Real Madridi ka pësuar disfatën e parë të sezonit në La Liga pikërisht në ndeshjen që djeg më shumë. ‘Galaktikët’ humbën 3-1 derbin kundër Atletico-s, që e vulosi një ish si Morata me ‘dopietën’ e tij. Griezman dyfishoi me kokë para se Kroos të shkurtonte diferencat, por gjithsesi e patën të pamundur marrjen e 1 pike. Pas 6 javësh kampionat Real Madrid zbriti në vendin e 3, me 1 pikë më pak se Barcelona dhe Girona kryesuese.
Granda e Myrto Uzunit, i cili luajti titullar, pësoi një tjetër disfatë. Këtë herë kundër Las Palmas me rezultatin 1-0. Goli 3 pikësh u realizua në 92 pavarësisht se vendasit mbetën me 10 lojtarë që pas fillimit të pjesës së dytë.
Në Seria A Roma-s s’i mjaftoi goli i Lukaku-t pasi u ndal në barazim 1-1 kundër Torinos. Për belgun ishte goli i tretë rradhazi te verdhekuqtë e Mourinho-s, por në fund vlejti vetëm 1 pikë.
Në barazim, por pa gola u ndal edhe Napoli. Skuadra kampionë në fuqi e Seria A barazoi 0-0 në transfertën e Bologna-s. Kjo ishte ndeshja e tretë pa fitore e Napolit në kampionat që rriti zërat për shkarkimin e Rudi Garcias.
Në Premier League Neëcastle masakroi 8-0 Shefield United për të siguruar fitoren e dytë rradhazi dhe të 3 sezonale. E veçanta ishte se të tetë golat u realizuan nga autorë të ndryshëm.
Në Ligue 1 Paris SG fitoi 4-0 supersfidën e javës kundër Marseille-s. Për parisienët serinë e golave e nisi Hakimi, ndërsa shkëlqeu sulmuesi Goncalo Ramos me ‘dopietë’.
Përballja më historike në Holandë, ajo mes Ajax dhe Feynoord-it kampion në fuqi, nuk përfundoi këtë javë. Shkak u bënë ultrasit e skuadrës nga Amsterdami që nuk e përtypën rezultatin 0-3 që në pjesën e parë. Pasi e ndërprenë fillimisht për më shumë se 20 minuta, ata bënë të njëjtën gjë edhe kur lojtarët u rikthyen në fushë, duke e ndërprerë përfundimisht sfidën.