Memorie.al publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së që i përket vitit 1965, kur regjimi komunist i Enver Hoxhës filloi aksionin për prishjen në masë të objekteve të ndryshme fetare si: kishat, xhamitë, manastiret, tyrbet, teqetë, etj., por ai veprim pati një reagim të forte, jo vetëm nga disa klerikë, kryesisht ata të besimit katolik që shërbenin në Qarkun e Shkodrës, por edhe nga shumë besimtarë nga rrethe të ndryshme të vëndit. Një reagim i tillë erdhi dhe nga besimtarët elbasanas, të cilët i dërguan dy letra Enver Hoxhës, ku i kërkonin që të ndërhynte sa më shpejt për të ndaluar prishjen e xhamisë së Ballijes, sepse për ndryshe, ata do t’i shkonin në Tiranë…?!
Ndonëse regjimi komunist i Enver Hoxhës e kishte filluar goditjen ndaj institucioneve fetare dhe klerikëve të ndryshëm të tre besimeve që me ardhjen e tij në pushtet në dhjetorin e vitit 1944, kur filloi dhe ekzekutimet apo burgosjen e internimet në masë të qindra e qindra klerikëve, ndalimin e fesë dhe prishjen e objekteve të ndryshme të kultit e filloi vetëm në vitin 1965. Ndaj vendimit që kishte marrë udhëheqja e lartë të PPSH-së dhe personalisht Enver Hoxha në atë kohë, për ndalimin e fesë dhe prishjen e shkatërrimin e të gjitha institucioneve fetare e objekteve të ndryshme të kultit, gjë e cila fillimisht u kamuflua, duke i’u atribuar si një niciative dhe kërkese të disa organizatave të rinisë shkollore të gjimnazve të Tiranës e Durrësit, pati mjaft kundërshtime dhe reagime të ashpra si nga besimtarët ashtu dhe nga klerikët e lartë të tre besimeve fetare, që ushtronin veprimtarinë e tyre religjioze në vendin tonë. Por reagimet e klerikëve dhe besimtarëve të ndryshëm u acaruan akoma dhe më shumë kur direktiva e udhëheqjes së lartë të PPSH-së, për prishjen e objekteve të kultit, po bëhej realitet nga drejtues të lartë të partisë e pushtetit në rrethe të ndryshme të vendit, të cilët filluan sulmet ndaj kishave e xhamive, duke ndërsyer fillimisht ndaj tyre nxënësit e shkollave, repartet ushtarake dhe aktivistët fanatikë të organizatave të rinisë. Një ndër këto reagime ishte dhe ajo e disa besimtarëve nga qyteti i Elbasanit, të cilët i dërguan dy letra Enver Hoxhës, ku jo vetëm që i kërkonin ndërhyrjen e tij për të mos u prishur xhamija Ballijes, por ata në letrën e tyre edhe e kërcënuan diktatorin komunist duke i thënë se në rast se nuk ndalohej proshja e asaj xhamie, ata do t’i shkonin në Tiranë. Për më shumë na njohin dy letrat që Memorie.al po i publikon të plota në këtë shkrim.
Letra e besimtarëve elbasanas për Enver Hoxhën
Shokut Enver Hoxha Tiranë
Ashtë letra e dytë që po ju dërgojmë juve shoku Enver dhe për një kohë u ndaluan punëtorët për prishjen e xhamisë Ballje, mirë por sot më dt. 27. X. 1965 filluan prishjen e xhamisë na Xhemiati dhe besimtarët syni ishin të pikëlluar dhe kërkojnë që xhamija në fjalë të mos prishet dhe të qëndrojë në vënd. Ne e dimë që feja është e lirë dhe gëzojmë të gjitha të drejtat fetare dhe prandaj kërkojmë që xhamija Ballje është historike, por në se nuk e pranojmë historike, ta zbukurojmë dhe të rregullohet por vetëm të rrijë xhamija në vënd dhe të mos prishet. Nga fetarët, nga Xhemiatë dhe besimtarët të qytetit Elbasan. Vetëm urdhëri juej ndalon çdo veprim.
Mbesim me shpresë të naltë.
27. X. 1965
Shokut Enver Hoxha
Tiranë
Ashtë letra e tretë që ju dërgojmë dhe asnji gja nuk u ba për xhamin Ballje në Elbasan, por vazhdojnë ta prishin. Asht mëkat i madh që të prishet një xhami si kjo, që asht shumë e mirë dhe që asht në mes të qytetit.
I shkoj fjala dhe Kryetarit të Komitetit të Qytetit se asht xhami ajo që prishet se po të ishte kishë, nuk do të përfundonte kështu dhe Myftiu i qytetit të Elbasanit bashkë me kryetarin e fesë në Tiranë, shikojnë që të marrin pare dhe nuk pyesnin për xhamiat, por shikojnë që të mbushin xhepat e tyre, dhe për xhamijat nuk kanë galje por një gja asht se xhamiat i ka goditur populli dhe populli të pyet se sa e keqe i vjen që prishen xhamiat sot dhe që i kanë bërë depo shumë prej tyre që bijnë në sy se janë mbrena në qytet.
Sa për Myftiun e qytetit ajë e ka bërë si i do qeifi, hoxhallarët e qytetit dhe të fshatit e kanë frikë se ashtu me kobure në brez dhe bajnë si i thotë ajë nga frika se i kërcënon, prandaj e gjithë kjo që ka ardhë krejt me Myftiun e Qytetit ësht bërë, prandaj ne kërkojmë që të mos prishet xhamia sa nuk asht vonë, nëse edhe ne si fetarë i gëzojmë të gjitha të drejtat si ato që nuk besojnë, të na shifet e drejta, ose urdhëroni që të prishen të gjitha xhamiat që kështu ta dimë se ne si besimtar nuk i gëzojmë të drejtat si të gjithë, por të prishen, bashkë me Myftiun e Qytetit, që e ka delenisë fenë deri në këtë gjendje.
Na kërkojmë që xhamia të mos prishet sa nuk është vonë dhe Myftiu të na hiqet fare nga feja. Nëse nuk ndalohet prishja dhe të rregullohet xhamia, ditën e martë më datë 2 do të vijmë një pjesë e besimtarëve që të takojmë me juve që të sqarohemi.
Me nderime Xhemiati dhe besimtarët e qytetit e të fshatrave të Elbasanit.