Dorëshkrimi i konsullit Haven:
Hileja e grekëve e serbëve në 1914

Dorëshkrimi i konsullit Haven: <br />Hileja e grekëve e serbëve në 1914
Në këtë numër botojmë pjesën për ekonominë në Raportin e diplomatit amerikan Haven që ishte me mision të posaçëm në Shqipëri nga marsi deri në fund të majit 1919. Gjatë punës së tij në postet e shumta konsullore ku shërbeu, Konsulli Haven kishte për detyrë të vëzhgontet zhvillimet ekonomike e politike, burimet natyrore dhe veçoritë kulturore të rajoneve që mbulonte. Në këtë pjesë Z Haven shpjegon pasuritë natyrore të vendit, përmend pyjet, ullishtat, gjendjen e prapambetur të bujqësisë dhe transporteve. I ndërgjegjshëm për kundërshtimin që haste në popull synimi i Italisë për të mbajtur Vlorën, konsulli Haven, megjithatë, raporton se shqetësimi më i madh i shqiptarëve ishin pretendimet e fqjinjëve të afërt, gjurmët e masakrave të të cilëve shiheshin ende të gjalla në fshatrat e Shqipërisë. Në këtë drejtim, me shumë vlerë janë përshtypjet që ai sjell lidhur me ngjarjet në Shqipëri gjatë Luftrave Ballkanike dhe vuajtjeve dhe torturave të tmerrshme të cilave iu nënshtrua popullsia civile si pasojë e ndërhyrjes së armatosur të vendeve fqinje. Me interes të veçantë janë edhe vëzhgimet e Konsullit Haven për jetën në fshatin shqiptar. Ai i kushton vëmendje edhe rajonit të Bregut, sidomos përshkrimi i murit dhe portës së gurtë në Kalanë e Himarës, dhe të monumentit venedikas në Vunó. Ndofta historianë dhe studiuesit vendas të monumenteve mund të krahasojnë shënimet e diplomatit amerikan me gjendjen reale sot në terren, çka mund të nxisê përpjekjet për mirëmbajtjen, ruajtjen, restaurimin dhe mbrojtjen e tyre nga shteti.
Raporti ka edhe ndonjë moment kontradiktor. Për shembull, në rastin e gjendjes së rrugëve, përshkrimi i tij në Raport dallon nga telegrami i ...përcjellë në numrat e kaluar.
Gjithsesi, Raporti përbën kontribut të vyer në studimet juridike dhe historike shqiptare, pasi përcjell gjendjen reale në vend pas mbarimit të Luftës Botêrore dhe në prag të vendimeve të Konverencës së Paqes të Parisit.

PJESA III / GJENDJA EKONOMIKE
Shqiptarët kqyren si raca më e lashtë në Evropën Juglindore dhe mendohet se janë pasardhës të shtegtarëve arianë. Simboli kombëtar është shqiponja dykrenare kurse fjala Albania ose “Shqipërie” (në gjuhën vendase) do të thotë “vendi i shqipeve të malit”. Qysh prej kohës së qytetërimit të hershëm pellazgjik dhe deri tek qeverisjeve të njëpasnjëshme të Romakëve, Arbërve, Venedikasve dhe Turqve, vendi ka kaluar ndër shumë tallaze, kulmi i të cilave mbërriti ndofta gjatë viteve 1913-1914 kur forcat greke shkretuan Jugun e vendit ndërsa “bandat” serbe kapërcyen kufirin veri-lindor. Shkatërrimi i përgjithshëm ishte aq i plotë, sidomos në jugë, sa Pompei dhe Mesina sot do të shfaqeshin si të parëndësishëm kurse tmerret e kryera ishin të tilla sa nuk do të besoheshin.edhe po të shkruheshin.Pavarësisht nga shekujt e tallazeve, vendi ka ruajtur traditat dhe gjuhën kombëtare. Trima dhe luftëtarë si rrjedhojë e luftrave të