Një biznes në Berat është kapur me shkelje gjatë kontrolleve të Doganave dhe gjobitur me 45.7 milionë lekë.

Shkeljet janë konstatuar nga Dega Doganore Berat gjatë kontrolleve në magazinat fiskale, ku janë verifikuar produktet me akcizë, kryesisht pijet alkoolike.

Kontrollet kanë nxjerrë probleme me pullat fiskale, stokun e tyre dhe përputhjen me mallrat që ndodheshin në magazinë. Në verifikim kanë hyrë të gjitha kategoritë, nga lënda e parë te produktet e gatshme.

Ky rast vjen në një kohë kur Administrata Doganore ka shtuar kontrollet në të gjithë vendin për bizneset që merren me mallra akcize.

Sipas Doganave, aksioni do të vijojë, me fokus respektimin e rregullave për pullat fiskale dhe deklarimin e saktë të mallrave.

Sipas të dhënave zyrtare, pjesa më e madhe e detyrimit të biznesit të kontrolluar janë penalitete – 37 milionë lekë, ndërsa vetëm 8.7 milionë lekë janë detyrimi bazë.

Njoftimi i plotë i Administratës Doganore

Administrata Doganore ka shtuar kontrollet për respektimin e detyrimeve ligjore nga subjektet që prodhojnë dhe tregtojnë mallra akcize, kryesisht pije alkoolike.

Kontrollet janë përqendruar në verifikimin e lexueshmërisë së pullave fiskale të vendosura në produktet e gatshme në magazinat fiskale të subjekteve, në kontrollin e gjendjes së stokut të pullave fiskale të operatorëve, si dhe në inventarizimin e plotë të mallrave të akcizës (lëndë e parë, produkte të gatshme dhe produkte të ndërmjetme) në magazinat e tyre. Gjithashtu, është ushtruar kontroll mbi ambientet e mbajtjes së produkteve me akcizë të paguar dhe atyre me akcizë të pezulluar.

Në përfundim të kontrolleve pranë një operatori, Dega Doganore Berat ka konstatuar shkelje të ndryshme, duke vendosur shpalljen debitor të subjektit në vlerën 45.7 milionë lekë. Nga kjo shumë, detyrimi përbën 8.7 milionë lekë, ndërsa penalitetet arrijnë në 37 milionë lekë.

Administrata Doganore mbetet e angazhuar për të vijuar kontrollet në funksion të respektimit të detyrimeve që burojnë nga ligji “Për akcizat”, për të gjithë operatorët ekonomikë.