Vlorë - Policia e Vlorës ka identifikuar dy të rinjtë të cilët dogjën dy makina të parkuara më 10 nëntor, në lagjen “Isa Boletini”.

Pas hetimeve  të kryera dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë në pranga ka rënë Xhordan Skënderaj, ndërsa bashkëpunëtori i tij Daniel Doda është shpallur në kërkim.

Siç shihet edhe nga pamjet e publikuara nga policia të rinjtë të maskuar pasi i vendosin flakën makinave largohen me vrap nga zona.

"Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vlorë, pas një pune të mirëorganizuar hetimore dhe nën drejtimin e Prokurorisë Vlorë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Double Flames”, në kuadër të të cilit u dokumentua ngjarja e ndodhur më datë 10.11.2025, në lagjen “Isa Boletini”, ku u dogjën me zjarr dy automjete.

Si rezultat, u bë ndalimi i shtetasit Xh. S., 21 vjeç, dhe shpallja në kërkim e shtetasit D. D., 28 vjeç, të dy banues në Vlorë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë djegur me lëndë djegëse dy automjete, tip “Audi” dhe “Suzuki”. Punohet për zbardhjen e motivit, si dhe për kapjen e autorit të dytë", njoftoi sot policia.

Materialet procedurale u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim.