NEW YORK – Donald Trump e ka hedhur poshtë më shumë se një herë idenë se dëshiron të jetë mbret, duke theksuar se vetë fakti që duhet të përballet me pengesa politike për të miratuar vendimet e tij tregon se nuk ndihet aspak i tillë. «Nuk ndihem si mbret. Duhet të kaloj ferrin çdo herë për të miratuar gjërat», ka thënë presidenti në qershorin e kaluar. Dhe të dielën e kaluar ai i përsëriti gazetares së CBS News, Norah O’Donnell, në emisionin 60 Minutes: «Nuk jam mbret. Po të isha mbret, nuk do të merresha me ty».
Një sondazh i vitit 2025 nga YouGov tregon se 52% e amerikanëve besojnë se Trump do të donte të ishte mbret, por ndarja mes votuesve demokratë dhe republikanë është e theksuar: 84% e demokratëve janë të bindur për këtë, ndërsa vetëm 29% e republikanëve e besojnë.
Pyetja iu bë nga gazetarët në mes të akuzave se ai ka zgjeruar tej mase pushtetet e ekzekutivit dhe gjatë protestave të quajtura «No Kings» (jo mbretër) në disa qytete amerikane. Trump dhe aleatët e tij kanë deklaruar nga ana tjetër se, duke e akuzuar si kërcënim për demokracinë, Partia Demokratike dhe disa media po ushqejnë në mënyrë të papërgjegjshme zemërimin kundër tij dhe po frymëzojnë atentate ndaj jetës së tij. Zëdhënësja Karoline Leavitt i përsëriti këto akuza pas atentatit të fundit gjatë darkës së korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.
Kur Shtëpia e Bardhë publikoi në rrjetin social X një foto të Trump-it me King Charles III, me mbishkrimin «DY MBRETËR» dhe emoji-n e kurorës, të martën në mbrëmje, e dinte mirë se çfarë reagimi do të shkaktonte te kritikët e presidentit. Pak më pas, guvernatori Gavin Newsom, aspirant për kandidat demokrat në Shtëpinë e Bardhë, shkroi: «Njëri është Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, tjetri është mbreti i budallallëqeve...».
Profili i Shtëpisë së Bardhë është i njëjti që publikoi edhe një imazh të Groenlandës përballë zgjedhjes mes një të ardhmeje të ndritur nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara ose një të errët nën Kinën dhe Rusinë. Pasi në shkurt presidenti shkroi «Rroftë mbreti» në Truth Social, në lidhje me përpjekjen e tij për të hequr taksën e trafikut në Nju Jork, i njëjti profil i Shtëpisë së Bardhë publikoi një kopertinë të rreme reviste me imazhin e Trump-it me kurorë.
Shumë votues të Partisë Demokratike janë tashmë të alarmuar për një administratë që centralizon pushtetin duke anashkaluar sistemin e «balancave dhe kontrollit» të parashikuar nga Kushtetuta. Ndërkohë, mbështetësit e presidentit thonë se këto postime janë thjesht mënyra piktoreske për të theksuar sukseset e tij dhe për të “trolluar” rivalët politikë. Duke postuar një artikull të Daily Mail që pretendonte se Trump është një kushëri i largët i mbretit Çarls, presidenti shkroi në Truth: «Uau, sa bukur, gjithmonë kam dashur të jetoj në Buckingham Palace!!!».
Është e sigurt që presidentit i pëlqen që imazhi i tij të shfaqet kudo: në ndërtesa publike (nga Departamenti i Punës te ai i Drejtësisë), në biletat për parqet natyrore. Emri i tij është në Qendrën Kennedy, firma e tij do të shtohet në kartëmonedha, ekziston projekti për të prerë një monedhë ari me imazhin e tij dhe Departamenti i Shtetit ka njoftuar një edicion të kufizuar, për 250-vjetorin e pavarësisë (për ata që e kërkojnë), të pasaportës amerikane me fytyrën e presidentit./ Corriere della Serra
Komente








