Dokumenti: Gjithë rrugët
do të kalohen me pagesë

TIRANE- Qeveria po harton strategjinë për të vendosur "trarët" në të gjitha rrugët nacionale, në mënyrë që, të gjithë automjetet që do të kalojnë në to, të paguajnë tarifë për kalimin. Këtë e zbulon një dokument i Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH), që ka shpallur tenderin për konsulencën. Pavarësisht se do të paguhen në vite shifra të kripura për kreditë e marra me interesa të larta në banka tregtare nga qeveria, tani qytetarëve u kërkohet që, veç këtyre borxheve, të paguajnë edhe sa herë të kalojnë mbi një rrugë, që është ndërtuar me paratë e tyre.
Dokumenti
Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim njoftoi me anë të këtij dokumenti se aktualisht po përpunon një projekt të ri për rrugët sëbashku me qeverinë shqiptare, për të financuar ndërtimin e by pass-eve pranë qyteteve të Fierit e Vlorës. Të dyja këto janë nyje të rëndësishme në rrjetin kombëtar të rrugëve, që lidhin segmente rrugore të financuara më parë ngë BERZH-i, thekson ajo.
Por, nëpërmjet këtij investimi, BERZH-i ka ndërmend të mbështetë qeverinë e Republikës së Shqipërisë në reformimin e gjithë sektorit. Objektivat kryesorë të reformës janë përmirësimi i efektivitetit përmes reformave institucionale, komercializimit dhe rritjen e pjesëmarrjes së sektorit privat. Një fushë e rëndësishme që ka nevojë për reforma është financimi i rrugëve. Kjo, jo vetëm për mirëmbajtjen, por edhe në ndërtimin e tyre, thekson BERZH.
Arsyetimi
Vendosja e tarifave të pagesës për kalimin e automjeteve në rrugë ofron mundësinë që të merren të ardhura shtesë në sektorin e rrugëve, ndërkohë që sjell burime financimi të dedikuara për një rrugë të caktuar. Të ardhurat nga pagesa të tilla janë gjithashtu të pavarura nga procesi vjetor buxhetor dhe rritin qendrueshmërinë e të ardhurave nga sektori rrugor, megjithëse mbeten të ekspozuara ndaj riskut të trafikut, thuhet më tej në këtë dokument, që nxjerr qartë pamundësinë e qeverisë për të vijuar shpenzimet buxhetore për rrugët.
Detyrat
Objektivi bazë do të jetë përgatitja e një Strategjie të Pagesave për Kalimin në Rrugë, që do t'i ofronte qeverisë shqiptare një dokument strategjik për ta përdorur për të zbatuar pagesat rrugore. Në këtë kuadër, subjekti që do të angazhohej, do të kishte dy detyra për të zgjidhur. Së pari, të përcaktojë në nivel strategjik çështjen e vendosjes së rrjetit të vjeljes së pagesave për kalimin në rrugë. Dhe, së dyti, të hartojë një politikë tarifore në përputhje me legjislacionin e BE dhe praktikat më të mira në këtë drejtim. Kompanisë i kërkohet të identifikojë një opsion të parapëlqyer për marrjen e pagesës, midis alternativave të tilla si: manuale, elektronike apo e përzier, si dhe midis sistemeve të hapura apo të mbyllura.
Procedura
Procesi i përgatitjes së konsulencës do të zgjatë gjashtë muaj, duke filluar nga shkurti 2012 dhe pagesa do të ishte 150 mijë euro, pa TVSH. Konsulenti duhet të jetë një subjekt apo grup subjektesh që kanë përvojë në fushën e transportit dhe atë financiare, në strategjitë e pagesave të kalimit në rrugë, përvojë në punën në rajonin e Ballkanit dhe të paktën 10 vjet përvojë në aplikimin e pagesave, thekson BERZH.
(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Debat në ‘Studio LIVE’, Merkoçi: SPAK s'merret me hetime anonime, nivel prokurorie qyteti! Demalia: Asnjë fajtor për Gërdecin! Kur do bëhet drejtësi, kur të vdesë Berisha?

Debat në ‘Studio LIVE’, Merkoçi: SPAK s'merret me hetime anonime, nivel prokurorie qyteti! Demalia: Asnjë fajtor për Gërdecin! Kur do bëhet drejtësi, kur të vdesë Berisha?