Dokumenti i 1968, fletërrufe në punë
në shkolla dhe në sheshet e Tiranës

Dokumenti i 1968, fletërrufe në punë<br />në shkolla dhe në sheshet e Tiranës
Fletërrufetë ishin një prej levave me të cilat regjimi komunist depërtonte në çdo pakënaqësi të popullit, në çdo qëndrim kundërshtues, apo lakmi, zili e keqdashje. Përmes tyre shqiptarët ishin vënë në një skaner gjigant ku shihej se si djali kritikonte publikisht të atin, nxënësi mësuesin apo anasjelltas, vartësit shefin, një ndërmarrje kritikonte e vinte para përgjegjësisë një tjetër ndërmarrje me të cilën kishte lidhje pune apo konkurrencë.

Në qendra fshatrash e qytetesh nëpër shkolla, qendra pune, apo dikastere, kudo ishte vendosur këndi i fletërrufeve ku pretendohej të nxirrej në dritë gjithçka që duhej të kritikohej e të ndreqej sipas rregullave e udhëzimeve të regjimit.

Kulmi i kësaj fushate që vijoi deri në fund të viteve’80 u arrit në vitin 1968, kohë kur ndikimi i revolucionit kulturor kinez kishte zaptuar çdo sferë të jetës në Shqipëri. Dokumenti që sjellim sot është një informacion i përgatitur nga sektori i edukimit në Komitetin Qendror të PPSH-së ku jepet me imtësi se si ishte gjendja e fletërrufeve  në Tiranë, pas nj analize 4 ditore në të gjithë qendrat e punës shkollat fillore, 8 vjeçare, gjimnaze e universitet dhe në të gjithë dikasteret qendrore.

Dokumenti na zbulon rëndësinë e kësaj leve për regjimin komunist dhe se si luftohej për ta përforcuar e kthyer në një traditë të shëndoshë këtë “ves” që i shërbente pushtetit.
E sjellim më poshtë të plotë  këtë dokument që mban datën 3 dhjetor 1968 dhe ruhet në fondin e komitetit qendror të PPSH në Arkivin Qendror të Shtetit.
 
Informacion
Nga data 12-16 nëntor në bashkëpunim me shokët e KQ të Bashkimeve Profesionale dhe të KQ të Rinisë, pamë gjendjen e fletërrufeve në më shumë se 20 qendra pune e prodhimi, shkolla fillore, 8-vjeçare, të mesme dhe të larta, dikastere qendrore dhe qendrat e fletërrufeve në kryeqytet.
Si paraqitet gjendja e fletërrufeve?
1. – Në qendrat e punës e të prodhimit.
Gjatë këtyre ditëve u panë 13 qendra pune, prodhimi, dikastere dhe stendat kryesore të rajoneve.

Rezulton se në 8 prej tyre nuk kishte fare fletërrufe. Kështu p.sh. në Uzinën e pjesëve të ndërrimit të Traktorëve, jo vetëm që, në stendën kryesore nuk kishte fletërrufe, por në 7 stenda të reparteve që ne pamë, nuk gjetëm fletërrufe. Disa stenda ishin shndërruar për afishimin e lajmërimeve, programeve të edukimit, ose foto-ekspozita. Sekretari i partisë dhe kryetari i Bashkimeve Profesionale kishin mendimin, se tani s’kemi probleme, prandaj kemi rënie në fletërrufetë.

Në mirëmbajtje-banesa, ka disa muaj, që s’është vendosur asnjë fletërrufe duke e justifikuar se ato vendosen në sektorë e jo këtu.

Në NTSHAI në stendat e fletërrufeve ishin vendosur programe pune, falënderime dhe lajmërime. Aty mbasi pamë fletërrufetë e para na u tha, se para pak kohe nëndrejtoresha e ndërmarrjes, shoqja Hyrjete Ruli me një fletërrufe kritikonte drejtorin e ndërmarrjes shokun Afron Çeli për problemin e mosmarrjes së mendimit kolegjial për urdhrat që lëshon ai si drejtor. Ky problem, mbas përgjigjes së drejtorit, u analizua në organizatën e partisë duke mos e hedhur atë në diskutim në organizatën profesionale. Polemika midis nëndrejtoreshës dhe drejtorit u mbyll para kohe, pa marrë pjesë në diskutim vetë masa. Edhe komiteti i partisë i rajonit kishte orientuar që problemi të mbyllej me konkluzionet e organizatës bazë.

Në Kombinatin Ushqimor gjetëm një fletërrufe të drejtuar nga grupet e punonjësve të NTSHUS-it dhe NTSHAU-t për problemet e cilësisë së dobët të prodhimeve.

