Parlamenti Europian dhe Kuvendi i Shqipërisë njëzëri: Të përcaktohet sa më parë data për konferencën e parë ndërqeveritare Shqipëri-BE

TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë dhe Parlamenti Europian i bëjnë thirrje këshillit të BE-së të përcaktojë sa më parë një datë për konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë për hapjen e negociatave. Ky mesazh u përforcua nga një dokument që pritet të miratohet ditën e nesërme nga Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asociimit, i cili ka nisur sesionin e parë të takimit të 14-të.

E pranishme në mbledhje ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, e cila theksoi se Shqipëria ka avcancuar në plotësimin e të gjitha rekomandimeve të Komisionit Evropian dhe po pret miratimin e kornizës negociuese dhe mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

“Politika e jashtme e Shqipërisë është tërësisht në një linjë me politikën e jashtme të BE-së dhe kjo shprehet edhe në rolin e Shqipërisë si një anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit. Shqipëria po ushtron një ndikim mjaft pozitiv në garantimin e sigurisë, paqes dhe stabiliteit në rajon e më gjerë”, tha Xhaçka.

E njëjta gjë është nënvizuar edhe nga Taulant Balla i cili tha se Shqipëria i ka kryer detyrat e saj të shtëpisë. Sipas tij Sqipëria nuk ka qenë kurrë kaq afër ndërmarrjes së hapit më të rëndësishëm atij të vendosjes së marrëdhënieve me Bashkimin Evropian.

Balla u shpreh se vendi ynë është e vendosur të vijojë të arrijë rezultate të qëndrueshme në lidhje me prioritetet kyçe që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe reformën në administratën publike.

“Viti 2021, ka qenë një vit dinamik. Shqipëria nuk ka qenë kurrë kaq afër ndërmarrjes së hapit më të rëndësishëm të marrëdhënies me Bashkimin Evropian. Nën prizmin e aspiratave tona, mosrealizimi i pritshmërive ka qenë i lidhur ngushtë edhe me mosmarrëveshjen ende të pazgjidhur mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Arritjet tona janë pranuar dhe vlerësuar në mënyrë unanime nga të 27 anëtarët e BE. Mundësitë tona për të avancuar në bazë të meritave tona të përmbushjes së kërkesave të Këshillit për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare nuk kanë qenë kurrë më të mëdha e megjithatë, ne vazhdojmë të mbetemi një dëm kolateral i mosmarrëveshjes Bullgari-Maqedoni e Veriut.

Në fjalën e saj, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, nënvizoi se ka ardhur koha që BE të vlerësojë ecurinë e Shqipërisë dhe ta konkretizojë atë më hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

“Dita për të marrë vendime të guximshme, si për Shqipërinë, ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut, ka ardhur prej kohësh. Këtë moment Bashkimi Evropian duhet ta shfrytëzojë e  konkretizojë. Shqipëria ka pranuar me vetëdije të plotë dhe ka përqafuar qasjen e bazuar në merita për bisedimet e anëtarësimit. Ne kemi detyrat tona dhe tani është radha e BE-së për të vlerësuar arritjet tona dhe respektuar premtimet”, tha Nikolla.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, theksoi se Shqipëria ka arritje të prekshme në avancimin e reformave.

“Reforma në drejtësi po shënon progres dhe miratimi i ndryshimeve kushtetuese për zgjatjen e afatit të organeve të vetting-ut me një mbështetje të gjerë është pozitiv dhe duket të pasohet nga konsensusi për çështjet e mëdha të zhvillimit të vendit”, tha ambasadori.

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Isabel Santos, nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së medias së lirë dhe luftën kundër dezinformimit.

Kryetar i Delegacionit të Parlamentit Evropian, Manolis Kefaloiannis nënvizoi se Shqipëria duhet të bëjë më shumë për respektimin e të drejtave të pakicave, mbështetjen e lirinë e medias dhe transparencën e financimit dhe pronësisë së medias.

Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri u mblodh në takimin e 14-të, pas rreth 4 vitesh ndërprerjeje. Ndërkohë, nesër më 24 shkurt do të mbahet sesioni i dytë.

Sesioni u drejtua nga Manolis Kefalogiannis, Kryetar i Delegacionit të Parlamentit Evropian dhe Taulant Balla, Kryetar i Delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë në Parlamentit Evropian. Në mbledhje, përveç anëtarëve të Komitetit nga Parlamenti Evropian dhe Kuvendi i Shqipërisë, mori pjesë dhe përshëndeti edhe Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Olta Xhaçka, dhe Ambasadori i BE-së në Shqipëri, z. Luigi Soreca.

Në mbledhje diskutuan edhe anëtarët e delegacionit të Kuvendit, deputetët Alfred Rrushaj, Toni Gogu, Enkelejd Alibeaj, Famtir Xhafa, Enslemvera Zake, Jorida Tabaku, Ina Zhupa, të cilët prezantuan këndvështrimet dhe vlerësimet e tyre për ecurinë e reformave integruese dhe reformat e tjera në vend.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:12
DOKUMENTI/ Komiteti i Stabilizim-Asociimit: BE të caktojë datën e Konferencës së parë Ndërqeveritare për negociatat me Shqipërinë

Këshilli Parlamentar i Stabilizimit dhe Asociimit i bën thirrje vendeve të BE-së të caktojnë datën e Konferencës së parë Ndërqeveritare me Shqipërinë.

DOKUMENTI/ DRAFT REKOMANDIME

Komisioni Parlamentar i Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri (KSA) zhvilloi mbledhjen e tij të 14-të në datat 23-24 shkurt 2022 në Tiranë, nën bashkëkryesimin e z. Taulant Balla për delegacionin e Kuvendit të Shqipërisë dhe z. Manolis Kefalogiannis për delegacionin e Parlamentit Europian.

U shkëmbyen mendime me:

– Sh.T. Z. Luigi SORECA, Shef i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, në emër të Komisionit Evropian dhe Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm, në emër të Komisionit Evropian, dhe

– Sh.S. Znj. Olta XHAÇKA, Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme, në emër të Qeverisë së Shqipërisë.

Anëtarët e Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit trajtuan këto çështje:

• Gjendja e marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë;

• Progresi në sundimin e ligjit, duke përfshirë reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit;

• Të drejtat themelore, duke përfshirë të drejtat e pakicave dhe liritë e medias;

• Dialogu politik dhe reforma zgjedhore;

• Shëndeti, duke përfshirë pandeminë COVID-19;

• Energjia, tranzicioni në një ekonomi të gjelbër dhe çështje mjedisore

• Bashkëpunimi rajonal.

Komisioni Parlamentar i Stabilizim Asociimit, në përputhje me rregullën 3 të Rregullores së tij të Procedurës dhe nenin 122 të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, i adreson rekomandimet e mëposhtme Këshillit të Stabilizim Asociimit dhe institucioneve të Shqipërisë dhe të BE-së. Bashkimi:

1. Nënvizon rëndësinë e avancimit të një perspektive të besueshme të anëtarësimit në BE si një faktor kyç për të ruajtur mbështetjen e publikut dhe përkushtimin ndaj zbatimit të vazhdueshëm të reformave gjithëpërfshirëse dhe transformuese; kujton mbështetjen që Parlamenti Evropian i ka dhënë rrugës evropiane të Shqipërisë, ndër të tjera në rezolutën e fundit të 25 marsit 2021, në të cilën shpreh mbështetjen e tij për thirrjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare pa vonesa të mëtejshme; kujton raportin e Komisionit Evropian të datës 19 tetor 2021, i cili rithekson se Shqipëria ka vazhduar të përmbushë të gjitha kushtet e tjera dhe ka bërë progres të mëtejshëm, të konsiderueshëm, të qëndrueshëm në adresimin e prioriteteve të tjera të theksuara nga Këshilli; vëren me shqetësim se Këshilli nuk e ka caktuar ende datën për Konferencën e parë Ndërqeveritare; prandaj, u bën thirrje Shteteve Anëtare të BE-së në bazë të performancës së meritës të bien dakord të miratojnë kornizën negociuese dhe të caktojnë datën për Konferencën e parë Ndërqeveritare dhe, në përputhje me Vendimin e Këshillit të 25 mars 2020, e miratuar nga Këshilli Evropian, për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë;

