DOKUMENTI/ Komiteti i Stabilizim-Asociimit: BE të caktojë datën e Konferencës së parë Ndërqeveritare për negociatat me Shqipërinë

DOKUMENTI/ Komiteti i Stabilizim-Asociimit: BE të caktojë datën e Konferencës së parë Ndërqeveritare për negociatat me Shqipërinë

Këshilli Parlamentar i Stabilizimit dhe Asociimit i bën thirrje vendeve të BE-së të caktojnë datën e Konferencës së parë Ndërqeveritare me Shqipërinë.

DOKUMENTI/ DRAFT REKOMANDIME

Komisioni Parlamentar i Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri (KSA) zhvilloi mbledhjen e tij të 14-të në datat 23-24 shkurt 2022 në Tiranë, nën bashkëkryesimin e z. Taulant Balla për delegacionin e Kuvendit të Shqipërisë dhe z. Manolis Kefalogiannis për delegacionin e Parlamentit Europian.

U shkëmbyen mendime me:

– Sh.T. Z. Luigi SORECA, Shef i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, në emër të Komisionit Evropian dhe Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm, në emër të Komisionit Evropian, dhe

– Sh.S. Znj. Olta XHAÇKA, Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme, në emër të Qeverisë së Shqipërisë.

Anëtarët e Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit trajtuan këto çështje:

• Gjendja e marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë;

• Progresi në sundimin e ligjit, duke përfshirë reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit;

• Të drejtat themelore, duke përfshirë të drejtat e pakicave dhe liritë e medias;

• Dialogu politik dhe reforma zgjedhore;

• Shëndeti, duke përfshirë pandeminë COVID-19;

• Energjia, tranzicioni në një ekonomi të gjelbër dhe çështje mjedisore

• Bashkëpunimi rajonal.

Komisioni Parlamentar i Stabilizim Asociimit, në përputhje me rregullën 3 të Rregullores së tij të Procedurës dhe nenin 122 të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, i adreson rekomandimet e mëposhtme Këshillit të Stabilizim Asociimit dhe institucioneve të Shqipërisë dhe të BE-së. Bashkimi:

1. Nënvizon rëndësinë e avancimit të një perspektive të besueshme të anëtarësimit në BE si një faktor kyç për të ruajtur mbështetjen e publikut dhe përkushtimin ndaj zbatimit të vazhdueshëm të reformave gjithëpërfshirëse dhe transformuese; kujton mbështetjen që Parlamenti Evropian i ka dhënë rrugës evropiane të Shqipërisë, ndër të tjera në rezolutën e fundit të 25 marsit 2021, në të cilën shpreh mbështetjen e tij për thirrjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare pa vonesa të mëtejshme; kujton raportin e Komisionit Evropian të datës 19 tetor 2021, i cili rithekson se Shqipëria ka vazhduar të përmbushë të gjitha kushtet e tjera dhe ka bërë progres të mëtejshëm, të konsiderueshëm, të qëndrueshëm në adresimin e prioriteteve të tjera të theksuara nga Këshilli; vëren me shqetësim se Këshilli nuk e ka caktuar ende datën për Konferencën e parë Ndërqeveritare; prandaj, u bën thirrje Shteteve Anëtare të BE-së në bazë të performancës së meritës të bien dakord të miratojnë kornizën negociuese dhe të caktojnë datën për Konferencën e parë Ndërqeveritare dhe, në përputhje me Vendimin e Këshillit të 25 mars 2020, e miratuar nga Këshilli Evropian, për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë;

2. Thekson se integrimi europian përfaqëson aspiratat e brezave të qytetarëve shqiptarë drejt demokracisë dhe prosperitetit dhe se perspektiva e anëtarësimit në BE të bazuar në merita kontribuon në stabilitetin politik, sigurinë dhe rritjen ekonomike të vetë Bashkimit; ripohon rëndësinë e vlerave dhe reformave evropiane në luftën kundër ndërhyrjeve dhe dezinformatave të huaja të drejtpërdrejta dhe të përafërta që tentojnë të destabilizojnë rajonin; mirëpret nivelin e lartë të mbështetjes për integrimin në BE mes qytetarëve shqiptarë, si dhe ndërmjet partive politike; mirëpret pjesëmarrjen e vazhdueshme aktive të Shqipërisë në misionet dhe operacionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe vlerëson përafrimin e plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së;

3. Njeh natyrën transformuese të negociatave të anëtarësimit që do të zhvillohen sipas metodologjisë së rishikuar të zgjerimit; thekson nevojën për një partneritet të ngushtë dhe efektiv në përgjigjen emergjente ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë, duke përgëzuar mbështetjen shëndetësore dhe socio-ekonomike të BE-së për Shqipërinë;

4. Përshëndet progresin e reformës së drejtësisë në Shqipëri, e cila përfaqëson një hap kyç drejt një sistemi gjyqësor të lirë dhe të pavarur dhe një bazë solide për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; mirëpret fillimin e ushtrimit të funksioneve të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Strukturës së Specializuar për Antikorrupsionin dhe Krimin e Organizuar (SPAK), si dhe rezultatet e prekshme të rivlerësimit të përkohshëm të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i vettingut); vlerëson punën e plotë të kryer nga institucionet e vettingut dhe bashkëpunimin me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit (IMO) dhe Komisionerin Publik; mirëpret zgjatjen e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), i cili është thelbësor për konsistencën dhe integritetin e procesit, siç konfirmohet nga opinioni i Komisionit të Venecias për këtë çështje; inkurajon Shqipërinë të mbështesë e të intensifikojë më tej përpjekjet për të rivendosur integritetin e gjyqësorit, për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar; thekson domosdoshmërinë për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e drogës; Ngre shqetësimin për korrupsionin e nivelit të lartë të theksuar në raportin e TI-së dhe inkurajon drejtësinë për të luftuar korrupsionin kudo që ai shfaqet pavarësisht nga statusi politik, institucional apo social i personave të përfshirë në akte korruptive.

5. Mirëpret përparimin që Shqipëria ka bërë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të drejtave themelore; inkurajon përpjekjet e mëtejshme për të mbrojtur të drejtat themelore, duke përfshirë të drejtat e pakicave, në përputhje me Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian; mirëpret miratimin e legjislacionit dytësor në lidhje me Ligjin Kuadër të 2017 për mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe i kërkon Shqipërisë që të miratojë dhe zbatojë me shpejtësi aktet nënligjore të mbetura, veçanërisht për vetëidentifikimin dhe përdorimin e gjuhëve të pakicave, në përputhje me standardet evropiane dhe me përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara; dhe përgëzon Shqipërinë për rolin e saj të rëndësishëm në pranimin e refugjatëve afganë, duke i shpëtuar ata nga shtypja dhe kërcënimi i jetës së tyre;

6. Përshëndet angazhimin e Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal, vlerëson që Shqipëria ka vazhduar dialogun për të siguruar marrëdhënie të mira fqinjësore dhe nënvizon rëndësinë e përfshirjes së nismave rajonale; rithekson se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe stabiliteti rajonal janë elementë thelbësorë të proceseve të Stabilizim-Asociimit dhe të zgjerimit; merr shënim pozitiv për përpjekjet e vazhdueshme për të zbatuar një reformë gjithëpërfshirëse të sektorit të tokës dhe për të konsoliduar të drejtat e pronësisë dhe u bën thirrje autoriteteve të vazhdojnë të ndjekin përpjekje të tilla, në mënyrë transparente duke zhvilluar konsultime me të gjithë aktorët përkatës, duke përfshirë adresimin e rasteve të falsifikimit të dokumentet dhe avancimi i shpejtë i procesit për regjistrim dhe kompensim;

7. Njeh kontributin thelbësor të shoqërisë civile dhe medias në zhvillimin e vazhdueshëm të demokracisë në Shqipëri; njeh garancitë kushtetuese të lirisë së shprehjes dhe lirive të medias; megjithatë shpreh shqetësimin dhe i kërkon Shqipërisë të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet për të garantuar lirinë e medias; inkurajon përparimin e mëtejshëm në ushtrimin e lirisë së shprehjes, pavarësisë së medias dhe pluralizmit, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias; bën thirrje për rritjen e transparencës së pronësisë së medias, financimit dhe reklamimit publik;

8. Inkurajon dialogun politik konstruktiv dhe bashkëpunimin e qëndrueshëm ndërpartiak midis partive politike në Shqipëri në të gjitha fushat e politikave, veçanërisht të drejtuara në punën për reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR dhe në adresimin e mangësive zgjedhore duke ndaluar keqpërdorimin e burimeve administrative dhe financiare, presionin ndaj nëpunësve civilë, praktikat e blerjes së votave, rrjedhjen e të dhënave personale të ndjeshme të 900,000 qytetarëve shqiptarë që i bëri votuesit të prekshëm ndaj presionit për përmirësimin e aksesueshmërisë dhe integritetit të zgjedhjeve, duke përfshirë dixhitalizimin, mbrojtjen e të dhënave, aksesin e barabartë në media dhe Rregullat e rishikuara për financimin e partive politike, në përputhje me praktikat më të mira evropiane dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias; mirëpret përparimin e vazhdueshëm për barazinë gjinore dhe vlerëson pjesëmarrjen e shtuar të grave në politikën kombëtare;

9. Nënvizon se BE-ja është ofruesi më i madh i ndihmës financiare për Shqipërinë; kujton mbështetjen e BE-së për rimëkëmbjen e qëndrueshme të Shqipërisë pas tërmetit në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve “Së bashku për Shqipërinë” më 17 shkurt 2020, kur BE-ja dhe donatorët ndërkombëtarë premtuan 1.15 miliardë euro për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 në Shqipëri; premton mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për Shqipërinë në këtë drejtim dhe 1.35 miliardë euro në fondet e para-anëtarësimit të BE-së gjatë periudhës 2007-2020, përfshirë 115 milionë euro grante të BE-së për rehabilitimin dhe rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit të 2019-ës; nënvizon mbështetjen e BE-së për rimëkëmbjen e Shqipërisë pas pandemisë, si dhe mbështetjen prej 180 milionë eurosh në Asistencën Makro-Financiare (MPJ) të disbursuar për Shqipërinë; nënvizon rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional për përgjigjen ndaj pandemisë për të mundësuar masa të shpejta dhe efikase gjatë kësaj krize dhe për ndarjen e zgjidhjeve të fundit për bashkëpunimin ndërinstitucional ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe BE-së;

10. Mirëpret zbatimin e Planit Ekonomik dhe Investimeve të Komisionit për Ballkanin Perëndimor dhe nënvizon se investimet duhet të kontribuojnë në objektivat e Marrëveshjes së Parisit dhe në objektivat e BE-së për dekarbonizimin; nxit autoritetet shqiptare të përpiqen të zbatojnë Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, e cila pasqyron prioritetet e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane dhe Deklaratën e Brdo-s, e cila u miratua në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Brdo pri Kranju më 6 tetor 2021; thekson rëndësinë e masave për biodiversitetin, ujin, ajrin dhe klimën dhe menaxhimin rajonal të mbetjeve.

(Kliko këtu për projekt rekomandimet e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit)

 


Lajmi kryesor:

Parlamenti Europian dhe Kuvendi i Shqipërisë njëzëri: Të përcaktohet sa më parë data për konferencën e parë ndërqeveritare Shqipëri-BE


K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'