vazhdueshme, shqiptarët janë të ndershëm, shumë të zgjuar dhe mikpritës. Burrat e sotëm janë pasardhës të stërgjyshëve të shquar, dhe shumë prej të ashtuquajturëve “heronj” grekë ishin shqiptarë, sikurse edhe Filipi i Maqedonisë. Ishte traditë që truproja e Sulltanit të Turqisë të përbëhej nga shqiptarët, që shquheshin për guximin dhe ndershmërinë e tyre të mirënjohur. Ndër heronjtë kombëtarë më i njohuri, pa dyshim, është “Skënder-Beu”, një udhëheqës i madh që u qëndroi dhe i mundi turqit për vite me rradhë. Emri i tij i vërtetë ishte Gjergj Kastrioti, por turqit e quanin me admirim “Skënder” (Aleksandri i Madh), të cilit i bashkëngjitej titulli “Bej”. Ai është sot për Shqipërinë edhe Gjergj Uashingtoni, edhe Abraham Linkolni, edhe Udru Uillsoni. Virtyti i grave mbahet si i shenjtë pavarësisht se prej klasës fshatare ato vlerësohen një shkallë më lart se kafshët e punës, pasi janë pikërisht gratë ato që kryejnë të gjitha punët e vështira në Shqipëri, përshirë të korrat dhe ngarkesat apo barrët që do të bezdisnin edhe kuajt. Kur i shikon këto gra nëpër shtigjet e malit apo kodrave të ngarkuara me barrë të rënda drush dhe të kërrusura më dysh, nuk mund të mos vëresh duart e tyre që kurrë nuk pushojnë: ato ose tjerrin lesh, ose qëndisin. Leshi është ndër prodhimet kryesore të vendit dhe shpatet e çveshura të maleve janë plot me kope dhensh dhe dhish. Leshi shërben për prodhimin e shumë veshjeve vendase, ndër më karateristiket e të cilave është xhamadani i rëndë e i zi, i veshur pothuajse nga gjithë burrat.
Deri kur vendi u pushtua prej ushtrive evropiane në Shqipëri rrugët moderne nuk njiheshin. Mjeti i vetëm i transportit ishte mushka ose kali vendës. Edhe pse sot ka rrugë shumë më të mira, automjetet dhe karrocat janë të rralla dhe ajo çka haset më shpesh nëpër rrugët e vendit janë burra që udhëtojnë. Këto janë mbetje të ndikimit turk në Shqipëri. Hakmarrjet, që ishin aq të shpeshta vetëm pak kohë më parë po davariten me shpejtësi. Njerëzit po çmojnë se ligji dhe drejtësia evropiane janë jo vetëm po aq të efektshme sa edhe e hakmarrja e egër, por mbi të gjitha, janë shumë më pak penguese për zhvillimin kombëtar. Kodi i lashtë vendas i nderit ka patur shumë karakteristika interesante. Ndër to shquhej norma zakonore se burri i shoqëruar nga gruaja nuk mund të mësyhej. Kësisoj, shpesh gruaja shoqëronte burrin duke u kthyer në njëfarë polise e sigurimit të jetës së tij. Kostumet vendase (të cilat vishen vetëm për ditë feste) janë piktoreske, sidomos ato të burrave, që përbëhen nga fustanella me palë të bardha që shkon deri në gju, e veshur mbi pantallona të ngushta. Mbi to vishet një xhaketë e shkurtër dhe pa mëngë, kurse këmbët mbulohen nga opinga të trasha me maja të kthyera lart ku dalin xhufka prej leshi të kuq. Në kokë burrat veshin një feste të bardhë ose ngjyrë gështenje. Dikur në palët e brezit vendasit mbanin thika ose pistoleta, mirëpo autoritetet ushtarake frënge dhe italiane tashmë e kanë çarmatosur popullsinë. Qytezat dhe fshatrat e Shqipërisë vendosen midis shpateve të kodrave ose