Dy ish-zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, ish-ministri i Ekonomisë Dritan Prifti dhe ish-drejtori i KESH, Andis Harasani janë kallëzuar penalisht në prokurorinë e Tiranës për akuzën e “pastrimit të parave”. Materiali është referuar në organin e akuzës nga Policia e Shtetit dhe më konkretisht nga Drejtoria e Pastrimit të Parave, të cilët teksa kanë pasur në fokus transaksionet bankare të shtetasit gjeorgjiano-izraelite Amiran Dzanashvili,kanë zbuluar se ky i fundit kishte kryer shumë veprime të dyshimta bankare, për sa i përket shitjes, blerjes dhe dhurimit të aksioneve në kompaninë “Tea Oil Italia” dhe “Xhoi-Lloto”.

Për policinë, referuar transkasioneve të kryera, është krijuar bindja se financat e lëvizura kanë burime të paligjshme, duke shfrytëzuar emra kompanish për të bërë pastrimin e tyre nëpërmjet bankave të nivelit të dytë në vend. Gazeta “Shqiptarja.com”, e cila 20 ditë më parë gjatë një shkrimi investigativ zbuloi veprimtarinë fikskale dhe bashkëpunimin të Dznashvilit me Mark Frrokut në Shqipëri dhe aktivitetin me prostituta në Rumani, mëson sërisht se mes të kallëzuarve nga Policia e Shtetit janë dhe biznesmeni i naftës Adrian Xhillari,deputeti Mark Frroku,një pronar televizioni, bashkëshortja e ish-ministrit Prifti, izraeliti Ofer Nimrodi dhe persona të tjerë që kanë kryer transferta miliona euro në banka të nivelit të dytë.

Blerja dhe dhurata

Një shkrim i botuar në “Shqiptarja.com” për blerjen me 1.5 milion euro të 50 për qind të aksioneve të deputetit të PKD Mark Frroku, nga një i arrestuar për shfrytëzim prostitucioni në Rumani, ka vënë në lëvizje oficerët e Drejtorisë së Pastrimit të Parave në Policinë e Shtetit. Nga verifikimet e kryera hetuesit kanë zbuluar të gjithë dinamikën e transaksioneve në tre kompani, ku rezultojnë të jenë emra të njohur të politikës dhe biznesit, Dritan Prifti, Andis Harasani, Adrian Xhillari, Mark Frroku, Ervin Canollari, Y.N, M.P.

Oficerët kanë referuar material në prokurori për kompaninë “Tea Oil Italia”. Kjo kompani është krijuar në QKR në 3 tetor 2012 dhe ka si objekt tregtimin e naftës dhe gazit. Aksioneri kryesor i saj Adrian Xhillari në 9 mars 2013, i ka shitur 51 për qind të aksioneve gjeorgjiano-izraelitit Amiran Dzanashvilit, tashmë të akuzuar në Rumani për shfrytëzim prostitucioni. Çudia ka ndodhur pasi ndryshimi dhe transferimi i aksioneve është bërë në 7 mars 2013, pra dy ditë para se të nënshruhej kontrata mes Dzanazhvilit dhe Xhillarit, veprime këto që konsiderohet të dyshimta për policinë. Mirëpo cudia nuk ka përfunduar, pasi pas 6 ditësh, nga momenti i shitjes, ku në mënyrë misterioze, Amiran Dzanashvili i dhuron sërisht 51 për qind të aksioneve shtetasit Adrian Xhillari. Ky i fundit këtë dhuratë e pranon me anën e një kontratë noteriale të nënshkruar në datën 13 mars 2014.

Futja e Harasanit dhe Bocit

Gati një vit pas dhurimit të 51 për qind aksioneve nga Dzanashvili tek biznesmeni Xhillari, pranë kompanisë së naftës “Tea Oil Italia” ofrohen dy blerës të rinj. Deri në këtë kohë, pas faljes së aksioneve, Ardian Xhillari së bashku me bashkëshorten e tij, janë aksionerët e vetëm të kompanisë. Mirëpo dy personat e paraqitur në kompani quhen Andis Harasani, ish-drejtor KESH-i dhe biznesmeni Kristin Boci.

Të dy së bashku vendosin të blejnë pjesën më të madhe të aksioneve të dhuruara nga Dzanazhvili tek Xhillari dhe më konkretisht blejnë 40 për qind të aksioneve, duke ndarë nga 20 për qind secili. Ky transaksion është realizuar në 22 prill 2014, ku shitës është Adrian dhe Tetuta Xhillari, ndërsa blerës Andis Harasani dhe Kristin Boci. Në total vlera e deklaruar në kontratë është 14 milion lekë, nga 7 milion lekë secili. Momentalisht Boci, Harasani dhe Xhillari janë ende aksionerë në kompani.

Gruaja shet aksionet tek burri

Në skanerin e hetuesve të Drejtorisë së Pastrimit të Parave kanë qënë dhe transaksionet e kryera nga kompania “Premere Services” që tashmë zotërohet nga ish-ministri i Ekonomisë Dritan Prifti.Në këtë kompani të krijuar në 5 nëntor 2010 ka qënë aksioner dhe një pronar televizioni me inicialet Y.N. Në materialin referuar prokurorisë është zbardhur dinamika e transaksioneve të dyshimta të kryera gjatë viteve. Dhe më konkretisht shtetësja me inicialet M.P, i ka shitur 80 për qind të aksioneve bashkëshortit të saj Dritan Prifti, dhe 20 për qind ia ka shitur biznesmenit me inicialet Y.N. Kjo shitje është kryer në 23 janar 2014 dhe se M.P është larguar përfundimisht nga kompania e mësipërme.

Bashkëpunimi me Dzanashvilin

Dy muaj pas blerjes së aksioneve tek bashkëshortja e tij,Dritan Prifti tashmë aksioner me biznesmenin Y.N., futet në bashkëpunim me shtetasin gjeorgjiano-izraelit Amiran Dzanashvilit.Në 2 prill të 2014 Prifti duke u përfaqësuar në emër të kompanisë “Premere Service” blen nga Dzanashvili 5 për qind të aksioneve në kompaninë Xhoi Lloto, duke u bërë aksioner në këtë kompani, së bashku me Dzanashvilin dhe shtetasin tjetër izraelit Ofer Nimrodi. Këto aksione janë blerë me 500 mijë euro, të paktën kjo është shifra e deklaruar në kontratë.

Largimi i biznesmenit Y.N.

Plot 11 muaj nga blerja e aksioneve tek “Premere Service”, një transaksion tjetër bankar ka ndodhur mes ortakëve të kësaj kompanie. Sipas Drejtorisë së Pastrimit të Parave në Policinë e Shtetit biznesmeni me inicialet Y.N, i ka shitur aksionet 20 për qind Dritan Priftit me një vlerë 1 mijë euro të deklaruar në kontratë, duke bërë që momentalisht Prifti të jetë aksionet me 100 për qind në këtë kompani dhe me 5 për qind tek kompania “Xhoi Lloto”.
Miliona euro në “Xhoi-Lloto”

Transferta miliona euro janë evidentuar nga oficerët e Pastrimit të Parave, në kompaninë e basteve sportive “Xhoi-Lloto”, ku protagonistë të këtyre transfertave kanë qënë deputeti Mark Frroku, biznesmeni Ervin Canollari, ish-ministri i Ekonomisë Dritan Prifti, gjeorgjiano-izraeliti Amiran Dzanashvili dhe izraeliti tjetër Ofer Nimrodi. Dinamika e hetimit nga Drejtoria e Pastrimit të Parave tregon se Ervin Canollari në 10 shkurt 2009 i shet 50 për qind të aksioneve Mark Frrokut, në atë periudhë ky i fundit nuk ishte bërë ende deputet. Frroku ka hyrë bindshëm në kompaninë “Xhoi-Lloto”, e krijuar në datën 9 qershor 2008.Kur kishin kaluar gati 4 vjet bashkëpunimi në biznes me Mark Frrokun, biznesmeni Ervin Canollari vendos të shesë 35 për qind të aksioneve tek gjeogjiano-izraeliti Amiran Dzanashvili, me një vlerë astronomike 2 milion euro.

Dzanashvili ofron shokun

Plot katër muaj nga bashkëpunimi me Dzanashvilin, Canollari, tashmë që i kishin mbetur dhe 15 për qind të aksioneve në “Xhoi-lloto” vendos në 25 prill 2013 të shesë këto aksione tek miku i Dzanashvilit, izraeliti Ofer Nimrodi. Ky i fundit një milioner në Izrael, që zotëron një sërë kompanish, përfshirë media, dhe i implikuar disa vite më parë në një komplot për vrasje të kundërshtarit të tij. Nimrodi dhe Dzanashvili kanë pasur njohje mes tyre dhe ka shumë gjasa që për të investuar para në Shqipëri, e ka ftuar Amiran Dzanashvili. Mirëpo këto transaksione sipas Drejtorisë së Pastrimit të Parave janë të dyshimta dhe duhet të hetohen nga prokuroria.

Frroku dhe 80 milionët

Ende pa u mbushur 1 muaj nga largimi nga kompania e basteve, i ortakut të tij Shqiptar Ervin Canollari, Mark Frroku vendos të shesë 20 për qind të aksioneve tek Amiran Dzanashvili. Shitja e këtyre aksioneve është deklaruar në shumën 80 milion lekë të vjetra dhe që mendohet se kjo shifër financiare është deklaruar në mënyrë fiktive. Kjo shitje është bërë një muaj para zgjedhjeve elektorale të 23 qershorit 2013, zgjedhje në të cilat Mark Frroku fitoi mandatin e deputetit në zonën e Pukës.

Superkontrata 1.4 mln euro

Nëntë muaj nga shitja e parë, tashmë që gëzonte dhe mandatin e deputetit Mark Frroku vendos të shesë edhe 30 për qind të aksioneve të “Xhoi-Lloto” tek Amiran Dzanashvili, ku vlera e deklaruar është 1.4 milion euro. Kjo shifër është paguar në 5 këste në një bankë të nivelit të dytë dhe se sipas policisë mendohet se ky transaksion ka shërbyer për ligjërimin e këtyre parave, të cilat dyshohet se rrjedhin nga aktivitet kriminal.

“Tea Oil Italia” krijuar 3/10/2012

1.Adrian Xhillari në 7 mars 2013 i shet 51% të aksioneve Amiran Dzanashvilit.
2.Amiran Dzanashvili në 13 mars 2013, 6 ditë pas blerjes ia dhuron 51% të aksioneve Adrian Xhillarit.
3.Adrian Xhillari në 22 prill 2014 dhe Tetuta Xhillari (Gruaja) shesin nga 20 % të aksioneve Andis Harasanit dhe Kristin Boci.Në total 40 %.Vlera e blerjes 14 mln lek.

“Premere Services” krijuar 5/11/2010
1.Taulant Musabelliu në 25 maj 2012 i shet 65 % të aksioneve M.P, bashkëshortes së ish-ministrit Dritan Prifti, me vlerë nominale 650 mijë lek aksioni.
2.Taulant Musabelliu në 19 shtator 2013 i shet sërisht 35% të aksioneve M.P, bashkëshortes së Dritan Priftit, e cila bëhet me 100 % të aksioneve.
3.M.P, në 23 janar 2014 i shet bashkëshortit të saj Dritan Prifti 80% të aksioneve dhe 20% të tyre ia shet në të njëjtën datë pronarit të një televizioni me inicialet Y.N. Ikën nga kompania M.P.
4.Dritan Prifti në 2 prill 2014 blen në emër të kompanisë “Premere Services” 5 % të aksioneve tek Amiran Dzanashvili në kompaninë “Xhoi-Lloto”.
5.Y.N., 11 muaj pas blerjes së 20 % të aksioneve ia shet ato në 23 dhjetor 2014 ish-ministrit Dritan Prifti. Cmimi caktohet 1 mijë euro në kontratë. Y.N, largohet nga kompania.

“Xhoi Lloto” krijuar 09/06/2008
1.Ervin Canollari në 10 shkurt 2009 i shet 50 % të aksioneve Mark Frrokut, në atë periudhë nuk ishte deputet.
2.Ervin Canollari në 13 dhjetor 2012 i shet 35 % të aksioneve Amiran Dzanashvilit me vlerën 2 milion euro.
3.Ervin Canollari në 25 prill 2013 i shet Ofer Nimrodit 15 % të aksioneve të kompanisë me një vlerë reale jo të deklaruar.
4.Mark Frroku në 20 maj 2013 i shet 20 % të aksioneve Amiran Dzanashvilit me vlerën 80 milion lek të vjetra.
5.Amiran Dzanashvili në 2 prill 2014 i shet 5 % të aksioneve kompanisë “Premere Service” që është në emër të Dritan Priftit. Blerja e aksioneve është bërë me vlerën 500 euro.
6.Mark Frroku në 27 shkurt 2014 i shet 30 % të aksioneve Amiran Dzanashvilit me vlerën 1.4 milion euro. Në muajin korrik 2014 Frroku largohet nga kompania “Xhoi-Lloto”.




(v.gj/shqiptarja.com)

Lajmi u publikua sot(10.05.2015) në gazetën Shqiptarja.com(print)