Nga Shijaku në një takim me strukturat drejtuese të PD, Lulzim Basha u shpreh i vendosur se nuk bën asnjë hap pas deri në largimin e Ramës. “Shqipëria sot është një vend pa ligj, pa rregulla, pa drejtësi. Në Shqipëri mbretëron një njeri i vetëm. Të gjitha pushtetet i ka Edi Rama. Ai kontrollon pasuritë dhe paratë e shqiptarëve. Në Shqipëri nuk udhëheq interesi i njerëzve, por sundon vullneti i Edi Ramës.- u shpreh kreu i opozitës. - Ne, nuk do të bëjmë asnjë hap pas për të luftuar tiraninë dhe autokracinë.

Ne nuk do të bëjmë asnjë hap pas për të rikthyer tregun e lirë dhe iniciativën e lirë në duart e shqiptarëve. Nuk do të bëjmë asnjë hap pas deri në largimin e Edi Ramës!” - theksoi kryetari i PD, Lulzim Basha duke dalë edhe njëherë kundër aleatëve të PD-së, që pranuan që të ketë zgjedhje me Ramën në 13 Tetor duke njohur dekretin. Por vetë Basha 'de facto' e ka njohur dekretin e Metës, por 'de jure' nuk u regjistrua, edhe pse KQZ e injoroi tërësisht duke mos e marrë në konsideratë.

Në fund të fjalës së tij, Basha kishte edhe dy premtime lidhur me vendimet e para që do të marrë qeveria e PD-së kur të vijë në pushtet. “Beteja jonë kundër oligarkisë, duke anuluar ligjet me emër oligarku, miratuar nga qeveria Rama dhe duke hetuar dhe anuluar çdo kontratë korruptive PPP-je, do të jenë masat e para që Partia Demokratike do të ndërmarrë që në ditët e para të qeverisjes. Programi pro punësim dhe pro-biznes i PD parashikon vendosjen e taksës së sheshtë prej 9%, rregullimin i politikave fiskale në favor të një plani pro-biznes që do t’i japë frymëmarrjen e nevojshme ekonomisë sonë” përfundoi Basha.