maleve të përhime, dhe duken si njolla me ngjyrë më të hapur se sa gurët rrethues. Shtëpitë janë me dy kate. Dritaret e katit të sipërm janë të vogla, dhe në formën e bimëzave apo frengjive për t’u mbrojtur në rast sulmi. Nga poshtë këto fshatra të duken si një grumbull fytyrash njerëzore, ku dy dritarëzat e vogla në secilën shtëpi ngjasojnë si dy sy që të shikojnë me habi. Shtëpitë janë të ndërtuara me gurë të nxjerrë prej shkëmbinjëve vendorë, të lidhur me baltë ose llaç, kurse çatitë janë të sheshta ose pak të pjerrëta. Kubeja dhe minareja e xhamisë së fshatit sjell kontrastin më të këndshëm artistik përballë monotonisë së grumbullit të shtëpive të vogla të mbuluara me myshk. Rrugët janë shumë të ngushta, gjarpëruese dhe të shtruara keq, dhe sigurisht pa ndriçim, pasi kurrkush nuk guxon të dalë jashtë pas perëndimit të diellit. Në gjithë Shqipërinë nuk ka më shumë se pesë hotele, mirëpo nëpër fshatra që ndodhen në rrugë kryesore gjinden hane, ose bujtina me pronarë vendas. Ato janë si biçim gjysëm stalla, pasi përdoren nga karvane si dhe nga udhëtarë të rastit. Për arësye të dukshme (kryesisht të natyrës entomologjike), udhëtarit evropian do t’i këshillonim t’u qëndronte sa më larg këtyre haneve. Gjithsesi, rehatia atij nuk do t’i mungojë ngase kryeplaku, apo kreu i “fisnikërisë” së fshatit do ta quante për nder që të strehonte të huajin kalimtar dhe t’i jepte atij më të mirën që mund t’i siguronte shtëpia e tij. Në Shqipërinë qëndrore ende ekziston sistemi i rentës dhe i pronarëve (ose bejlerëve). Bejlerët janë njëfarësoj baronësh të vegjël feudalë vendas, të cilëve fermerët u paguajnë gjysmën e prodhimit të drithit dhe bulmetit. Ky sistem me siguri që i ka ditët e numëruara, pasi bujqit janë thuajse si skllevër. Fshtrat e popullsisë që e quan veten Rumenë (Vllahë), gjinden të shpërndarë në mbarë Shqipërinë, por më shumë janë të ngulur rreth rrugës së vjetër Romë-Konstantinopojë (e cila quhet Rruga Apia në dalje të Romës, dhe e cila kalonte në Brindisi, pastaj përtej detit në Durrës të Shqipërisë, dhe më pas në Elbasan, Ohër, Manastir dhe Selanik). Vllehët janë pa dyshim pasardhës të Legjionit të Pestë Romak, pasi u shpërnda si njësi dhe pjestarët e tij u ngulën në vend. Gjuha e tyre është përzierje e latinishtes, kurse tek kolonia e tyre e madhe në rrëzë të maleve të Pindit ende praktikohen shumë zakone të vjetra romake, sidomos sa i takon ceremonialit. Vetë sjellja tyre (bearing) të jep përshtypjen e një race të ndryshme, por krenare, ngase ata me të vërtetë mund të jenë pasardhës të Legjonarëve Romakë. Numri i Rumenëve në kufinjtë e sotëm të Shqipërisë çmohet të jetë rreth 80,000 frymë, kurse në Greqi (Malet e Pindit) më shumë se 100,000. Shqipëria e mirëfilltë është kombinim i Zvicrës, Siqelisë dhe Rivierës frënge. Tek i afrohesh brigjeve shqiptare nga deti nuk mund të mos vëresh madhështinë hijerëndë të bregdetit dhe majat e mbushura me dëborë të hinterlandit. Shqipëria përbëhet prej fushash dhe luginash shumë pjellore, malesh të larta dhe të rrudhura si dhe liqenesh të