Një zjarr i ndezur për djegien e mbetjeve bimore u përhap me shpejtësi në dy fshatra të Fierit, duke përfshirë sipërfaqe me ullinj, shkurre dhe bimësi, ndërsa banesat pranë zonave të prekura u vunë në rrezik.

Nga verifikimet e Policisë rezultoi se zjarret ishin ndezur nga dy banorë të zonës për të djegur mbetjet bimore në tokat e tyre. Njëri prej tyre, një 58-vjeçar nga fshati Varibop, u arrestua pasi u kap pranë vatrës së zjarrit që kishte ndezur në tokën që kishte marrë me qira. Sipas Policisë, ai kundërshtoi edhe efektivët gjatë shoqërimit në komisariat.

Ndërkohë, një 78-vjeçare nga fshati Fermë Rroms po hetohet në gjendje të lirë, pasi u kap pranë zjarrit që kishte ndezur pranë banesës së saj. Sipas hetimeve paraprake, në të dyja rastet flakët dolën jashtë kontrollit, duke shkaktuar dëme në pemë frutore dhe bimësi.

Njoftimi i plotë i Policisë 

"Ndezën zjarr në tokat e tyre bujqësore për djegien e mbetjeve bimore, por flakët dolën jashtë kontrollit, duke përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre, ullinj dhe bimësi të ndryshme, si dhe duke rrezikuar banesa pranë zonave të prekura.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, brenda pak orësh bënë të mundur identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të 2 shtetasve, autorë të dyshuar të 2 rasteve të zjarrvënies në fshatra të ndryshëm të qarkut Fier.

Autorët e dyshuar u konstatuan dhe u kapën në flagrancë pranë vatrave të zjarrit që kishin ndezur.

Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë 58 vjeçari me inicialet Sh. Sh., banues në fshatin Varibop, Fier, pasi u kap pranë vatrës së zjarrit që kishte ndezur në tokën e marrë me qira prej tij. Gjatë shoqërimit në ambientet e Policisë, ky shtetas ka kundërshtuar punonjësit e Policisë.

Gjithashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për 78 vjeçaren me inicialet F. P., banuese në fshatin Fermë Rroms, Fier, e cila u kap pranë vatrës së zjarrit që kishte ndezur në afërsi të banesës së saj.

Nga veprimet hetimore paraprake rezulton se zjarret e ndezura prej tyre për djegien e mbetjeve bimore janë përhapur në sipërfaqe të konsiderueshme, duke shkaktuar dëme në bimësi dhe pemë frutore, si dhe duke rrezikuar banesa në afërsi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët që të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve bimore apo për çdo qëllim tjetër, pasi përhapja e flakëve mund të sjellë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin. Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie tjetër, duke iu garantuar anonimat, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm"

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë