Korça është kthyer në një pikë takimi për 11 artistë vendas e të huaj, të cilët kanë sjellë këndvështrimet e tyre mbi qytetin përmes ekspozitës kolektive “Dola për një shëtitje”.
Artistët, ndër të cilët 3 franceze kanë reflektuar në veprat e tyre mënyrën se si e kanë parë dhe përjetuar Korçën gjatë qëndrimit të tyre.
“Unë vij për herë të parë në Korçë dhe më është dukur një qytet shumë i bukur. Pasi vizitova disa prej zonave në qendër të qytetit, vendosa që në 3 pikturat e mia të sjell një miks me imazhe të cilat ngelën në memorien time, si katedralja e qytetit dhe qentë e macet, pasi unë i dua shumë kafshët”, tha artisti Gil Zinck.
“Unë prej vitesh jam pjesë e rezidencës artistike në Tiranë. Unë vij nga Strasburgu i Francës dhe është një qytet ndryshe nga Korça, ndaj qyteti juaj më ka tërhequr vëmendjen. Kryesisht Pazari i Vjetër dhe lagjet e vjetra më kanë pëlqyer për vetë arkitekturën që kanë. Në këtë ekspozitë unë sjell sot detaje mobiljesh në një art që unë e konceptoj ndryshe, pra në ngjashmërinë që kanë këto shenja me dorën e njeriut. Më pëlqejnë edhe pikturat abstrakte”, tha artistja Sarah Rousse.
“Unë vij nga Nice, një vend në jug të Francës dhe duke qenë se qyteti juaj, pra Korça ka ngjashmëri me vendin tim, edhe sa I takon klimës, jam ndjerë si në shtëpinë time këtu. Në këtë ekspozitë kam sjellë disa punime që janë ndërthurje mes pikturës dhe relieveve, është një përzgjedhje teknikash që unë e aplikoj shpesh. Më e veçanta që kam sjellë në këtë ekspozitë, është portreti i heroit tuaj kombëtar Skënderbeut”, tha artisti Fabien Karp.
Për artistët shqiptarë, rezidenca nuk është vetëm një mundësi ekspozimi, por edhe një hapësirë për shkëmbim idesh dhe teknikash me kolegët ndërkombëtarë.
“Është një pikturë jo e lehtë. Kam dashur të përcjell se jo çdo ëndërr edhe shpresë mund të humbasë. Ajo mund të merret kudo me vete. Kam marrë shumë eksperienca të mira. Kemi bashkëpunuar të gjithë së bashku. Ë kemi shkëmbyer teknika të ndryshme me njëri-tjetrin. Unë zakonisht përdor të gjitha teknikat, po ajo që më pëlqen më shumë mua është penelata dhe realizmi”, tha një artist shqiptar.
Punimet e ekspozuara në Bibliotekën e Qendrës së Kulturës janë frymëzuar nga qyteti, arkitektura karakteristike, Pazari i Vjetër, por edhe nga detaje të jetës së përditshme.










Komente
Komento