mrekullueshme. Turqit nuk lanë pemë në këmbë, prandaj Shqipëria është vend pa pyje, mirëpo në disa zona ahu, dushku, plepi, bredhi, qiparisi dhe pisha hasen me shumicë. Ulliri (kujtim i hershëm i Republikës Venedikase) gjindet me shumicë rreth Vlorës dhe me pak përkujdesje shkencore, prodhimi i vajit do të ishte i konsiderueshëm. Republika e Venedikur kishte tregëti të zhvilluar të vajit të ullirit të prodhuar në ishujt e saj jugorë, por kur këta ranë në duar armike, Republika e pruri industrinë më afër qendrës duke ofruar një shpërblim prej gati një dollar për çdo ulli të mbjellë në Shqipëri. Ullishtat prej mijëra rrënjësh të Vlorës janë dëshmia e tyre e gjallë. Ndofta shembullin më të mire të këtij sistemi e ofron ishulli i Korfuzit, ngase ai sot praktikisht është i mbulura me ullishte, edhe pse në të kaluarën vreshtaria ishte e para. Republika Venedikase jo vetëm që ofronte shpërblim për çdo ulli të mbjellë, por vendosi edhe një sistem të rreptë taksash ndaj verës së prodhuar në Korfuz, kësisoj njëra industri ia zuri vendin tjetrës. Një tjetër gjurmë e madhështisë së Republika e Venedikut janë kalatë e shumta që, edhe pse sot janë të rrënuara, të japin përshtypjen e lavdisë së dikurshme sa i takon madhësisë dhe masivitetit të ndërtimit. Natyrisht që ato zenë pika strategjike (majat e kodrave) dhe muret e bedenat e tyre të lashta, sot të banuara prej shtërgunjve (shtërgu - zog që mbahej si shenjtë në Shqipëri), i japin pejzashit pamje shumë piktoreske. Vlen të përmendet, posaçërisht Kalaja e Tepelenës që ngrihet e zymtë dhe e murrme duke komanduar krejt luginën madhështore ku bashkohet Vjosa me Drinon. Një tjetër kala jashtëzakonisht interesante është ajo e Himarës. e vendosur në krye të kepit që zotëron detin, në mes të rrugës midis Vlorës dhe Korfuzit. Kjo pjesë e vendit është kopësht i vërtetë, dhe pamjet mahnitëse të bregdetit ja kalojnë madje edhe atyre të Rivierës frënge. Kalaja venedikase është ndërtuar përmbi themelet e një kalaje të lashtë pellazgjike sikurse provohet nga blloqet massive të gurëve të ndërlidhur me njëri-tjetrin, pa kurrfarë llaçi apo çimentoje midis tyre. Me interes të veçantë historik, dhe ndofta prova më bindëse e lashtësisë së Kombit Shqiptar, lashtësi që shkon madje edhe përtej periudhës së pushtimit grek (pavarësisht pretendimeve të kundërta të ditëve të sotme), është një mur dhe një portë e ndërtuar drejtpërdrejtë përmbi themelet pellazgjike, dhe përmbi këtë vepër, grekët ndërtuan një mur tjetër që më pas u bë trualli i një kishe të lashtë ortodokse, e ngritur përpara kalasë më moderne venedikase. Në gurin e qoshes të harkut të kësaj porte të vogël por të lashtë dhe në blloqet e gurëve bashkëngjitur shquhet me vështirësi shqiponja dy-krenare e Shqipërisë, që edhe pse e rrahur prej shtrëngatave të shekujve, që kanë kaluar nëpër këtë shkrep mali, mbetet ende e qartë edhe sot, duke pretenduar me krenari të drejtën e pëparësisë. Simboli i Republikës Venedikase ishte Luani me njërën kthetër të vendosur përmbi një Libër të Hapur mbi të cilin shkruhej fjala “PAX”. Ky simbol gjindet në shumë vise të Shqipërisë, por ndofta i vetmi që ende ekziston dhe që e tregon Luanin me një Libër të mbyllur ndodhet në qytezën e Vunoit (pak më në veri të Himarës), mbi një mur të lashtë që kontrollon rrugën kryesore. Meqenëse Libri i Hapur përfaqësonte PAQEN, kësisoj mund të pandehim se skulptori i Luanit të Vunoit kishte vizion profetik, pasi logjikisht, Libri i mbyllur do të përfaqësonre Luftën, dhe ndofta ai e çmonte se këtij vend të palumtur vazhdimisht do t’i shkatoheshin gjakderdje prej fqinjëve të tij grabitqarë. Pjesa e Himarës gjatë bregut jugor ka qenë relativisht në paqe në krahasim me viset e tjera. Meqë vendi ishte shumë i begatë dhe tregtia me vende të tjera, sidomos me Greqinë, u solli pasuri banorëve, ata ishin në gjende t’i paguanin tribute më të lartë qeverisë turke, dhe kësisoj burrat ishin përjashtuar nga shërbimi ushtarak në ushtrinë turke. Turqia gjithashtu lejoi lulëzimin e shkollave greke, prandaj është e lehtë të kuptohet shkaku se pse një numër banorësh sot flasin greqisht dhe i takojnë besimit të Kishës Ortodokse. Për arësye të arësimit primitive në fshatra, i cili mungonte krejtësisht ndër katundarët e varfër, kuptohet edhe më qartë se vetëm me pak trysni prej priftërinjve grekë, këta njerëz të thjeshtë janë përgjysëm të bindur se i përkasin Greqisë. Fjala e priftit për ta është ligj, dhe parimi i tij është gjithmonë “Feja dhe kombësia janë një e të pandara”. Mosbindja ndaj porosive dhe urdhërave të priftit sjell si dënim terrorin e kishës ndaj katundarit injorant dhe supersticioz në trajtën e refuzimit të pagëzimit (që sjell më pas mallkimin) e fëmijëve të tij, dhe mohimin e kungatës. Pushteti i kishës është arma më e fortë në fushën e propagandës. Nën regjimin turk dallimet fetare nxiteshin pasivisht, meqenëse pakësonin mundësinë e zhvillimit të frymës kombëtare. Shkollat dhe kishat greke toleroheshin, mirepo ato shqiptare ndaloheshin. Shkrimi i gjuhës shqipe ishte krim i ndëshkueshëm. Pavarësisht nga këto, shpirti dhe gjuha e Shqipërisë kanë lulëzuar nëpër shekuj, dhe kjo duket nga fakti që gjuhë universal e mbarë vendit është sot shqipja. Për shkak të karakterit malor të vendit në Shqipëri hasen të gjitha varietetet e klimës. Dimri êshtë krahasimisht i shkurtër dhe me rreshje në vendet e ulëta, ndërsa vera është e nxehtë. Një pikë negative e vendit sa i takon shëndetit është ekzistenca e malaries në shumë pjesë të tij, sidomos në Vlorë, ku edhe përqindja e vdekjeve është e lartë. Insekti bartës janë mushkonjat, dhe meqë në veri të Vlorës ka sipërfaqe të mëdha me këneta, ky kërcënim ndaj shëndetit publik do të vazhdojë të ekzistojë derisa të ndërtohet dhe të funksionojë një sistem i gjerë kullimi. Ushtria italiane ka vuajtur së tepërmi prej malaires shqiptare, e cila i takon një shtami veçanërisht virulent aq sa udhëtari i huaj në këto vise asnjëherë nuk ulet për të ngrënë pa vendosur anash pjatës shishen me kininë. Oficerët italianë gjithmonë e mbushin xhepat me karamele me çokollatë (secila përmban një dozë të vogël