Leverdia e kompanive ndërmjetëse ishte se ato përfitonin 25-50% të vlerës së faturës, ndërsa pjesa tjetër kalonte për llogari të çekëve të CEZ-it. Administratori shtetëror Sahit Dollapi sqaroi, në një konferencë për shtyp, se ky fakt ka ndikuar negativisht në performancën e kompanisë CEZ. Kompanitë ndërmjetëse për mbledhjen e borxheve ishin çeke dhe shqiptare dhe të favorizuara nga CEZ-i. Por, me kalimin në administrim shtetëror të kompanisë, këto kontrata u anuluan, pasi Enti Rregullator e quajti këtë procedurë të jashtëligjshme.
Konflikti i qeverisë shqiptare me kompaninë çeke CEZ nisi fillimisht për çështjen e detyrimeve të prapambetura. Të dy palët pretendonin shuma të ndryshme të borxhit dhe nuk gjetën një emërues të përbashkët. Në fund të 2012-ës, qeveria, me anë të një Akti Normativ, kaloi për llogari të CEZ-it shumën prej 1.3 miliardë lekësh, që nuk ishin paguar nga vendorët, por as ky veprim nuk i zbuti marrëdhëniet e acaruara, të cilat u thelluan më tej me mospagimin e detyrimeve të CEZ-it ndaj KESH-it. Në këtë fazë pritet verdikti i arbitrazhit ndërkombëtar, që do të përcaktojë detyrimet e secilës palë.
Pak ditë më parë, ishte deputeti socialist Erjon Braçe, që ka denoncuar abuzimin me kompanitë e grumbullimit të borxhit, duke shtuar se paratë janë përdorur si fonde korrupsioni nga ministra të qeverisë Berisha. “Muaj më parë e denoncova këtë zhvatje, por nuk kisha shifrat në dispozicion, u shpreh Braçe. Tani kemi edhe konfirmimin e zhvatjes marramendëse të kompanisë më tëmadhe në vend. Kjo histori zhvatjeje prej klientëve të Berishës meriton hetim të menjëhershëm”, tha ai.
Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)