Dokumenti, BE – Shqipërisë:
Zgjidhni president konsensual

Dokumenti, BE – Shqipërisë:<br />Zgjidhni president konsensual
BRUSKEL – Pas 5 ditësh, në Bruksel do të prezantohet qëndrimi i vendeve të Bashkimit Europian lidhur me ecurinë e deritanishme të Shqipërisë dhe MSA (Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit). Ky dokument do të diskutohet në takimin e Këshillit të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, i katërti në llojin e tij.
Korrespondentja e TCH në Bruksel, Arta Tozaj ka publikuar disa prej pikave kryesore të dokumentit konfidencial, i cili nis me këshillat ndaj klasës politike për vijimin e dialogut, zgjedhjen e presidentit sipas frymës së Kushtetutës dhe respektimin e institucioneve të pavarura.

Dialogu politik
“BE kujton se është fillimisht përgjegjësia e udhëheqësve politikë shqiptarë të të gjithë krahëve të lënë mënjanë retorikat konfrontuese dhe duke u përqendruar në axhendën europiane, të punojnë me konstruktivitet në ndërtimin e një konsensusi për reformat e nevojshme. BE nënvizon se suksesi i Shqipërisë në integrimin europian kërkon që ky proces të bëhet pjesë e axhendës kombëtare të vendit për qeverinë, opozitën dhe shoqërinë civile. Rrjedhimisht, arritja e progresit dhe dhënia e rezultateve në reformat kyçe duhet parë si përgjegjësi, por edhe si sukses i ndarë për qeverinë dhe opozitën”.

Zgjedhja e presidentit
“BE nënvizon rëndësinë e një procesi të patrazuar për zgjedhjen e presidentit në përputhje me tekstin dhe frymën e Kushtetutës. BE vëren se sipas Kushtetutës, Presidenti përfaqëson unitetin e popullit dhe për këtë arsye zgjedhja e presidentit duhet të vijë pas një procesi gjithëpërfshirës diskutimesh dhe bashkëpunimi mes të gjitha palëve kyçe të interesuara.
“BE nënvizon rëndësinë e respektimit dhe mosndërhyrjes në punën e institucioneve të pavarura të shtetit si elementë kyç të demokracisë, përfshirë Presidentin dhe Prokurorin e Përgjithshëm”.
Pasi mirëpret votimin e disa ligjeve me shumicë të cilësuar, mënyrën si u zgjodh Avokati i Popullit dhe ngritjen e grupeve të punës për reformën zgjedhore dhe parlamentare, BE vijon me kërkesat për punën që mbetet për t’u bërë.

Parlamenti
”BE mirëpret ngritjen e një grupi pune për ndryshimin e rregullores së Parlamentit dhe progresin e arritur deri më sot. Nënvizon rëndësinë e plotësimit të qetë të procesit, bazuar në një konsensus ndërpartiak dhe të marrjes së masave për të garantuar zbatimin e vërtetë të rregullores. BE nënvizon se funksionimi i duhur i Kuvendit të Shqipërisë, prioritet kyç i opinionit, përfshin përmirësimin e performancës për sa i përket shqyrtimit të legjislacionit dhe funksioneve mbikqyrëse. Një parlament plotësisht funksional i bazuar në një dialog politik konstruktiv e të vazhdueshëm mes partive politike është thelbësor për demokracinë e Shqipërisë.”
“BE bën thirrje për zhvillimin transparent dhe të rregullt të procedurave për dëgjimin dhe votimin e kandidaturave për postet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë.”
“BE kujton se reforma zgjedhore dhe mbajtja e duhur e zgjedhjeve janë prioritete kyçe të Opinionit. BE përsërit rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të bëra nga OSBE/ODIHR dhe nga Komisioni i Venecias për të përmirësuar praktikat e së kaluarës dhe për të garantuar përputhje me standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. BE nënvizon se plotësimi në kohë i reformës zgjedhore është element kyç i marrëveshjes politike të nëntorit 2011 dhe thelbësor duke patur parasysh zgjedhjet parlamentare të vitit 2013.”
Ndër prioritetet e tjera kyçe, gjyqësorit i kushtohet vëmendja dërrmuese, ku kërkohet progres i prekshëm për të garantuar besimin në sistemin e drejtësisë shqiptare, madje edhe ndëshkim të duhur për gjykatësit.

Gjyqësori
“BE kujton se reforma në sistemin gjyqësor, një prioritet kyç i opinionit, mbetet një sfidë e rëndësishme për procesin e integrimit të Shqipërisë. Është thelbësor progresi i prekshëm në reformën gjyqësore për të garantuar besimin në sistemin e drejtësisë, për të luftuar realisht korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe për të mbështetur përpjekjet e reformave dhe përmirësimet në fusha të tjera, përfshirë në ekonomi. BE nënvizon se pavarësia, paanshmëria, transparenca, efektshmëria dhe përgjegjshmëria e gjyqësorit janë elementë kyç në vlerësimin e kriterit politik për anëtarësim në BE dhe janë elementë kyç në garantimin e respektimit për shtetin e së drejtës. Ruajtja e pavarësisë dhe integritetit të institucioneve gjyqësore është thelbësore. Autoriteti gjyqësor duhet të jetë i aftë të punojë në pavarësi, në përputhje me standarde të larta profesionale dhe pa pengesa dhe ndërhyrje të panevojshme. BE nënvizon se në lidhje me këtë, vijon të vëzhgojë së afërmi ndjekjen nga prokuroria dhe gjyqësori të ngjarjeve të 21 janarit 2011. Është thelbësore që këtyre ngjarjeve t’u jepet ndjekja e duhur gjyqësore nëpërmjet një hetimi të plotë dhe të pavarur kriminal, si dhe që hetimet të ndiqen nga akuzat dhe ndëshkimet sipas rastit.
BE kujton se është e nevojshme të garantohen ndëshkimi i përshtatshëm dhe masat disiplinore kundër shpërdorimit të postit dhe shkeljeve të tjera nga gjykatësit, duke respektuar në të njëjtën kohë plotësisht parimet e pavarësisë së brendshme dhe të jashtme të këtyre gjykatësve. Duke u njohur me zhvillimet institucionale në lidhje me emërimin dhe procesin e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, BE përsërit se ky proces duhet të bëhet transparent dhe të bazohet plotësisht në merita. Kërkohen në veçanti procedura për të garantuar pavarësinë politike dhe standardet më të larta etike dhe profesionale të gjykatësve që caktohen në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë. BE nënvizon nevojën për tu angazhuar me konstruktivitet dhe efektshmëri për të luftuar korrupsionin në gjyqësor dhe në lidhje me këtë, përveç masave të tjera të mundshme, inkurajon fort ndryshimin e masave ligjore mbi imunitetin e gjykatësve. BE bën thirrje gjithashtu për masa konkrete dhe reale për të luftuar taktikat për të vonuar seancat gjyqësore, përfshirë mungesat e pajustifikuara të avokatëve, veçanërisht gjatë seancave gjyqësore penale.”
Për administratën publike, luftën kundër korrupsionit, krimit, apo për çështjen e pronave, BE përsërit qëndrimet kritike të një viti më parë, në thelb të pandryshuara.

Administrata publike
“BE nënvizon se ngritja e një shërbimi civil të pavarur, të bazuar në merita, transparent, profesional, dhe të lirë nga ndërhyrjet politike, është një prej prioriteteve kyçe të opinionit. BE nxit autoritetet shqiptare të shënojnë më shumë progres drejt respektimit të qëllimit për të ulur tërësinë e kontratave të përkohshme në administratën publike në 2.5%, siç është vendosur nga një urdhër i Kryeministrit.”

Korrupsioni
“BE nënvizon se lufta e vërtetë dhe e suksesshme kundër korrupsionit përbën një prej fushave thelbësore që duhet zbatuar nga Shqipëria në rrugën e saj të integrimit dhe një prioritet kyç të opinionit. BE vëren se kuadri ligjor dhe strukturat ndër-vepruese janë kryesisht gati, por është zbatimi aty ku shihet një hendek i konsiderueshëm dhe ku rezultatet mbeten të pamjaftueshme. BE vëren se nevojiten gjurmë provash të hetimeve pro-aktive, ndjekjeve penale dhe ndëshkimeve, në mënyrë që Shqipëria të japë rezultate në këtë fushë.
“BE i bën thirrje Shqipërisë të heqë pengesat që vë imuniteti i zyrtarëve të nivelit të lartë publik dhe i gjykatësve ndaj hetimeve të duhura. Inkurajon futjen e masave konkrete për të kufizuar apo për të hequr imunitetin e zyrtarëve të nivelit të lartë dhe gjykatësve, në përputhje me praktikat e standardeve më të mira ndërkombëtare, përfshirë nëpërmjet ndryshimit të pjesëve përkatëse të legjislacionit shqiptar.
BE nënvizon rëndësinë e kryerjes së hetimeve proaktive, bazuar në vlerësimin e rrezikut dhe me objektiva të qarta, përfshirë rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Bërja e përpjekjeve për të përmirësuar bashkëpunimin mes gjithë institucioneve të përfshira në luftën kundër korrupsionit është thelbësore.”