kinine), për t’ua dhënë fëmijëve vendas. E mira kryhet kësisoj në mënyrë sekrete, pasi edhe prindërit edhe fëmijët nuk do të pranonin të përdornin (askance) asnjë ilaç të çfarëdolloji. Sa u takon mjekëve, ky vend ka shumë pak syresh, kështuqë kur vendasit sëmuren, ai është ose në duart e Zotit ose të Allahut, në varësi të besimit të tij fetar. Kufiri i i sotëm Shqipërisë nuk është fare i drejtë (correct), meqë vise të tëra të gjera dhe të pasura të vendit iu dhanë Greqisë dhe Serbisë në Konferencën e Londrës në vitin 1914. Tregohen thënie të çuditshme dhe të tmerrshme se si Komisioni i ardhur në Shqipëri për të caktuar kufinjtë u mashtrua; se si grekë dhe serbë u importuan për rastin në fjalë dhe u “mbollën” [planted], gjatë vijës në të cilën udhëtonte Komisioni; se si vendasit shqiptarë ose u kyçën brenda shtëpive të tyre ose u dëbuan nëpër male disa ditë para ardhjes së Komisionit nga banda rufianësh të përzgjedhura posaçërisht. Mjafton një vizitë në këtë vend për të mësuar se në ç’nivel të lartë janë përmirësuar artet e buta të Inkuizicionit spanjoll. Vdekja është mënyra më e pakët e terrorit, dhe disa tortura që janë bërë aq të zakonshme sa me kohë bëhemi si të vdekur nga tmerri i përgjithshëm i tyre përfshijnë: mbajtja e duarve të fëmijëve të vegjël përmbi flaket deri sa ata të fishken; djegia e gjallë e pleqve dhe plakave; coptimi i mishit të një njeriu të gjallë; hedhja e vajit të zjerë në shpinën e xhveshur; prerja e gjinjve; qorrimi i syve; mbajtja e fëmijëve bashkë me baballlarët duke shikuar nënat e tyre që përdhunohen. Dhe të gjitha këto gjëra ndodhën në 1913 dhe 1914. Ato do të ndodhin sërish nëse edhe një këmbë tjetër dhe i jepet Serbisë ose Greqisë. Popullsia e tanishme e Shqipërisë është pakësuar në rreth 800,000 banorë, porse po qe se kufinjtë do të ishin caktuar saktë, vendi do të kishte një popullsi prej 3,000,000 frymësh. Burimet natyrore janë të shumta dhe tërësisht të pazhvilluara Vendi është i pasur me bitum, qymyr, baker, hekur, ar, argjend, plumb, linjit, shkëmbinj fosfatikë dhe naftë. Eshtë plot me gjah dhe parajsë e vërtetë gjahtarësh: janë mëse të bollshëm dhelpra, lepunj, derra të egër, chamoix, drenj, arinj dhe pata. Ulliri, vreshtat dhe agrumet kultivohen aty këtu, kurse produktet bujqësore përfshijnë rye, miser, grurë, oats dhe barley. Megjithatë barishtet janë të pakta. Kudo shihen tufa me dhen dhe dhi. Produktet e tyre, si leshi, qumështu dhe djathi janë ndofta pasuria më e madhe kombëtare. Toka është mrekullueshmërisht pjellore, mirëpo plugimi bëhet me plugjet më primitive të prodhuara me dorë, tërhequr nga qe apo buaj, gjallesa të cilat janë të vlefshme edhe për qumështin dhe gjalpin e mrekullueshëm që prodhojnë. Për të parën herë, pas shumë shekujsh vendi ka jetuar në paqe nën ushtrinë italiane të okupimit. Veçanërisht në jugë të vendit janë ndërtuar qindar milje me rrugë të mira (rrugë që do të vlerësohesin në çdo vendi), janë hapur shkolla, janë sjellë në pushtet qeveritarë dhe kryepleq vendas, drejtësia administrohet nga gjykatës ushtarakë