2. Thekson se integrimi europian përfaqëson aspiratat e brezave të qytetarëve shqiptarë drejt demokracisë dhe prosperitetit dhe se perspektiva e anëtarësimit në BE të bazuar në merita kontribuon në stabilitetin politik, sigurinë dhe rritjen ekonomike të vetë Bashkimit; ripohon rëndësinë e vlerave dhe reformave evropiane në luftën kundër ndërhyrjeve dhe dezinformatave të huaja të drejtpërdrejta dhe të përafërta që tentojnë të destabilizojnë rajonin; mirëpret nivelin e lartë të mbështetjes për integrimin në BE mes qytetarëve shqiptarë, si dhe ndërmjet partive politike; mirëpret pjesëmarrjen e vazhdueshme aktive të Shqipërisë në misionet dhe operacionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe vlerëson përafrimin e plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së;

3. Njeh natyrën transformuese të negociatave të anëtarësimit që do të zhvillohen sipas metodologjisë së rishikuar të zgjerimit; thekson nevojën për një partneritet të ngushtë dhe efektiv në përgjigjen emergjente ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë, duke përgëzuar mbështetjen shëndetësore dhe socio-ekonomike të BE-së për Shqipërinë;

4. Përshëndet progresin e reformës së drejtësisë në Shqipëri, e cila përfaqëson një hap kyç drejt një sistemi gjyqësor të lirë dhe të pavarur dhe një bazë solide për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; mirëpret fillimin e ushtrimit të funksioneve të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Strukturës së Specializuar për Antikorrupsionin dhe Krimin e Organizuar (SPAK), si dhe rezultatet e prekshme të rivlerësimit të përkohshëm të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i vettingut); vlerëson punën e plotë të kryer nga institucionet e vettingut dhe bashkëpunimin me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit (IMO) dhe Komisionerin Publik; mirëpret zgjatjen e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), i cili është thelbësor për konsistencën dhe integritetin e procesit, siç konfirmohet nga opinioni i Komisionit të Venecias për këtë çështje; inkurajon Shqipërinë të mbështesë e të intensifikojë më tej përpjekjet për të rivendosur integritetin e gjyqësorit, për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar; thekson domosdoshmërinë për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e drogës; Ngre shqetësimin për korrupsionin e nivelit të lartë të theksuar në raportin e TI-së dhe inkurajon drejtësinë për të luftuar korrupsionin kudo që ai shfaqet pavarësisht nga statusi politik, institucional apo social i personave të përfshirë në akte korruptive.

5. Mirëpret përparimin që Shqipëria ka bërë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të drejtave themelore; inkurajon përpjekjet e mëtejshme për të mbrojtur të drejtat themelore, duke përfshirë të drejtat e pakicave, në përputhje me Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian; mirëpret miratimin e legjislacionit dytësor në lidhje me Ligjin Kuadër të 2017 për mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe i kërkon Shqipërisë që të miratojë dhe zbatojë me shpejtësi aktet nënligjore të mbetura, veçanërisht për vetëidentifikimin dhe përdorimin e gjuhëve të pakicave, në përputhje me standardet evropiane dhe me përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara; dhe përgëzon Shqipërinë për rolin e saj të rëndësishëm në pranimin e refugjatëve afganë, duke i shpëtuar ata nga shtypja dhe kërcënimi i jetës së tyre;