U vumë në dijeni se të dyja drejtoritë e mësipërme e kishin bërë këtë fletërrufe nga disa njerëz të administratës pa marrë mendimin e masës dhe të drejtorisë. Ndërsa përgjigjja e Kombinatit Ushqimor ishte vetëm përgjigje e drejtorit dhe e kryeinxhinierit. Përgjigjet e fletërrufeve nuk duhen dhënë pa u diskutuar e shtruar në kolektiv (ashtu siç ndodh në Kombinatin Ushqimor që jepet përgjigje pastaj thuhet në përgjigjen, që do ta shtrojnë në kolektiv, sepse këtu drejtuesi i ndërmarrjes lejon zvarritjen e problemit dhe se përgjegjësinë ia lë kolektivit).

Vlen të theksohet se në shumë lokale të NTSHU dhe NTSHA që kanë të bëjnë direkt me masën konsumatore, jo vetëm që s’kishte asnjë fletërrufe, por edhe kushtet për të shkruar nuk ishin (s’kishte letër, bojë, bile në disa prej tyre s’kishte as stenda).

- Në stendat e fletërrufeve të NTASH mallrave u gjendën fletërrufe ku trajtoheshin problemet ekonomike e sociale si dhe fletërrufe të ardhura nga ndërmarrjet e tjera jashtë rrethit që kanë lidhje me të. Kështu p.sh. fletërrufeja e drejtuar nga kolektivi i minierës së Kurbneshit për mos furnizimin e rregullt të puseve me zhavorr, drejtoria e NTASH i kishte dhënë një përgjigje justifikuese sikur gjoja shkaktar i këtij mos furnizimi ka qenë një ndërmarrje tjetër që s’ka çuar tre punëtorë për ngarkimin e automjeteve, gjë e cila më parë kryhej me mjete të mekanizuara, por që NTASH për leverdi të saj ka hequr këtë mekanizim dhe po lejon që makinat të shkojnë bosh në një kohë kur miniera e Kurbneshit ka nevojë për t’u furnizuar me zhavorr.

Në Ministrinë e Shëndetësisë stendat e fletërrufeve kishin më se dy muaj që ishin kthyer në foto-ekspozita për 25-vjetorin e çlirimit dhe 60-vjetorin e datëlindjes së shokut Enver. Sekretari i organizatës së partisë na tha se gjatë vitit 1967-1968 kemi pasur vetëm 3-4 fletërrufe dhe këto të karakterit nxitës që janë bërë nga byroja e partisë. Një gjendje e tillë ishte edhe në Ministrinë e Arsim-Kulturës, ku nuk kishte fare stendë për fletërrufetë, ndërsa në Ministrinë e Komunikacionit ekzistonte vetëm stenda, por asnjë fletërrufe. Në Ministrinë e Bujqësisë dhe në atë të Tregtisë ka fletërrufe, por përgjigjet e tyre në disa raste jepen si titullarë dhe jo si kolektiv.

Në qendrat e punës, prodhimit dhe dikasteret qendrore vendin kryesor në tematikën e fletërrufeve e zënë problemet ekonomike e sidomos ato të organizimit të punës.

Më pak trajtohen problemet ideologjike dhe sociale. Kështu shpjegohet dhe fakti që në disa organizata partie dhe masash duke mos e konsideruar fletërrufenë si problem të përditshëm bëjnë që të zvarriten disa probleme që ngrihen në to, disa prej tyre t’i kalojnë përciptazi pa i çuar ato deri në fund dhe pa nxjerrë detyra për të ardhmen.

Ekziston mendimi në disa kuadro e punonjës se fletërrufeja është mjeti i fundit, prandaj, që të shkruash duhet menduar mirë, të jesh i matur, të mos e rrezikosh shokun, sepse sot kritikoj unë, nesër më kritikojnë mua etj. Ndrojtja për shkrimin e fletërrufeve është më e theksuar në vartësit për eprorët dhe veçanërisht në gratë dhe të rejat.

Disa drejtues ndërmarrjesh japin përgjigje individuale të fletërrufeve pa i diskutuar në masë, sepse ata ruhen nga “mbledhjet e shumta” që mund të bëjnë me kolektivin.
Disa organizata profesionale, organizata partie dhe rinie pak kanë diskutuar gjendjen e fletërrufeve. Kjo ka bërë, që pak të ketë përgjithësime. Bile dhe disa nga komunistët s’dinin për buletinin nr. 3 të Sekretariatit të KQ të Partisë.
2. Në stendat e fletërrufeve të rajoneve dhe blloqeve të lagjeve.

Në këto stenda gjetëm fletërrufe ku trajtohen shumë probleme, por edhe këtu vendin kryesor e zënë problemet ekonomike, falënderimet dhe më pak trajtohen probleme të karakterit ideologjik. Jehona e Plenumit VI të KQ të Partisë porsa ka filluar të ndihet. Kështu p.sh. ka fletërrufe ku kritikohen njollat e vjetra, shfaqjet e burokratizmit, indiferentizmit dhe intelektualizmit. Ndërsa në stendat e rajoneve nr. 3 dhe nr. 4 ka disa javë që nuk ka fletërrufe.

Shokët e komitetit të partisë të rajonit nr. 4 na thanë se fletërrufetë kooperativistët i vendosin në stendën e rajonit nr. 1 dhe nr. 2, sepse ato janë më në qendër. Na u tha gjithashtu se ky problem megjithëse është trajtuar në aparat,  në mbledhjen e sekretarëve të komitetit të partisë edhe në mbledhjen e sekretarëve të organizatave të partisë prapë se prapë ka hezitime në shkrimin e fletërrufeve. Thuhet se problemet shtrohen dhe sqarohen në mbledhje, prandaj nuk është nevoja që të shkruajnë.

Në fletërrufetë që gjetëm ka kritikë dhe autokritikë paralele. Polemika zhvillohet midis personave, më pak polemikë dhe debate ka midis grupe personash dhe rrallë gjen polemikë ku të marrë pjesë gjithë masa.

Në stendat e blloqeve dhe lagjeve nuk gjetëm asnjë fletërrufe. Organizatat e frontit në lagje pak kujdes tregojnë për to. Stendat ishin në disa raste jo të përshtatshme (bezja e zbardhur, e grisur, mungonte citati i shokut Enver, ishin vendosur në vende jo të përshtatshme etj.).
3. Në shkollat fillore, 8-vjeçare, të mesme dhe Universitet.

Tematika e fletërrufeve në shkolla konsiston në problemet e mësimit, sjelljes brenda dhe jashtë procesit mësimor, në problemet e moralit, marrëdhëniet djem-vajza, mësues-nxënës dhe shfaqje të tjera mikroborgjeze.

Në shkollën “Partizani” është pozitive fakti se kalohet nga një problem i veçantë që shfaqet në disa nxënës duke u bërë problem masiv në tërë shkollën, duke kaluar edhe në probleme të tjera. Problemet e modës, që ishin shfaqur vitin e kaluar në fletërrufe e s’ishin çuar deri në fund; këtë vit u lindi përsëri ky problem dhe po e trajtojnë gjithë organizatat duke rekomanduar edhe literaturë teorike. Komisioni i fletërrufeve, organizata e partisë dhe ajo e rinisë ishin të preokupuara për këtë problem. Sfera e influencës së fletërrufeve ka kaluar kufijtë e shkollës. Janë vendosur fletërrufe në lagje, në qendrat e punës ku bëjnë punën prodhuese nxënësit etj.

Organizatat e rinisë të shkollës “Partizani” për çdo problem të rëndësishëm thërresin edhe prindër për t’i njohur me defektet e punës së fëmijëve të tyre. Kështu p.sh. kur prindi Fadil Vrapi (punonjës në NSHRAK) u vu në dijeni për shfaqjet negative të vajzës së tij (si moda, dëgjimi i muzikës perëndimore nëpërmjet televizionit, mosfrekuentimi i rregullt i orëve të mësimit, mospërgatitja etj.), mbajti një qëndrim pozitiv duke vlerësuar ndihmën e organizatës së rinisë.

Nga nxënësit e shkollave ka fletërrufe si individë, grupe dhe organizata rinie. Ka kritikë paralele midis nxënësve. Nga arsimtarët ka fare pak fletërrufe për njëri-tjetrin. Arsimtarët pak marrin pjesë në polemikat që zhvillojnë nxënësit edhe në këto raste ata të fundit japin fjalën e tyre.

Në shkollën “11 Janari” nuk kishte asnjë fletërrufe. Stendat ishin mbushur me lajmërime. Në shkollën “Emin Duraku”, “Kosova” dhe “Labinoti” kishte fletërrufe midis nxënësve, të cilat ishin bërë si klasë, si shtab ose kompani dhe pak fletërrufe ka nga nxënës të veçantë.

Problemet që ngrihen në fletërrufe në të shumtën e rasteve nuk çohen deri në fund ose mbyllen me një kritikë dhe autokritikë formale pa nxjerrë konkluzione dhe pa u kthyer përgjigje nxënësve që janë të interesuar për problemin. Kështu p.sh. në shkollën e Rezervave të Ndërtimit polemika midis arsimtarit Gani Agoniku dhe mësuesve Ismete Sakiqi dhe Ismate Daiut (për problemet e mosaktivizimit në punën shoqërore) u mbyll në diskutimet që u bënë në organizatën profesionale (në dy seanca), ku një pjesë e arsimtarëve dhanë mendimin që duhet mbyllur polemika se mos e marrë vesh Ministria. Duke mos dhënë përgjigje mësuesi dhe duke mos u sqaruar problemi nga organizata profesionale masa mbeti e paqartë.

Në Universitet u pa Fakulteti Histori-Filologji, Shkencat e Natyrës dhe të Inxhinierisë. Në krahasim me shkollat e mesme lëvizja e fletërrufeve këtu është më e përhapur, por edhe këtu me fushata.

Problemet që trajtohen në fletërrufetë janë: problemet e revolucionarizimit të shkollës, marrëdhëniet student-pedagog si dhe shfaqjet e tjera të indiferentizmit, modës etj. Vlen të theksohet se fletërrufetë këtu dalin në ato raste kur problemi është zgjeruar dhe nuk kapen ato që në fillim.

Kështu p.sh. organizata e rinisë e kursit II të Gjuhës Shqipe të Fakultetit Histori-Filologji megjithëse çdo ditë vinte re shfaqje të huaja te studenti Agim Agolli ajo rrinte indiferente dhe vetëm atëherë kur ai gaboi rëndë organizata e bëri problem diskutimi duke i vënë në dukje të gjitha dobësitë e shfaqjet e tij, që ishin dukur tek ai bile që nga jeta në bazë.

Organizata kishte mundësi që këtë problem ta kapte me kohë dhe të mos e linte problemin që të trashej dhe të arrinte deri atje sa ta përjashtonte nga fakulteti. Disa organizata rinie duke mos e luftuar shfaqjen negative që në embrion, lejojnë trashjen e problemit duke vështirësuar kështu zgjidhjen e tij ose duke i zgjidhur ato me masa ekstreme.

Problem tjetër që trajtohet në fletërrufetë e fakulteteve të USHT është ai i marrëdhënieve student-pedagog. Kështu p.sh. të rinjtë e Fakultetit Histori-Filologji në fletërrufenë drejtuar pedagogut Nesti Havjari ngrenë problemin e mosbesimit të pedagogut ndaj studentëve duke kritikuar tendencat e tij negative si kërcënimet e tij që ai u bën studentëve duke thënë se “do ta shihni në fund të vitit se kush është Nesti Havjari” ose format e tij kërcënuese nëpërmjet kolokiumeve, seminareve etj.

Fletërrufeja që i drejtohet Zija Këlliçit nga studentët e kursit III të Fakultetit të Inxhinierisë për përdorimin e shprehjeve pa vend në auditor ndaj studentëve dhe përdorimi i metodave të vjetra në dhënien e mësimit si dhe fletërrufeja që i drejtohet pedagogut M. Karajani për mbeturinat që ekzistojnë në ndërgjegjen e tij, tregojnë se studentët po ngrenë probleme të rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve student-pedagog në kuadrin e diskutimit popullor për revolucionarizimin e shkollës. Këtu duhet theksuar se studentët po marrin pjesë aktive si individë, grupe dhe organizata, ndërsa pedagogët, jo vetëm që janë të fundit në dhënien e mendimeve, por dhe kur japin mendime ato jepen kolektivisht si katedër, ku mundohen të justifikojnë dhe të mbrojnë në disa raste kolegun e tyre.

Në disa studentë të viteve të treta dhe të katërta ekziston tendenca e kritikës kundrejt pedagogëve që kanë mbaruar me ta mësimet dhe pak kritikë ka midis njëri-tjetrit për të metat e tyre, po ashtu edhe karshi pedagogëve që sot zhvillojnë leksionet me ta.

Problemet, që ngrihen në buletinin nr. 3 të Sekretariatit të KQ të Partisë ku bëhet fjalë “Mbi gjendjen dhe masat për rritjen e rolit të fletërrufeve si një mjet i rëndësishëm për edukimin komunist të punonjësve” mendojmë se nuk janë në qendër të vëmendjes së organizatave të partisë dhe organizatave të masave. Në konsultën që patëm me përgjegjësit e organizatave të masave rezulton se këto shfaqje negative duken edhe në rrethet e tjera, prandaj mendojmë që komiteteve të partisë të rretheve t’u drejtohemi me një letër ku t’u tërhiqet vëmendja për këtë problem.
Këtij informacioni po i bashkëngjitim edhe disa fletërrufe si dhe përgjigjet e tyre.
 
3.12.1968
SEKTORI I EDUKIMIT

flet rrufe dosier




Redaksia Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

'Travel and Tour World': Shqipëria, një yll në rritje në turizmin evropian

'Travel and Tour World': Shqipëria, një yll në rritje në turizmin evropian