kompetentë, hajdutëria është zhdukur, është formuar policia vendase, janë hapur ferma të mira eksperimentale ku vendasit mund të mësojnë lirisht mënyrat moderne të kultivimit me maqineri bujqësore moderne dhe ku ata ose mund t’i blejnë ose mund t’i marrin ato me qera me çmime të ulta, janë ndërtuar spitale, është vendosur shërbim postar ajror midis disa qyteteve, dhe ka filluar puna për autostradën Trans-Ballkanike, që do të lidhë Vlorën me Manastirin, dhe atje do të bashkohet me rrugët për Selanik dhe Stamboll. Edhe një vështrim në hartë tregon rëndësinë e kësaj rruge, meqë Shqipëria jo vetëm që do të hapet ndaj botës dhe do të nisin dhe zhvillohen, veprimtari tregtare e industrial, por edhe turisti i nginjur me jetën e zakonshme kontinentale do të mirepresë me gëzim këtë tokë të re, me histori të lashtë, me bukuri që vetëm natyra mund t’i krijojë dhe që është piktoresk deri në skaj. Kërkuesi i kënaqësive jo vetëm që do të hasë sharmin e së resë, por studenti i lashtësisë do të zbulojë një dhé të virgjër, sepse Shqipërisë nuk i mungojnë as qytetet e varrosura greke dhe romake, që presin të gërmohen, dhe të cilat mbajnë në gjirin e tyre ndofta dëshmi të paçmuara të së kaluarës meqenëse nëpër Shqipëri kalonin rrugët e lashta tregtare qysh nga Lindja misterioze e deri në Kapitolin e Perandorisë së fuqishme Romake. Kushtet në Shqipërinë Qendrore dhe Verioire janë pak a shumë të ndryshme sepse duhet mbajtur parasysh se ky territor ka qenë nën administrimin e ushtrive të Fuqive Qendrore deri në tetor 1918, çka i ka lënë vetëm pesë muaj kohë Italisë të vendosë qeverinë civile. Tani rrugët dhe urat po ndërtohen me shpejtësi, zyrat bashkiake dhe provinciale po riaftësohen, dhe komunikacionet telegrafike dhe postare po instalohen, kështuqë edhe ajo pjesë e Shqipërisë nën kontrollin italian do të funksionojë si njësi kohezive. Qyteti i Shkodrës në veri dhe provinca e Korçës në juglindje janë nën kontrollin frëng, por meqë këto pika janë deri diku të kufizuara si hapësirë, edhe për autoritetet frënge ka qenë krahasimisht e lehtë të vendosin administrate civile, e cila në vija të përgjithshme funksionon kryesisht në mënyrë të ngjashme me atë italiane. E vemtja çështje shqetësuese tash për tash janë pengesat serbe në kufirin verilindor dhe propaganda e djallëzore greke me kërcënime dhe rrufshete në rrethin e Korçës. Këto kombe fqinje synojnë të grabisin tokat pjellore në perëndim dhe nuk e fshehin vendosmërinë e tye për t’i zënë ato qoftë me mjete “diplomatike”, qoftë me forcën e armëve.Vazhdimisht e shkatërruar nga luftrat dhe kryengritjet, e përçarë nga mospajtimet e brendshme dhe “diplomacia” e huaj, Shqipêria kërkon veç të lejohet që të jetojë si komb autonom nën mbrojtjen e kufizuar të Fuqive të Mëdha (përveç Greqisë dhe Serbisë). Kjo mbrojtje dhe organizim duhet të vazhdojë për një periudhë të caktuar vitesh, deri sa vendi të jetë në gjendje të qëndrojë me këmbët e veta.
(Shkrimi eshte botuar ne te perjavshmen "Rilindasi", 25 mars 2012)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë