I ftuar në studion e lajmeve në televizionin A1Report, Dollapi tha se dështimi i menaxherëve të kësaj kompanie e çoi vendin në një kolaps energjetik, duke ritheksuar vlerësimin e tij për kompaninë mëmë CEZ-Group.
Në një bisedë me gazetaren e A1Report, Mira Kazhani, administratori i ri i CEZ tha se pasi analizuan gjendjen e kompanisë, sëbashku me stafin e tij vlerësuan gjendjen emergjente dhe përcaktuan një afat 2 mujor për rikthimin e energjisë së qytetarëve. “Sot gjithë sasia e nevojshme furnizohet nga KESH”, tha më tej Dollapi.
Ndërprerjet kolektive nuk do të ekzistojnë më. Kështu u shpreh Sahit Dollapi në lidhje me ndëshkimet kolektive të qytetarëve, të cilat kohët e fundit kanë sjellë vazhdimisht protesta të qytetarëve. Dollapi premtoi se ndërprerjet e energjisë do të jenë vetëm për ata persona që nuk paguajnë faturat elektrike, ndërsa theksoi se faturimet do të jenë të ndershme e korrekte.
“Nuk ka më ndërprerje kolektive, por prerje individuale për atë që s’paguan..nuk ka falje të pagesave, të gjitha faturat do të paguhen, janë faturime me korrektësi, s’do ketë tolerime”, tha në studion e A1Report, administratori shtetëror i CEZ.
Gjatë fjalës së tij, Dollapi foli edhe për një rritje të pagave të punonjësve. Në këtë kuadër, Sahit Dollapi sqaroi se përse kërkoi që rroga e tij të ishte 5.5 milionë lekë të vjetra, ndërsa ERE pranoi rrogën me 3 mln.
“Para se të vendosja për kërkesën që do bëja, pyeta se sa e kishte paraardhësi im”, tregon Dollapi. Sipas tij, paga e administratorit të mëparshëm të CEZ ishte 66 mijë euro në muaj. “Mua me këtë pagë që kam sot duhet të punoj 32 vjet që të marr sa merrte ai brenda një viti”, tha Sahit Dollapi.
Në përfundim të bisedës në studion e lajmeve të A1Report, administratori shtetëror i CEZ, Sahit Dollapi, duke iu referuar eksperiencës së “hidhur” së CEZ me qeverinë, deklaroi se “kemi vendosur të jemi të hapur për gjithçka”
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)