Ky është viti i shqiptarëve. Pas Shenjtërimit të Nënë Terezës dhe lumnimit të 40 martireve, tashmë Papa Françesku na surprizon sërish, thotë Famullitari i Shkodrës Dom Artur Jaku, i cili nuk e fsheh lumturinë për shpalljen Kardinal të Dom Ernest Troshanit.
 
“Me të vërtetë që është viti i shqiptarëve. Papa Françesku po vazhdon të na mahnisë me lajme të gëzueshme. Sidomos me atë të shpalljes si shenjtore të Nënë Terezës, me përshpejtimin e procesit të lumnimit të martirëve që do të jetë më 5 nëntor. Edhe ky tjetri është një lajm i gëzueshëm për kishën shqiptare sepse tashmë do të kemi një tjetër kardinal, Dom Ernest Troshani kardinal i Kishës Katolike por mbi të gjitha edhe shqiptare”, u shpreh Dom Arturi.

Dom Arturi bën me dije se ketë të diele, në vigjilje të festës së Zojës, mesha do të mbahet nga Kardinal Ernest Troshani në katedralen "Shen Shtjefeni".

“Ditën e dielë në vigjiljen e festës së Zojës së Shkodrës meshën e vigjiljes ka me udhëheq jo ma Dom Ernesti por eminenca e tij Kardinali Ernest Troshani”, tha Dom Arturi.
 
Papa Françesku këtë të diele në meshën e shenjtë në Vatikan shpalli kardinal nderi Dom Ernest Troshanin.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com