Më datë 14.08.2012, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka filluar proçedimin penal për veprat penale të “Vrasjes me dashje” dhe “Prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, vepra këto të parashikuara nga nenet 76-278/2 të K.Penal. Pas hetimeve të kryera dhe administrimit të të gjithë provave të vleresuara si të nevojshme, më datë 07.02.2013 janë përfunduar hetimet e kësaj çështje në ngarkim të të pandehurës;
Nazime VISHA, e datëlindjes 03.03.1994, lindur e banuese në Vilëz të Komunës Zall-BASTAR, Tiranë, kombësi e shtetësi shqiptare, e padenuar, pa profesion, beqare, me arsim tetë klasë, hetuar me masë sigurimi “Arrest në burg” e të mbrojtur nga avokate Vjollca PUSTINA.
AKUZUAR se ka kryer veprat penale të “Vrasjes me paramendim” dhe të “Prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, me pasojë vdekjen e shtetasit Fiqiri MUÇA,vepra këto të parashikuara nga nenet 78/1e 278/2 të K.Penal.
Nga hetimet ka rezultuar si më poshtë vijon:
Viktima, Fiqiri MUCA, banues në fshatin Manëz të rrethit Durrës dhe babai i 5 fëmijëve, prej disa viteve ka qenë i vetëpunësuar në aktivitetin e prerjes dhe transportit të drurëve nga pyjet Burrelit në zonat urbane përreth, aktivitet i cili nuk i ka siguruar të ardhura të mjaftueshme për të mbajtur në kushte normale familjen e tij.
Gjatë punës dhe për shkak të saj, ai është njohur me shtetasin Beqir VISHA, pasi ky i fundit punonte si druvar dhe lëndën drusore që ai e priste, ia grumbullonte kundrejtë pagesës Fiqiriu, i cili, më pas, bënte shitjen e saj sipas kërkesave. Për shkak të frontit të punës, i cili ishte tepër larg shtëpisë së Fiqiriut dhe në pamundësi të plotë për t’u rikthyer çdo natë atje, ai ka qenë ftuar shpesh në shtëpinë e Beqirit, ç’ka i forcoi shumë marrëdhëniet mes tyre, duke e bërë tashmë viktimën të njohur dhe me pjestarë të tjerë të familjes, si gruan dhe dy vajzat e tij që i kishte akoma në shtëpi, të quajtura Lutfije dhe më e vogla Nazime.
Duke kaluar jo pak kohë në këtë familje, viktima ka kërkuar të lidhin edhe miqësi me familjen e Beqir VISHES, duke i kërkuar vajzën e tij, Lutfije, për vëllanë, Vladimir, miqësi e cila është pranuar, duke e bërë tashmë edhe më të ligjëruar dhe më të padyshimtë hyrjet dhe daljet në këtë shtëpi edhe në ato raste kur kryefamiljari i saj nuk ndodhej aty.
Para rreth katër viteve, pra rreth vitit 2008, kohë në të cilën ishte bërë lidhja e krushqisë, në njërën nga ditët e qëndrimit të viktimës në banesën e Beqir VISHES, ai ka gjetur të vetme vajzën e vogël, Nazime, në atë kohë rreth 14 vjeç dhe i ka kërkuar të kryejne marrëdhënie seksuale. Dhe, në fakt, e ka realizuar atë, por pa pëlqimin e kësaj të fundit,-siç pretendon e pandehura Nazime VISHA.
Pas kësaj ngjarje, tashmë i pandehuri, duke patur edhe një motiv më tepër, ka intesifikuar hyrjet e daljet në atë shtëpi dhe sipas rasteve dhe mundësive të ofruara, ai ka shfrytëzuar këto vizita edhe për të vazhduar kontaktet seksuale me Nazimen, kontakte këto të cilat, sipas saj kanë qenë në çdo rast të dhunshme dhe kundër dëshirës. Por asnjëherë nga ana e saj, një situatë e tillë nuk është bërë prezent me ndonjë pjestar të familjes, duke përfshirë këtu edhe të motrën, e cila tashmë ishte pjestare e familjes MUCAJ.
Në fillim të muajit Janar të vitit 2012, deklaruesi Beqir ka patur një kërkesë për të fejuar dhe vajzen e fundit, Nazimen, me një djalë nga Vaqarri, gjë e cila është pranuar prej tij, përveç të tjerave për faktin se ai ishte emigrant në Itali dhe mund ta merrte Nazimen shumë shpejt me vehte. Për ta bërë fakt të kryer, I fejuari u ka dërguar familjarëve të tij paratë për pasaportën dhe dokumenta të tjera të nevojshme të udhëtimit në Itali për Nazimen.
Fejesa e Nazimes tashmë, në pamje të parë, duket se ka ndryshuar gjithçka në marrëdhënien e kësaj të fundit me viktimën. Por në fakt jo. E pandehura pretendon se personi në fjalë (FIQIRI MUÇA) e kishte përjetuar keq këtë fakt. Sipas saj, në disa raste ai, jo vetëm e ka kërcënuar vetë Nazimen, por edhe ka komunikuar në një rast me të fejuarin e saj, duke i thënë se –ajo nuk mund të fejohet me askënd tjetër- duke nënkuptuar se do të ishte vetëm e tij. Por është pikërisht e pandehura, e cila pikërisht në datat kur po kryheshin bisedimet e fejesës së saj, jo vetëm që nuk ka ndërprerë komunikimet me viktimën, por i ka shprehur në mënyrë të hapur dhe pa asnjë ekuivok besnikërinë e saj për të.
Kështu, në mesazhet e datës 05.01.2012, për një interval kohor prej rreth 90 minutash, nga ora 20.30 deri afërsisht 22.00, ajo ka dërguar 6 mesazhe, duke thënë në të gjitha thuajse të njëjtin premtim se –citoj në dialekt -..”nuk kam për të pranu zemër, gjafsha ty po mos më lërë rrugvet mua dhe danjeloi ..më kokën tonde do vdes amë beso zemër”.
Pas largimit të të fejuarit të saj në Itali, kontaktet me viktimën kanë vazhduar si nëpërmjet telefonatave, ashtu edhe kontakteve fizike edhe në periudhën e pranverës e më tej kur familjet, tashmë të lidhura krushqi, kanë kryer ceremonitë e rastit për ndërrimin e shenjave në Vaqarr. Nazimja, pasi ka ndenjur dhe dy tre ditë më tepër në familjen e të fejuarit të saj, më datë 23.05.2012, së bashku me një të afërmen e saj janë nisur për në fshatin e saj, Vilëz.
Rrugës kanë takuar “rastësisht” viktimën me të vëllain e tij, Vladimirin, bashkëshorti i motrës së saj, Lutfie, të cilët, duke qenë se ishin me makinë i kanë marrë ato dhe i kanë përcjellë deri në shtëpi, ku viktima ka deklaruar se “…do të ikte dhe nuk do të qëndronte për drekë…”.
Pasditen e kësaj date, ndërsa krushqia ishte akoma në shtëpi, nga e ëma deklaruese Mejte është kërkuar vajza Nazime, por nuk është gjetur. Duke deklaruar edhe para të tjerëve se ajo kishte ikur nga shtëpia, fejesa tashmë është prishur zyrtarisht dhe disa ditë më pas prindërit kanë bërë denoncim në polici “për zhdukjen e vajzës” dhe më pas, fare shpejt, është saktësuar se “..ajo ishte larguar së bashku me viktimën për në pyjet e Martaneshit, ku edhe ka ndenjur për rreth 10 ditë.
Pas ndërmjetësimit edhe të familjarëve të Fiqiri Muçës, viktima dhe Nazimja janë dorëzuar fillimisht në Komisariatin e Policisë Mat, e më pas në Komisariatin e Policisë Nr.4 Tiranë, ku kanë deklaruar se ..janë larguar nga familjet me dëshirën e tyre të plotë dhe pa imponim nga askush dhe për asnjë lloj shkaku.
Shtetasi Fiqiri Muça ka sqaruar se është detyruar të largohet me Nazimen për shkak se kjo e fundit i kishte thënë se ishte shtatëzënë dhe, në varësi të situatës, ai mund ta merrte atë edhe në shtëpi për grua, pasi kishte ndërmend të bënte divorc me gruan e parë, Mynyren.
Pas ngjarjes, edhe pse tashmë është bërë e qartë se cilat kanë qenë motivet dhe arsyet e largimit të Nazimes nga familja, tashmë mes familjeve MUÇA dhe VISHA kanë lindur konfliktet ku, megjithëse deklaruesi Zyber MUÇA, babai i viktimës, iu ka thënë se pavarësisht rrethanave, ai do ta merrte Nazimen për djalin, këta të fundit-sipas tij- disa herë e kanë kërcënuar.
Gjithsesi, pas ngjarjes, secili ka shkuar pranë familjeve. E pandehura është strehuar tek gjyshja e saj, Drita Visha, në Krrabë,-sipas shpjegimeve të kësaj të fundit-, për të qenë sa më larg ndikimit dhe mundësisë së kontakteve me viktimën, i cili mund ta kërcënonte Nazimen. Ndërsa Fiqiriu, edhe pas kësaj, është pranuar nga familja e tij, por që siç del nga hetimet e mëtejshme, ai e ka ndjerë veten të rrezikuar.
Më datë 10.08.2012, ai ka shkuar ne Sukth dhe ka takuar deklaruesin M. BARDHI, i vetëpunësuar si shofer taksie, por i palicensuar, i panjohur më parë me të dhe i ka kërkuar nëse mund të shërbente si shofer taksie në ndonjë nga ditët në vazhdim për diku jashtë Durresit. Pasi ky i fundit ka shprehur gatishmërinë, ata kanë shkëmbyer numrat e telefonit dhe të nesërmen, më datë 11.08.2012, sipas tabulateve të thirrjeve telefonike, në orën 16.29, ai i ka telefonuar M.Bardhit, duke i bërë me dije se nesër mbrëma ai ndoshta duhej të lëvizte për atje ku e kishin lënë.
Më datë 12.08.2012, pasdite, ai e ka telefonuar përsëri M.Bardhin dhe rreth orës 20.30 ata janë takuar dhe kanë levizur së bashku, fillimisht për në Durrës, ku kane pirë një kafe diku në një lokal dhe më pas, me insistimin e M.Bardhit, viktima i ka treguar se do lëviznin për Tiranë, duke i kërkuar lëvizjen jo nga autostrada, por nga rruga e Ndroqit.
Pasi kanë mbërritur në Tiranë, gjithmonë pa dalë në rrugë kryesore, mjeti ka marrë rrugën e Elbasanit, për t’u kthyer në një rrugë dytësore pranë Lapidarit të Krrabës dhe pak metra më tutje ai ka ndaluar. Viktima ka zbritur për t’u afruar pranë një shtëpie të rrethuar me avlli dhe me tela. Pasi ka ecur disa hapa, deri sa i është zhdukur shikimit të deklaruesit, pas rreth dy- tre minutash ai ka dëgjuar krisma armësh dhe sakaq ka parë Fiqiriun që po vraponte drejt një lëndine, i ndjekur nga tre persona, dy gra dhe një burrë, të cilët kanë kaluar me shpejtësi.
Pas pak sekondash, tre personat janë kthyer pranë mjetit dhe vajza e re, e identifikuar më pas si Nazime Visha, ka qenë me automatik në dorë dhe pasi është afruar tek mjeti, i kanë kërkuar që ai të dilte jashtë. Deklaruesi është përpjekur të shpjegojë se nuk është veçse një shofer taksie dhe ndërkohë personi mashkull i ka kërkuar të qëndronte aty deri sa të vinte policia për të dëshmuar se çfarë kishte ndodhur.
Policia, e sinjalizuar nga telefonata e bërë nga vetë Nazime Visha me telefonin e xhaxhait të saj në orën 00.43, ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, ku pas veprimeve të para hetimore, është saktësuar dhe janë sekuestruar 29 gëzhoja metalike me ngjyrë bakri në forme shishe me kapsolla të goditura, syze dielli, një armë zjarri automatike, si edhe sende të tjera me vlerë për hetimin, të cilat janë dërguar më pas për ekspertime të mëtejshme.
1. Nga aktet e ekspertimeve teknike, kimike, mjeko-ligjore etj. është konkluduar se:
• Në duart e deklaruesve, familjarë të shtetases Nazime VISHA, si dhe shoferit të taksisë, nuk janë evidentuar gjurmë të faktorëve plotësues.
• Elementë të tillë jane evidentuar në duart e viktimës, Fiqiri Muca, fakt i cili tregon se qitja ndaj tij është bërë në distancë të afërt në një moment kur ai instiktivisht ka vënë duart lart mbi fytyrë.
• Arma e zjarrit, sekuestruar si provë, është automatik luftarak i modelit 56 e kaliber 7.62 mm dhe 29 gëzhojat e fishkëve model 56, kalibër 7.62 të sekuestruar ne vendin e ngjarjes u identifikuan të qitura nga kjo armë zjarri
• Në trupin e viktimës Fiqiri MUCA janë konstatuar dëmtime me armë zjarri në fytyrë, depërtuese në kavitetin e e gojës, kontuzion hemoragjik i trurit me dalje jashtë të përmbajtjes trunore...katër plage me armë zjarri tejshkuese, me vrimë hyrjeje në anën e djathtë të gjoskit, depërtim në kavitet. Këto dëmtime janë shkaktuar me disa qitje të drejtëpërdrejta me arme zjarri.
E akuzuar tashmë për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim” dhe të “Prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, vepra këto të parashikuara nga nenet 78-278/2 të K.Penal, e pandehura Nazime VISHA e pranon dhe saktëson mekanizimin e ngjarjes, i cili në fakt përputhet me atë çfarë ka deklaruar dhe deklaruesi M. BARDHI. Por e pandehura insiston se vrasjen e ka kryer pasi personi në fjalë e ka kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme dhe e ndodhur në këto rrethana, kur ai ka ardhur pikërisht atë natë për ta grabitur, ajo e ka qëlluar me automatikun, të cilin e kishte gjetur në pyll. Pretendimet e saj, në asnje rrethanë nuk rezultojnë të vërteta, pasi:
1. Nuk ka patur ndonjë konflikt mes viktimës dhe të pandehurës, pasi komunikimet mes tyre kanë vazhduar.
2. Deklaruesi M. Bardhi sqaron “se gjatë rrugës viktima ka patur telefonata, ku ai ka dëgjuar shpesh fjalën-shpirt e xhan-.
3. Thirrjet telefonike të bëra numrit të viktimës janë bërë nga numri 06xxxxxxxx, që është numri i gjyshes së saj, së cilës fshehurazi i është marrë nga e pandehura që ka komunikuar me viktimën disa ditë dhe ditën e natën e ngjarjes.
4. Tabulatet e thirrjeve telefonike të realizuara natën e ngjarjes dhe disa ditë më parë tregojnë se ato kanë filluar intesive më datë 11.08.2012, ditë në të cilen viktima ka komunikuar edhe me shoferin e taksisë, si edhe ditën e ngjarjes, rreth orës 10.33 për të vazhduar në telefonatën e fundit, deri në orën 00.23, e cila është diçka me pak se 20 minuta nga njoftimi që i është bërë shërbimeve policore në numrin 129.
5. Në funksion të këtij arsyetimi është edhe fakti se natën e ngjarjes, pjesa më e madhe e thirrjeve të bëra nga numri i mësipërm janë thirrje dalëse, pra është e pandehura që ka telefonuar viktimën.
Pavarësisht qëndrimit të të pandehurës, qëndrim i cili nuk është aspak i sinqertë dhe konseguent, nga tërësia e provave të administruara gjatë hetimit të kësaj çështjeje, konkludohet se akuza është e qartë dhe fajësia e dokumentuar. Tërësia e provave i është bërë e njohur të pandehurës dhe avokates së saj.
Për sa më sipër, në mbështetje të nenit 331/1 te K.P.
KERKOJ
Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurës
NAZIME VISHA
AKUZUAR
Se ka kryer veprat penale të “Vrasjes me paramendim” dhe të “Prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit” me pasojë vdekjen e shtetasit Fiqiri MUÇA, vepra keto te parashikuara nga nenet 78/1 e 278/2 te K.Penal.
Provat
Mjekësia ligjore dhe sms-të “tradhtuan” Nazime Vishën
Ngjarja e cila në momentet e para u perceptua si rast përdhunimi dhe dhune të vazhdueshme psikologjike nga ana e viktimës Muça kundrejt 18-vjeçares, ndryshoi krejtësisht rrjedhë pas hetimeve të vazhdueshme. Ekspertiza mjeko-ligjore vërtetoi deflorimin në moshë të re të vajzës, ndërkohë që sms-të erotike të gjetura në telefonin e Muçës hodhën poshtë përfundimisht versionin e Nazime Vishës. Nga zbardhja e tabulateve telefonike dhe të mesazheve të shkëmbyera mes çiftit, është konfirmuar se gjithçka ka ndodhur me dëshirën e Vishës, e cila i kërkonte vazhdimisht para Muçës. Gjithçka nisi më 13 gusht të vitit të kaluar, ku Fiqiri Muça u ekzekutua me armë zjarri në zonën e Kërrabës. Vetë 18-vjeçarja lajmëroi policinë për ngjarjen dhe pranoi autorësinë, me pretendimin se Fiqiri Muça e kishte përdhunuar që në moshë të vogël dhe se ai kishte qenë shkaku I ndarjes me të fejuarin. Vrasja vijoi me konflikte mes dy familjeve, ku njëra palë pretendonte për përdhunim, ndërkohë që familjarët e Muçës pretendonin se Nazimja e kishte shfrytëzuar për para njeriun e tyre, por nuk kishte qenë ajo personi që e kishte vrarë. Akuzat shkuan deri në pikën kur familjarët e Fiqiri Muçës akuzuan djemtë e familjes Visha, me pretendimin se kishin qenë ata autorët e vërtetë të ngjarjes.
(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)