6. Përshëndet angazhimin e Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal, vlerëson që Shqipëria ka vazhduar dialogun për të siguruar marrëdhënie të mira fqinjësore dhe nënvizon rëndësinë e përfshirjes së nismave rajonale; rithekson se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe stabiliteti rajonal janë elementë thelbësorë të proceseve të Stabilizim-Asociimit dhe të zgjerimit; merr shënim pozitiv për përpjekjet e vazhdueshme për të zbatuar një reformë gjithëpërfshirëse të sektorit të tokës dhe për të konsoliduar të drejtat e pronësisë dhe u bën thirrje autoriteteve të vazhdojnë të ndjekin përpjekje të tilla, në mënyrë transparente duke zhvilluar konsultime me të gjithë aktorët përkatës, duke përfshirë adresimin e rasteve të falsifikimit të dokumentet dhe avancimi i shpejtë i procesit për regjistrim dhe kompensim;

7. Njeh kontributin thelbësor të shoqërisë civile dhe medias në zhvillimin e vazhdueshëm të demokracisë në Shqipëri; njeh garancitë kushtetuese të lirisë së shprehjes dhe lirive të medias; megjithatë shpreh shqetësimin dhe i kërkon Shqipërisë të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet për të garantuar lirinë e medias; inkurajon përparimin e mëtejshëm në ushtrimin e lirisë së shprehjes, pavarësisë së medias dhe pluralizmit, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias; bën thirrje për rritjen e transparencës së pronësisë së medias, financimit dhe reklamimit publik;

8. Inkurajon dialogun politik konstruktiv dhe bashkëpunimin e qëndrueshëm ndërpartiak midis partive politike në Shqipëri në të gjitha fushat e politikave, veçanërisht të drejtuara në punën për reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR dhe në adresimin e mangësive zgjedhore duke ndaluar keqpërdorimin e burimeve administrative dhe financiare, presionin ndaj nëpunësve civilë, praktikat e blerjes së votave, rrjedhjen e të dhënave personale të ndjeshme të 900,000 qytetarëve shqiptarë që i bëri votuesit të prekshëm ndaj presionit për përmirësimin e aksesueshmërisë dhe integritetit të zgjedhjeve, duke përfshirë dixhitalizimin, mbrojtjen e të dhënave, aksesin e barabartë në media dhe Rregullat e rishikuara për financimin e partive politike, në përputhje me praktikat më të mira evropiane dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias; mirëpret përparimin e vazhdueshëm për barazinë gjinore dhe vlerëson pjesëmarrjen e shtuar të grave në politikën kombëtare;

9. Nënvizon se BE-ja është ofruesi më i madh i ndihmës financiare për Shqipërinë; kujton mbështetjen e BE-së për rimëkëmbjen e qëndrueshme të Shqipërisë pas tërmetit në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve “Së bashku për Shqipërinë” më 17 shkurt 2020, kur BE-ja dhe donatorët ndërkombëtarë premtuan 1.15 miliardë euro për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 në Shqipëri; premton mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për Shqipërinë në këtë drejtim dhe 1.35 miliardë euro në fondet e para-anëtarësimit të BE-së gjatë periudhës 2007-2020, përfshirë 115 milionë euro grante të BE-së për rehabilitimin dhe rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit të 2019-ës; nënvizon mbështetjen e BE-së për rimëkëmbjen e Shqipërisë pas pandemisë, si dhe mbështetjen prej 180 milionë eurosh në Asistencën Makro-Financiare (MPJ) të disbursuar për Shqipërinë; nënvizon rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional për përgjigjen ndaj pandemisë për të mundësuar masa të shpejta dhe efikase gjatë kësaj krize dhe për ndarjen e zgjidhjeve të fundit për bashkëpunimin ndërinstitucional ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe BE-së;

10. Mirëpret zbatimin e Planit Ekonomik dhe Investimeve të Komisionit për Ballkanin Perëndimor dhe nënvizon se investimet duhet të kontribuojnë në objektivat e Marrëveshjes së Parisit dhe në objektivat e BE-së për dekarbonizimin; nxit autoritetet shqiptare të përpiqen të zbatojnë Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, e cila pasqyron prioritetet e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane dhe Deklaratën e Brdo-s, e cila u miratua në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Brdo pri Kranju më 6 tetor 2021; thekson rëndësinë e masave për biodiversitetin, ujin, ajrin dhe klimën dhe menaxhimin rajonal të mbetjeve.

(Kliko këtu për projekt rekomandimet e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit)

 

Ora 18:53
Alibeaj në Komisionin e Stabilizim-Asociimit: Harta e re gjyqësore po bëhet se gjykatat janë në kolaps! Xhafaj: E nevojshme për të pasur trupa më profesionale

Në takimin e 14-të të Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit, kreu i grupit të parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka ngritur çështjen e hartës së re gjyqësore të propozuar nga KLGJ dhe Ministria e Drejtësisë. Sipas tij, propozimi i ri për shkrirjen e Gjykatave të Apelit nga 12 në 1 të vetme në gjithë vendin largon shërbimin nga qytetarët. Sipas Alibejat, kjo masë është marrë për shkak se Gjykatat e Shkallës së Parë dhe Gjykatat e Apelit kanë mbetur pa gjyqtarë.

“Për çështjen e reformës në drejtësi. Gjykata kushtetues ka 7 nga 9 anëtarë. Një anëtar qëndron përtej mandatit. Për 2 muaj e gjysmë 2 të tjerë u mbaron mandati. Rrezikojmë ti kthehemi përsëri tek ngërçi i para disa viteve. GJL miratoi anëtarin e 10. Harta gjyqësore është krijuar për shkak të një problemi, Gjykata e apelit  dhe të shkallës së parë janë zbrazur. Si një mars emergjente është gjetur krijimi i një harte të re gjyqësore që nuk është gjë tjetër veçse koncentrimi i gjykatave të apeli. Sjell një pasojë largimin e aksesit në drejtësi të njerëzve”, tha Alibeaj.

Por, deputeti Fatmir Xhafaj thotë se harta e re gjyqësore e propozuar nga KLGJ është në interes të sistemit gjyqësor për të pasur trupa me profesionale.

“Është në interes jo vetëm të një zgjedhje të momentin, por edhe në interes të nevojshëm për të pasur trupa më profesionale, një trup eficient në dhënien e drejtësisë. Në këtë mënyrë i evitojmë probleme të kësaj natyre. Korniza ligjore nuk të lejon të bësh një gjë ndryshe, asistenca e BE në këtë aspekt do jetë e vëmendshme për ta përputhur këtë zgjidhje me standartet ndërkombëtare”, tha Xhafaj.

Harta e re gjyqësore parashikon 12 gjykata të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, dhe vetëm 1 gjykatë apeli për juridiksionin e përgjithshëm dhe 1 për atë administrativ. Sa i përket gjykatave të shkallës së parë administrative parashikohet të jenë 2, në Lushnjë dhe në Tiranë nga 6 që ishin gjithsej.  Pra, nga propozimi konkludohet që nga 36 gjykata që janë aktualisht të ngelen 16.

Ora 17:59
Balla: Gjykata e Lartë dhe Kushtetuese janë bërë funksionale! I përgjigjet Rushaj: Nuk është sukses, keni lënë qytetarët pa shërbime për vite me radhë

Në takimin e 14-të të Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit, kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka renditur sukseset e reformës në drejtësi, ku nuk la pa përmendur edhe dy ish ministrat që janë pas hekurave, Saimir Tahirin dhe Lefter Kokën. Balla foli edhe për vënien në funksion të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.

“Sot është fakt që dy ish-ministra janë para drejtësisë, njëri me vendim, ndërsa tjetri me akuzë të ngritur nga prokuroria. Kjo tregon që kjo maxhorancë mbështetjen ndaj reformës në drejtësi e ka pasur jo vetëm bindje, por edhe fakte konkrete për rezultatet. Shqipëria vazhdon të zbatojë reformë të plotë dhe gjithëpërfshirëse në drejtësi. Gjykata kushtetues e përbëhet nga 7 anëtar, nga 8 gjithsej, ka dhënë një sërë vendimesh që nuk vihen në diskutim i pëlqen apo jo njërës palë. Sa kohë që Shqipëria i ka përmbushur detyrat e veta koha është që edhe Shqipëria të mos mbetet dëmi kolateral mes bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut”, tha Balla.

Por, Alfred Rushaj nga PD i ka kërkuar Taulant Ballës që të mos i cilësoj suksese të jashtëzakonshme vënin në funksion të dy gjykatave, por duhet tu kërkojë ndjesë qytetarëve që politika me veprimet e saj ka lënë këto gjykata jashtë funksionimit.

“Konsiderojnë si suksese bërjen funksionale gjykatën kushtetuese megjithëse edhe jo në numër jo të plotë. Bërjen jo funksionale jo larg numrit të plotë të GJL. Do iu lutesha që gjitha kolegëve që në respekt të qytetarëve mos ta përmendin si sukses të jashtëzakonshëm, por ti kërkojë ndjesë që me veprimet tona për shumë vite GJK dhe GJL nuk kanë qenë funksionale. Nuk dua të them që reforma në drejtësi nuk ka pas edhe anët e veta pozitive, vettingu ka pas anë pozitive”, u shpreh Rushaj.

Ora 17:39
Mblidhet Komisioni i Stabilizim-Asociimit, Xhaçka për krizën Moskë-Kiev: I bashkohemi BE-së për sanksione shtesë ndaj Rusisë

Në takimin e 14-të të Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit mes përfaqësuesve nga vendi jonë dhe Bashkimi Europian, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka foli për qëndrimin e Shqipërisë ndaj Rusisë pas njohjes së pavarësisë së rajoneve të Ukrainës, Donetsk dhe Luhan.

Ajo u shpreh se vendi ynë është tërësisht i linjësuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, ndërsa shtoi se është dakord me shtoi se mbështet vendimin e Bashkimit Evropian për të shtuar sanksionet ndaj Rusisë.

“Shqipëria ka vijuar të jetë tërësisht e linjëzuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, jo vetëm si një sinjal i fortë i angazhimit të vendit në rrugën drejt BE-së, por edhe sepse ndajmë vlerat dhe parimet mbi të cilat kjo politikë ndërtohet. Dhe kjo bëhet edhe më e rëndësishme në këtë kohë të trazuar sfidash ndaj sigurisë sonë të përbashkët evropiane. Sulmet ndaj arkitekturës evropiane të sigurisë e bëjnë edhe më të domosdoshme qasjen e përbashkët të  BE-së dhe rajonit tonë. Shqipëria sapo ka vendosut t’i bashkohet deklaratës së Bashkimit Evropian që dënon fuqishëm vendimin e Rusisë për të njohur rajonet e Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës si entitete të pavarura dhe vendimin që pasoi për të dërguar trupa ruse në këto zona – deklaratë që përcakton se do të ketë sanksione shtesë ndaj Rusisë.”, tha ajo.

Gjatë fjalës së saj Xhaçka tha se në këtë kohë rishfaqjeje të konkurrencës gjeostrategjike në Evropë, është me rëndësi vendimtare që të mos u jepen mundësi aktorëve të tretë që luajnë rol destabilizues në rajonin tonë.

“Nga ana tjetër, në këtë kohë rishfaqjeje të konkurrencës gjeostrategjike në Evropë, është me rëndësi vendimtare që të mos u jepen mundësi aktorëve të tretë që luajnë rol destabilizues në rajonin tonë – me rëndësi vendimtare për rajonin; me rëndësi vendimtare për sigurinë e Bashkimit Evropian. Prandaj ankorimi i rajonit në një perspektivë të qartë, të besueshme, të prekshme, anëtarësimi në BE është bërë më i rëndësishëm se kurrë.”, tha ajo

Komitetit Parlamentar i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri u mblodh në takimin e 14-të, pas rreth 4 vitesh ndërprerjeje.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Berisha me gratë demokrate të LDG: Kjo është qeveria e Luciferit, shqiptarët kanë marrë arratinë! Ministret e Ramës pa forcë morale

Berisha me gratë demokrate të LDG: Kjo është qeveria e Luciferit, shqiptarët kanë marrë arratinë! Ministret e Ramës pa forcë morale