I ftuar në studion e Report Tv, Dritan Trepça zv/President i Urdhrit të Mjekut, theksoi edhe një herë kushtet e vështira të punës për këto mjekë.
Sipas Trepçës, ndonëse qëllimi i mjekëve është që të jenë sa më cilësorë, kushtet ku punojnë mjekët e urgjencës janë të vështira.
“Qëllimi i mjekëve të jenë sa më cilësorë, por mjekët e urgjencës punojnë në kushte të vështira. Është rritur kriza e besimit mes mjekut dhe pacientit. Edhe pse në spitale më shumë shërohen se sa ndodhin raste të kundërta, gjithsesi ka një krizë të madhe besimi”, tha Trepça.
Një tjetër problematikë në të cilën u ndal Trepça është edhe largimi i mjekëve nga vendi. Sipas tij ky fenomen është më shumë i pranishëm tek mjekët e rinj dhe jemi përballë një problemi ku duhet vënë gishti.
"Mjekët e kanë iniciativën për tu larguar, por kjo nuk do të thotë se nuk janë larguar më përpara. Ata largohen edhe për një specializim.
Mjekët lëvizin kudo për kushte më të mira për veten e tyre, por edhe kanë ardhur mjekë të huaj në Shqipëri. Faktikisht po ikin një numër i konsiderueshëm mjekësh dhe është për ti vënë gishtin këtij problemi. Shumica që ikin janë mjekë të rinj”, u shpreh Trepça.
Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

VIDEO