Pronat
“BE i bën thirrje Shqipërisë të përshpejtojë përpjekjet në konsolidimin e të drejtës së pronës, një prioritet kyç i opinionit të Komisionit Europian, nëpërmjet miratimit dhe zbatimit të një strategjie koherente dhe gjithpërfshirëse kombëtare dhe të një plani veprimi për adresimin e proceseve të kthimit, kompensimit dhe legalizimit, të zhvilluar në konsultime të plota me të gjitha palët e interesuara dhe duke marrë parasysh jurisprudencën e Gjykatës të Strasburgut.”

Mediat
Po kështu, i pandryshuar mbetet qëndrimi i BE-së mbi presionet politike e financiare ndaj pavarësisë së medias, por vlerësohen ndryshimet ligjore mbi shpifjen.
“Përsa i takon lirisë së shprehjes, BE mirëpret miratimin e ndryshimeve në Kodin Civil e Penal mbi shpifjen dhe inkurajon Shqipërinë të fokusohet tek zbatimi. Vëren se presionet nga politika e biznesi vazhdojnë të dëmtojnë pavarësinë e medias dhe përkujton rëndësinë e përmirësimit të hapjes dhe transparencës në tregun e medias. BE inkurajon Shqipërinë të forcojë më tepër autonominë editoriale dhe ekonomike të transmetuesit publik. Liria e medias është shtyllë themelore për qeverisjen e mirë e të përgjegjshme.”

Grupet vulnerabël
Rezultate konkrete kërkohen veçanërisht në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve, si dhe për grupet e tjera vulnerabël të shoqërisë.
BE përkujton se marrja e hapave konkretë për të forcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht për gratë, fëmijët dhe Romët, si dhe zbatimi i vërtetë i politikave anti-diskriminim, është një prioritet kyç i Opinionit.

Minoritetet
“BE vëren vendimin e qeverisë shqiptare dhe për pasojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për të hequr informatat që kanë të bëjnë me origjinën etnike në certifikatat e lindjes. I kujton Shqipërisë rëndësinë e garantimit të mosdiskriminimit dhe të respektimit të së drejtës për vetë-identifikim për personat që i përkasin minoriteteve.”

Romët
“Për minoritetin Rom, BE inkurajon Shqipërinë të garantojë se rinovimi i repartit ushtarak të Kombinatit, ku pritet të strehohen 8 familje rome, do të kryhet në kohë dhe sipas standardeve të duhura.”

LGBT
“BE mirëpret vendosjen e një grupi pune për të rishikuar legjislacionin dhe për të zhvilluar masa për forcimin e mbrojtjes të të drejtave të lesbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe transeksualëve (LGBT). BE është gjithsesi e shqetësuar nga deklaratat poshtëruese publike të kohëve të fundit të bërë nga disa politikanë. Inkurajon Shqipërinë të luftojë diskriminimin dhe të përdorë gjithë ekspertizën në dispozicion për të zhvilluar politika me qëllim përputhjen me standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare në këtë fushë.”

Invalidët
“Në lidhje me personat me aftësi të kufizuara, BE i bën thirrje Shqipërisë të përfundojë shpejt, të miratojë dhe të zbatojë një projekt-ligj mbi personat me aftësi të kufizuara i cili duhet të mbulojë të gjitha kategoritë dhe të gjitha aktet nënligjore, përfshirë alokimet buxhetore. Përkujton gjithashtu rëndësinë që Shqipëria të ratifikojë Konventën e OKBve mbi Të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar dhe protokollin fakultativ të kësaj konvente.”

Trajtimi i të burgosurve
“BE i bën thirrje Shqipërisë të gjejë një zgjidhje të përshtatshme dhe përfundimtare për vendosjen e keqbërësve me probleme mendore nën trajtim të detyrueshëm mjekësor me urdhër gjykate. Thekson gjithashtu nevojën për përmirësimin e kushteve gjatë arrestimit apo shoqërimit nga policia. BE kujton se përmirësimi i trajtimit të të ndaluarve në stacionet policore, në qendrat e para-burgimit dhe në burgje, forcimi i ndjekjes gjyqësore të rasteve me probleme shëndetësore dhe përmirësimi i zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit në këtë fushë është pjesë e prioriteteve kyçe të Opinionit.”
Në përfundim të kriterit politik, i cili zë gjysmën e 25 faqeve të dokumentit konfidencial të siguruar nga TCH, qëndrimi i 27 vendeve anëtare të BE-së lavdëron rolin konstruktiv të Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit në rajon.

(aq/TCH/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja