpreh se përpos kontrolleve të shtuara po punohet për të rritur bashkëpunimin rajonal, ku listoi disa nga prioritetet e këtij viti.

“Do të diskutojmë gjerësisht me kolegët mbi: Progresin në fushën e licencimit të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar dhe njohjen reciproke në kuadër të CEFTA.  Linjat jeshile të lëvizjes ndërmjet doganave tona, projekti “Single Ëindoë”. Bashkëpunimin për krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, asistencën e Mbretërisë së Bashkuar në sigurimin e kufijve, digjitalizimin e shërbimeve doganore dhe e-commerce si e ardhmja e shërbimeve tona dhe operacionin Lynx mundësuar nga Organizata Botërore e Doganave”, tha Gazheli.

E pranishme në takim ministrja e Financave Anila Denaj tha se po punohet më tej në digjitalizimin e shërbimeve që merren në doganë, me qëllim eliminimin e radhëve të gjata dhe barrierave burokratike. Denaj theksoi po ashtu se do të punohet edhe për rritjen e shkëmbimeve tregtare.