Administrata Doganore ka miratuar një manual të ri që ndryshon mënyrën si vlerësohen disa automjete gjatë zhdoganimit. Risia kryesore është se, në raste të caktuara, përveç markës, vitit të prodhimit, cilindratës dhe llojit të karburantit, do të merret në konsideratë edhe numri i kilometrave të përshkuara nga makina.

Ky rregull nuk zbatohet për çdo automjet. Sipas Doganave, ai hyn në fuqi vetëm për makinat e prodhuara gjatë 10 viteve të fundit dhe vetëm kur nuk mund të përdoret metoda e transaksionit, pra çmimi me të cilin është blerë automjeti, si edhe metodat e tjera të parashikuara në Kodin Doganor.

Në këto raste, Doganat do të mbështeten te çmimet reale të publikuara në faqe dhe buletine të specializuara për automjete, të përcaktuara në manual. Këto të dhëna do të përdoren vetëm pasi të jenë ezauruar pesë metodat e tjera të vlerësimit të parashikuara në legjislacion.

Për herë të parë, në këtë proces do të merret parasysh edhe kilometrazhi i automjetit. Kjo do të thotë se dy makina me të njëjtën markë, vit prodhimi, cilindratë dhe lloj karburanti nuk do të kenë domosdoshmërisht të njëjtën vlerë doganore nëse kanë bërë numër të ndryshëm kilometrash.

Administrata Doganore sqaron se manuali nuk ndryshon mënyrën e vlerësimit të automjeteve të prodhuara më shumë se 10 vite më parë. Po ashtu, thekson se qëllimi i ndryshimeve nuk është rritja e të ardhurave nga zhdoganimi, por përcaktimi i një vlere sa më reale dhe të njëjtë për automjete me karakteristika të ngjashme, duke reflektuar edhe gjendjen konkrete të secilit mjet në momentin e importit.